Mbërritën në Shqipëri 10 mijë vaksina ruse, dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Në Shqipëri kanë mbërritur 10.000 vaksina Sputnik V kundër koronavirusit të ri (COVID-19), që janë donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, transmeton Anadolu Agency (AA).  

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale videon e mbërritjes së vaksinave, ndërkohë ai shkruan: “Mbërrijnë 10.000 vaksina Sputnik, dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, miku i çmuar Muhammed Bin Zayed. Së shpejti shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, të pranishëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” gjatë mbërritjes së vaksinave u shprehën se priten doza të tjera vaksinash nga negociatat që po zhvillohen.

“Do të vijojmë për të siguruar akoma më shumë vaksina, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojmë vaksinimin masiv të popullatës dhe të parapërgatitemi për një verë më të lehtësuar dhe sigurisht edhe për turizmin”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Duke theksuar se procesi i vaksinimit po vijon, Manastirliu tha Komiteti i Imunizimit në Shqipëri ka dhënë garancinë për përdorimin e vaksinave.

Në Shqipëri që prej fillimit të vaksinimit në janar janë kryer gjithsej 46.515 doza të vaksinës kundër COVID-19, për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.

Vaksinimi deri tani është realizuar me vaksinat e siguruara nga kontrata me kompaninë Pfizer dhe vaksinat AstraZeneca, të siguruara nga financimi i Qeverisë së Shqipërisë nëpërmjet mekanizmit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button