fbpx

SHGM kërkon reagim të shpejtë të MPB-së dhe Prokurorisë Publike për kërcënimet eksplicite ndaj gazetarëve

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) reagon ashpër ndaj deklaratave kërcënuese publike ndaj jetës si dhe fyerjeve të shprehura në profilin në Fejsbuk të personit Arben Esati. SHGM fton Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike Themelore urgjentisht të ndërmarrin masa në mënyrë që të pengohet rreziku i shprehur ndaj kolegëve tanë, shkruan Portalb.mk.

Në rrjetin social Fejsbuk personi me emrin Arben Esati ka dërguar kërcënime me fjalë vulgare ndaj mediave: Pa censurë, TV21, Gazeta Express, Tetova sot, TV Koha, Kohanews, Kumanovsot, TV Shenja, Lajmipress. Ai në postimin e tij u drejtohet gazetarëve të cilët punojnë në këto media me këto fjalë: “Do t’ju prej gishtat”, “Unë punën do ta humb, por juve jetën do t’ua marr ku edhe të ndodheni”, “Jo policia, por as ushtria nuk do të mund t’ju shpëtoj, gratë, juve dhe motrat do t’ju përdhunoj”, fëmijët do t’ju…”

Këto kërcënime kanë pasuar pas publikimeve në mediat lokale të një artikulli të publikuar në mediat serbe në lidhje me babain e personit Esat, mjek i cili thuhet se është ofruar të punojë në Serbi pas çka kanë pasuar reagime të ndryshme nëpër rrjetet sociale.

Bëjmë me dije se gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet me jetë paraqesin vepër penale të paraparë në Kodin penal, kurse MPB dhe Prokuroria, duhet urgjentisht ta investigojnë dhe procedojnë në mënyrë që t’i dënojnë ata që shkelin ligjin por edhe të parandalojnë vepra eventuale të shkaktuara nga urrejtja.

Në këtë kontekst SHGM ka dërguar kërkesë deri te MPB dhe SPB Tetovë, për ndërhyrje të shpejtë në lidhje me rastin dhe ndërmarrje të masave urgjente kundër personit Arben Esati. Nga MPB kanë njoftuar se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit në procedurë sa më të shpejtë. Kujtojmë se siguria e gazetarëve dhe e drejta për liri të shprehjes janë shenjat themelore të një vendi i cili aspiron të jetë demokratik. Prandaj, kërcënimet eksplicite kundër jetës së gazetarëve dhe familjarëve të tyre duhet të sanksionohen në mënyrë që ata të mund të veprojnë lirë dhe sigurt në profesionin e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button