Britani, protesta të dhunshme kundër projektligjit që i jep policisë më shumë kompetenca për ndërhyrje në protesta

Demonstrata e zhvilluar në qytetin Bristol kundër projektligjit që i jep policisë më shumë kompetenca për të ndërhyrë ndaj protestave në Britani të Madhe, u shndërrua në dhunë, transmeton AA.

Qindra persona u mblodhën në qendër të Bristolit kundër projektligjit dhe filluan të ecnin drejt stacionit të policisë në Bridewell.

Protestuesit kërkonin që projektligji të tërhiqej ndërsa policia ndërhyri me të mbërritur ata në stacion.

Protestuesit që i rezistuan policisë, gjuajtën me gurë drejt dritareve të stacionit të policisë dhe iu përgjigjën policisë me fishekzjarre.

Demonstruesit gjithashtu dogjën dy furgonë të policisë në një park para dhe afër stacionit.

Presidenti i Federatës së Policisë Somerset, Andy Roebuck tha se gjatë incidenteve një oficer policie kishte thyer krahët dhe brinjët.

Kreu i Federatës së Policisë së Anglisë dhe i Uellsit, John Apter duke i përshkruar ngjarjet si “të tmerrshme” tha se “Disa oficerë policie u plagosën rëndë, automjetet e policisë u dëmtuan dhe u sulmua një stacion policie”.

Projektligji

Nëse projektligji i diskutueshëm bëhet ligj, policia do të jetë në gjendje të përcaktojë kohën e fillimit dhe përfundimit të protestave.

Në projektligj mund të vendoset një nivel i caktuar i zhurmës dhe nëse zhurma arrin në një pikë që do të pengojë punën ose transportin e një institucioni ose do të ketë një ndikim serioz tek njerëzit përreth, policia do të ketë të drejtë të ndërhyjë në demonstrata.

Gjithashtu ata që shkelin ligjin mund të dënohen me 10 vjet burg ose me gjobë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button