Dezinformatë për zgjatjen e orës policore në RMV

Nuk është hera e parë që mediat dezinformojnë për masat kufizuese. Edhe në pranverën e vitit të kalur kishte lajmet të tilla, të cilat pa u konfirmuar nga institucionet kompetente, aludohej për orë të zgjatura policore. Raste të ngjashme po paraqiten edhe tani. Autori i lajmit që po recensojmë, duke cituar një media tjetër, ka siguruar se do të ketë orë policore fundjavën që lamë pas, por që në fakt nuk ndodhi kështu. Ora policore mbeti e njëjtë sikurse deri tani, prej orës 22:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit të së nesërmes. Institucionet kompetente disa herë janë shprehur se do të monitorojnë situatën dhe pastaj do të dalin me vendim për masa eventuale shtesë, shkruan Krithink.

Data e publikimit: 16.03.2021Linku origjinal i artikullit: Vikendi me orë policore prej 17:00 deri 05:00 në Maqedoninë e Veriut?!

Data e recensimit: 22.03.2021

Titulli aspak bindës, po aq sa (pa)vërtetësia e lajmit

Duke filluar nga vetë titulli, autori ka treguar se lajmi nuk është as i konfirmuar dhe as i vërtetë. Zakonisht titujt me pikëpyetje, tregojnë se lajmi në vetëvete është krejt dilema. Në artikull është pretenduar se fundjavën që lam pas do të ketë orë më të zgjatur policore se sa aktualisht, vërtetësia e të cilit, një ditë pasi u publikuar ky lajm, i cili madje pretendon se ka burime qeveritare, ra në ujë, pasi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, tha se nuk do të ketë orë më të zgjatur policore, por se do të monitorohet situata epidemiologjike.

“Në Maqedoninë e Veriut po planifikohet aplikimi i orës policore prej orës 17:00 pasdite deri në ora 05:00 e mëngjesit të nesërm dhe kjo masë pritet të hyjë në fuqi nga dita e premte deri të hënën e javës së ardhshme, bëjnë të ditur burime qeveritare për portalin Faktor. Pra ora policore do të zgjatet çdo ditë nga ora 17:00 deri 05:00 dhe jo si deri më tani që është nga ora 22:00 – 05:00. Sipas portalit, po mendohet edhe mbyllje e plotë nga dita e premte deri të hënën në mëngjes, nga shqetësimet e rritjes së infektimeve me COVID-19, përcjell Aktuale24”, thuhet në tekst.

Dhe, shumë shpejt, autori demanton veten kur thotë se Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se mund të ketë masa shtesë, por kjo do të varet nga numri i të hospitalizuarve ditëve në vijim.

“Nga Ministria e shëndetësisë kanë vërtetuar se është e mundur që të aplikohen masa më të ashpra dhe restriktive për mbrojtje, por se deri tani nuk ka ndonjë vendim zyrtar. Se a do të ketë një masë të tillë do të varet nga numri i të hospitalizuarve gjatë ditëve të ardhshme e deri ditën e premte”, thuhet në tekst.

Autori në fakt, ka qenë i informuar për informacionet zyrtare dhe se tani për tani nuk do të ketë orë më të zgjatur, por si duket, me qëllim ka ngritur pikëpyetje dhe mundësi për masa më të forta shtrënguese. Me plasimin e të tilla informacioneve, autori e di mirë se interesi i qytetarëve për të kuptuar se çfarë do të ndodhë është i madh, ndaj edhe ka shfrytëzuar mundësinë për të tërhequr sa më shumë lexues.

Sipas Kodit Etik të Gazetarëve, informata duhet të konfirmohet dhe nëse nuk mund të konfirmohet ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Fatkeqësisht burimet, që përdoren nga disa media dhe nga media që po recensojmë edhe artikullin, po keqpërdoren dhe humbasin vlerën e vërtetë që duhet ta kenë.

“Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.” thuhet në Kodin Etik.

Koncepti i manipulimit

Autori në këtë rast ka manipuluar përmes “Thirrjes së mundësisë”, kur ka pretenduar se mesiguri do të ketë orë të shtuar policore, vetëm për shkak se ekziston mundësi që kjo të ndodh. Në fakt, një vendim i till është i pritshëm çdo ditë nga institucionet kompetente, për shkak të rritjes së numrit të rasteve dhe të hospitalizuarve, megjithatë, lajmi që plasohet duhet të jetë i konfirmuar. Përgjegjësia është shumë e rëndësishme në të bërit gazetari.

Për lexuesit

Mesiguri se kur shikoni lajmet të tilla jeni në dilemë se çfarë masash janë sjellë. Megjithatë, sot është shumë e lehtë të konfirmohet vërtetësia e një dez(informate). Në këtë rast, nëse ju tashmë e dini se kush janë mediat më të besueshme dhe të sakta, atëherë mjafton që t’i vizitoni ato dhe të konfirmoni besushmërinë e lajmit që e keni lexuar diku dhe nuk ua mbush mendjen vërtetësia e tij. Përveç kësaj, raste si këto- me masat shtrënguese, mund të vizitoni ueb-faqet e institucioneve kompetente. Gjithashtu, mund të kontrolloni edhe profilet e udhëheqësve të institucioneve përkatëce, të cilët zakonisht shkruajnë për vendime të tilla të rëndësishme. Pasi t’i keni kontrolluar këto dhe burime të tjera do jeni më të qartë për vërtetësinë ose jo të një lajmi si ky që recensuam.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button