Visar Ganiu nuk përmbushi premtimin për Qendër Klinike për Fëmijë, komuna: Pandemia ka zvarritur procedurat

Qendër Klinike për fëmijë, objekt i ri për qendër rinore, parkingje prapa bllokut banesor në bul. Nikolla Karev, parkingje në udhëkryqin Xhon Kenedi dhe Kemal Sejfulla dhe qarqe rrugore rr.Cvetan Dimov, janë disa nga projektet e premtuara të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, të cilat nuk janë realizuar për më shumë se tre vite, që kur ai ka ardhur në krye të kësaj komune, shkruan Portalb.mk.

Ganiu gjatë fushatës parazgjedhore, premtoi buxhet prej  112,310,860.00 denarë (1.841,161,64 euro) për qendër klinike për fëmijë. Ai kishte paraparë rekonstruim i objektit ekzistues 66,740,860 denarë (1,094,112 euro) dhe zgjerim të pjesës së re 45,570,000.00 denarë (747,049 euro).

Projekti i premtuar për Qendër Klinike për Fëmijë
Projekti i premtuar për Qendër Klinike për Fëmijë

Nga kjo komunë thanë për Portalb.mk se po bëhen përpjekjet maksimale për realizimin e këtyre projekteve.

“Ashtu siç pjesa më e madhe e projekteve të premtuara tashmë janë realizuar dhe kanë filluar rrugën e realizimit – siç janë projekti tashmë i përfunduar i ndërtimit të tribunës së stadiumit të K.F. Shkupit dhe objekti i ri administrativ i klubit në rrjedhë e sipër, procesi i filluar ndërtimor për çerdhen e re “Bambi”, procesi dinamik i ndërtimit të objektit shtesë të SH.F. Ismail Qemali, projekti i përfunduar i ndërtimit të palestrës sportive të SH.F.K Kongresi i Manastirit me emrin Alush Hamidi, rrethrrotullimi në bulevardin “Brigada e Dytë Maqedonase”, qendra ekzistuese rinore në rrugën Kemal Sejfulla dhe shumë projekte tjera në më shumë sfera për të cilat në vazhdimësi i kemi njoftuar qytetarët, po bëhen përpjekjet maksimale edhe për fillimin e realizimit të projekteve të theksuara nga ana juaj duke përfshirë ndërtimin e Qendrës Klinike për Fëmijë, objektit tjetër të qendrës së re rinore, parkingjeve dhe rrethrrotullimeve të parapara”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Ata më tej kanë shtuar se zvarritja e këtyre projekte është shkaktuar nga situata me pandeminë, si dhe vërejtjet që vijnë nga Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Transportit në lidhje me planet detale urbanistike.

“Duke e pasur parasysh situatën me pandeminë e virusit Covid 19, po punojmë me kapacitetin e lejuar në këto rrethana dhe me përkushtim maksimal për miratimin e planeve të reja detale urbanistike në përputhje me procedurat ligjore, të cilat do të na lejojnë edhe veprimin e mëtutjeshëm për realizimin e projekteve tjera të premtuara. Në lidhje me planet detale urbanistike, duhet theksuar se vërejtjet e Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve jepen kohë pas kohe dhe jo si një tërësi, gjë që na e vështirëson realizimin e projekteve të premtuara. Rreth zhvillimeve të reja në këtë drejtim në kohë ashtu si çdoherë do të informojmë qytetarët”, theksuan nga Komuna e Çairit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button