RMV, ‘Rinia e goditur nga kriza’ – organizatat rinore rekomandime institucioneve për t’i mbështetur të rinjtë

Një grup i organizatave rinore sot promovuan dokumentin “Të rinjtë në krizë 2.0” me të cilin i analizuan efektet e pandemisë tek të rinjtë dhe u ndanë rekomandime institucioneve se si të mbështesin të rinjtë gjatë krizës, transmeton Portalb.mk.

“Për të rinjtë, veçanërisht ata grupeve të ndjeshme, pandemia KOVID-19 ka shkaktuar probleme në arsim, punësim, shëndet mendor dhe statusin financiar. Përderisa të rinjtë do të vuajnë më së shumti pasojat ekonomike dhe sociale të krizës, mirëqenia e tyre mund të përmirësohet përmes zgjidhjeve të shpejta dhe të drejta politike,” tha Teodora Stolevska nga Forumi Rinor Arsimor.

Analiza e Shoqatës për hulumtime dhe analiza – ZMAI tregon se pagat e të rinjve janë ulur gjatë krizës. Rënia e të ardhurave mesatare mujore neto të të rinjve në qershor krahasuar me shkurtin është 2.6%, ndërsa në nivelin e tërë shtetit është 1.8%. Numri i të rinjve, të cilët kishin të ardhura më të ulëta se paga minimale u rrit nga 27.149 në shkurt në 31.755 në qershor, ndërsa niveli i pjesmarrjes në të gjithë popullsinë e të rinjëve, të cilët kanë pasur të ardhura është rritur nga 32% në 37%. Shkalla e rënies së të ardhurave është më e theksuar tek të rinjtë dhe gratë. Ky dallim rrit pabarazinë midis tyre dhe grupeve të tjera, që do të thotë se masat duhet të hartohen për mbështetjen e tyre”, tha Viktor Stojkoski nga ZMAI.

Bllazhen Maleski nga Reaktor – Hulumtime në aksion, ndau një analizë të masave antikrizë të Qeverisë të destinuara për të rinjtë. Sipas tij, janë miratuar tre dekrete, në të cilat përmenden shprehimisht të rinjtë – kartela pagesore, vauçerë për trajnim të aftësive digjitale dhe mbështetje për participim për studime dhe akomodimin në konvikt. Mbi 80.000 të rinj përdorën kartelat pagesore, 2.136 të rinj përdorën vauçerët e trajnimit për IT, përderisa 972 studentë shfrytëzuan subvencione për participim. Përdorimi i lartë tregon se të rinjtë kanë nevojë për mbështetje, por vë në dukje se masat do të kishin një efekt më të madh nëse janë të ragetuara – të destinuara për të rinjtë me të ardhura më të ulëta.

Organizatat e të rinjve u bëjnë thirrje institucioneve të marrin parasysh të rinjtë si grup kyç gjatë marrjes së masave për përballje me krizën shëndetësore dhe ekonomike. Ata rekomandojnë të lehtësohet (ri) punësimi i të rinjve, por gjithashtu të mbështeten përmes rimbursimeve personale të taksave dhe vauçerëve për konsum në shtëpi për ata që kanë më shumë nevojë. Në mënyrë që arsimi të mos ndërpritet për asnjë fëmijë, duhet të sigurohen kushte për qasje në arsim, veçanërisht për të rinjtë që nuk kanë pajisje digjitale, të cilët nuk janë në sistemin arsimor dhe që janë nga familje ekonomikisht më pak të fuqishme. Arsimi në distancë të bëhet i arritshëm për nxënësit me aftësi të kufizuara. Kriza dhe distanca sociale kanë një ndikim negativ në shëndetin mendor, për të cilin shërbimet profesionale në shkollë duhet të sigurojnë aktivitete për nxënësit, ndërsa shteti duhet të sigurojë linja shërbimi për mbështetje psikologjike dhe linja për viktimat e dhunës në familje. Në lidhje me arsimin e barabartë për të gjithë, futja e edukimit gjithëpërfshirës seksual në të gjitha nivelet e arsimit është një mënyrë tjetër për shtetin që të dëshmojë se kujdeset për çdo të ri dhe se të gjithë të rinjtë kanë qasje të barabartë në informacionet e nevojshme për shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore nuk duhet të presë që kriza të përfundojë, duhet të punohet në zbatimin e tij, së bashku me organizatat rinore. Ka edhe rekomandim për të rinjtë – vullnetarizmi, puna e të rinjve dhe aktivizmi duhet të mbijetojnë.

Që nga fillimi i pandemisë, ky rrjet i organizatave ka monitoruar vazhdimisht ndryshimet dhe jep rekomandime për të lehtësuar pasojat e shkaktuara nga kriza shëndetësore dhe sociale. Anëtarët e iniciativës “Të rinjtë në krizë” janë: Forumi i arsimor për të rinjtë, Reaktor -Hulumtime në aksion, Shoqata për hulumtime dhe analiza (ZMAI), HERA, Qendra për dialog ndërkulturor, Lidhja e skautëve, Lidhja rinore – Krushevë, Equaliska, Pisikoterapika, Lidhja kombëtare rinore e Maqedonisë, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut dhe ARNO. Procesi i krijimit dhe analizës së dokumenteve është mbështetur nga Fondacioni Westminster për Demokraci përmes Iniciativës për demokracisë në Ballkanin Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button