NJË KLASIK(Ë) PËR ORIENTIN

“Klasikja nuk vdes kurrë.” Kjo thënie vlen edhe për temat, po edhe për librat. Në libra të këtij lloji ka vendin e vet edhe Historia e arabëve, kryevepra e libanezo-amerikanit, profesorit nga Universiteti Princeton, ligjërues në Harvard dhe në AUB (Universitetin Amerikan të Beirutit), Philip Hitti (1886-1978). Kjo vepër është shkruar mes viteve 1927-1937. Bëhet fjalë për një studim referencë, me stil akademik, por lehtësisht i lexueshëm, që flet për historinë e arabëve, për atë të Islamit si një “zonë gri”, nga një kohë shumë e largët, para Profetit Muhamed e deri te rënia e shtetit osman, si dhe për pjesën më të madhe të shek. XX. Libri përbëhet nga gjashtë pjesë: “Periudha paraislame”, “Lindja e Islamit dhe shteti i kalifatit”, “Perandoria emevite dhe abasite”, “Arabët në Europë: Spanja dhe Sicilia”, “Shteti i fundit mesjetar islamik” dhe “Sundimi osman dhe pavarësia”, si dhe 52 kapituj që e segmentizojnë dhe e shtjellojnë natyrshëm subjektin në fjalë.

Kjo është një vepër bazike për të kuptuar botën arabe dhe qytetërimin islam, një tekst standard për studimet arabo-islame (Osti, 2017). Vepra është vlerësuar botërisht që nga botimi i parë (1937) deri te më i riu (2002), si dhe është përkthyer në shumë gjuhë botërore. Autori e ka ripunuar veprën edhe disa vite para vdekjes. Vlera e këtij teksti monumental arrin deri në ditët tona, por në botën perëndimore iu rrit edhe më shumë fama pas ngjarjes së 11 Shtatorit, pas asaj “sfide globale” ku u ndje një zbrazëtirë dhe një nevojë e madhe për të njohur, kuptuar dhe studiuar botën arabo-islame përtej legjendave dhe stereotipave të përhapur përmes mediumeve të ndryshme. Disa vepra të tjera të Hitti-it janë Historia e Sirisë (History of Syria), Islami: mënyrë jetese (Islam: A Way of Life), Libani në histori (Lebanon in History), Krijuesit e historisë arabe (Makers of Arab History) etj.. Përmes studimeve të tij mbresëlënëse, bazuar në referenca burimore, ai ka arritur ta shpëtojë historinë nga klishetë, duke e bërë atë një domen kënaqësie dhe edukimi. Po ashtu, duke treguar lidhjen e ngushtë mes traditave të mëdha ai ia ka dalë të shquajë fillin historik, ideor dhe teologjik ndërmjet tri feve abrahamike. (Starkey, 1971) Hitti na ka mësuar se Perëndimin e ka bërë dialogu mes dy brigjeve të Mesdheut, jo ngadhënjimi ndaj arabëve.

Ky libër është një ndihmë e çmuar për studiuesit, si dhe tërheqës për lexuesit në përgjithësi, që janë të interesuar të dinë më tepër për Orientin, për Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, për muslimanët, për historitë e tyre; që duan të zgjerojnë horizontin, të ndërtojnë ura mes dy botëve imagjinare (Perëndim-Lindje) dhe të jenë banorë të një bote më të madhe, ku një rol të rëndësishëm luan edhe Orienti, arabi, Islami si fe (ana kulturore dhe politike e tij), që është në ngritje e sipër.

Sado që disa studiues (Alijjan, Sibai) e kanë cilësuar si subjektiv, Hitti ka dhënë një kontribut të shkëlqyer përmes analizës së binomit arabët-qytetërimi botëror, por edhe me shtjellimet për botën islame, që në të kaluarën ka pasur një potencial të lartë intelektual dhe moral; për Lindjen e Mesme, që sot është përfshirë nga një konflikt i tmerrshëm, i nxitur nga gjeopolitika, nga etja ndërkombëtare për naftë dhe nga rrjeti i terrorizmit global. (Khoury, 1996)

Besojmë se ky libër standard në këtë fushë, që tani, ne saje te Logos-A flet edhe shqip, do të jetë një kontribut me rëndësi edhe për basenin tonë kulturor në këto kohë të turbullta, si në rang botëror ashtu edhe vendor, ku gjithçka orientalizohet, ku faktorë dhe aktorë qytetërimorë paragjykohen dhe hidhen mënjanë verbërisht. Përmes këtyre 800 faqeve Hitti është munduar t’i vetëdijësojë amerikanët që të mendojnë jashtë leksioneve të historisë së kulturës pop, histori të cilat i konsumonin si ushqim nga romanet dhe filmat. (Rhett, 2008) Ai i ka bërë të njohura studimet arabe në institucionet amerikane dhe më gjerë. Ndërsa sot shpresojmë të ndihmojë për kthjellimin e shumë gjërave edhe në arealin tonë kulturor e intelektual, për të patur kështu një ligjërim më objektiv për “veten” dhe “tjetrin imagjinar”. Dhe Historia e arabëve mbetet mu ashtu siç përkufizohet klasikja: “a work of recognized and established value” (një vepër e vlerës së mirënjohur dhe të themeltë).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button