“Plagjiaturat”, inspektorët kanë arritur në Universitetit e Tetovës, nuk dihet sa do të zgjasë inspektimi

Inspektorati i Arsimit sot ka hyrë në hapësirat e Universitetit të Tetovës për të hulumtuar në lidhje me rastin e studimit të revistës anonime “Veritas” për plagjiaturat dhe shkeljet e mundshme tjera ligjore të disa profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë. Nga ky inspektorat për Portalb.mk theksuan se nuk dihet sa ditë do të zgjasë inspektimi.

Të pyetur se kur do të dihet epilogu i këtij inspektimi të jashtëzakonshëm, nga Inspektorati i Arsimit theksuan se një gjë e tillë ende nuk dihet, pasi që inspektimi mund të zgjasë disa ditë.

“Inspektimi ka filluar sot, nuk dihet se a do të mbarojë për një ditë dhe sa do të zgjasë, pasi të jetë gati raporti atëherë mund të deklarohemi për mediat” theksuan për Portalb.mk nga Inspektorati i Arsimit.

Ndërkaq, ankesa për plagjiatura dhe shkelje tjera të mundshme ligjore në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës deri te Inspektorati i Arsimit ka arritur me datë 17 mars, pikërisht në ditën kur edhe u bë publike studimi i “Veritas”.

Kush janë profesorët e akuzuar?

Familja Beadini

Babë, nënë dhe bijë dyshohet se janë kapur nga NIRCAU që thonë se kanë vjedhur thuajse tërësisht punimet e tyre shkencore, të cilat pastaj i kanë përvetësuar dhe kanë arritur në postet ku janë në Fakultetin e Mjekësisë.

Nexhbedin Beadini është nga fshati Kamjan i Tetovës dhe aktualisht i punësuar si profesor i biologjisë së qelizës dhe gjenetikës humane, në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës. Tre punime të tij, sipas NIRCAU, kanë rezultuar të jenë plagjiaturë.

Sheqibe Beadini është bashkëshortja e të lartpërmendurit, ajo është aktualisht e punësuar si profesoreshë e Biokimisë dhe Fiziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Tetovës, punimi i saj, sipas hulumtimit të NIRCAU, ka rezultuar gati tërësisht plagjiaturë.

Albulena Beadini është e bija e të dy personave të lartpërmendur, e njëjta është aktualisht e punësuar si asistente në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Tetovës, punimi i saj, sipas NIRCAU, ka rezultuar 100% plagjiaturë, gjegjësisht, kjo e fundit ka ndryshuar punimit vetëm emrin e shtetit nga ku e ka vjedhur punimin.

Emira Bexheti është gjithashtu e punësuar në Fakultetin e Mjeksësisë në UT, kjo e fundit ligjëron gjenetike humane dhe biologji të qelizës si asistente. Raporti i “NIRCAU” ka vlerësuar punimin e saj shkencor si të vjedhur, gjegjësisht, plagjiaturë.

Familja Bexheti

Mirlind Bexheti ishte i punësuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës, ai është asistent i lëndës Farmakologji. Sipas NIRCAU, i njëjti ka vjedhur punimin shkencor dhe më pas e ka prezantuar si të tijin. Portalb.mk mëson se ky i fundit aktualisht nuk është duke punuar në UT.

Nasir Bexheti është prindi  i plagjiatorit të lartpërmendur, ky i fundit sipas “NIRCAU” nuk i plotëson kushtet për titullin shkencor të cilin e posedon. Sipas këtij hulumtimi, ky person nuk i plotëson kriteret e kërkuara nga Ligjin për Arsimin e Lartë në RMV. Këto kushte janë të shpjeguara në këtë studim. Ai ligjëron anatoni 1 dhe 3.

Destan Haliti është i punësuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës si asistent i neurologjisë, sipas NIRCAU, punimi shkencor “i tij” realisht ka rezultuar të jetë plagjiaturë.

Ekrem Ismani gjithashtu i punësuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë UT-së, ai ligjëron Transfuziologji dhe Patofiziologji, punimi i tij gjithashtu ka rezultuar të jetë plagjiaturë, sipas NIRCAU.

Qenan Ferati, sipas NIRCAU, ky person i punësuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës në këtë vend të punës ka arritur duke mos i plotësuar kriteret e kërkuara ligjore.

Portalb.mk sërish ka tentuar të kontaktojë dhe pret përgjigje nga gjithë të akuzuarit për plagjiaturë dhe për arritje në vendin e punës duke mos respektuar Ligjin për Arsim të Lartë, të njëjtit nuk përgjigjen në pyetjet tona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button