Gëlojnë “thasheshemet” për Universitetin e Tetovës

Tani më që moti dihet se Republika e Maqedonisë së Veriut është kandidate (shumëvjeçare) dhe synon të bëhet pjesë e Bashkimi Evropian. Të bëhet pjesë e një tërësie e barabartë mes të barabartëve. Pjesë e kësaj tërësie që paraqet një ʼtregʼ shumë të madh të përbashkët ku konkurrenca e lartë kërkon njerëz me dije, aftësi, zotësi dhe shkathësi që të realizojnë detyrat në vendet e tyre të punës dhe jo vetëm. Andaj kërkohet, e ne themi se është më se e domosdoshme, pra janë parime imanente këto, që edhe këtu të kemi një politikë të zgjuar në kultivimin, formësimin dhe krijimin e fuqisë së këtillë intelektuale e punëtore. Këtë detyrë e kanë universitetet që njihen si institucione të shenjta për secilin vend. Dhe derisa universitetet në botë merren me problematikat e përparimit dhe zhvillimit, univesiteti ynë,  Universiteti i Tetovës ka disa ditë që është në shënjestër të lajmeve ende të pakonfirmuara nga asnjë organ i universitetit dhe as të ndonjë organi tjetër kompetentë. Fjala është për shkrimet nëpër portale të ndryshme lidhur me plagjiaturat e disa profesorëve të fakultetit të mjekësisë.

Që në fillim duhet të thuhet fakti notar sesi lajmet e rreme, definohen si një lloj propagande që përfshinë çdo informacion të gabuar, të rremë ose të sajuar që shpërndahet përmes gazetave ose mediave sociale që siç dihet nuk janë të pakta dhe funksionojnë ʼonlineʼ. Informacionin e rremë zakonisht e krijojnë reporterët dhe gazetarët, të cilët paguajnë burime të ndryshme për të sajuar histori dhe afera. Por megjithatë ato mund të ndikojnë në rrënimin kronik dhe gradual të imazhit të universitetit, në rastin tonë, për të cilin nismëtarët për themelimin dhe zhvillimin e këtij institucioni kanë dhënë mund, djersë e mbase edhe gjak.

Lajmet që këto ditë qarkullojnë gjithandej për universitetin tonë krijojnë një ndjenjë të keqe dhe ndikojnë negativisht në reputacion e tij duke u shpërfaqur në sytë e publikut pa qofshin edhe të rrejshme si të tilla.  Andaj është e arsyeshme dhe e nevojshme që autoritetet përkatëse të Universitetit të Tetovës tʼi kundrojnë e tʼi shqyrtojnë duke i trajtuar me kujdes të veçantë pasi këto zëra janë të lidhura me vlefshmërinë dhe besueshmërinë e përgjithshme të gradave akademike të Universitetit.  Shi për këtë edhe lënë pasoja të përhapjes së idesë se integritetin e përgjithshëm akademik e kanë dëmtuar profesorë të cilët, të jemi të sinqertë e ta themi realisht, nuk është hera e parë që përmenden.

Thashethemet rreth avansimeve pa bazë shkencore të disa individëve nuk duhet të anashkalohen nga udhëheqësit e universitetit, organizatat studententore, Inspektorati i arsimit të lartë, Ministria e arsimit dhe shkencës, madje dhe nga organe përkatëse duke përfshirë edhe prokurorinë publike. Ata duhet të intervenojnë në dy kahje: Në njerën anë të marrin masa për të gjitha ato portale dhe burime informatore të cilat keqpërdorin masmediumin për të lansuar një të pavërtetë poqese konstatojnë një veprim të tillë; dhe nga ana tjetër të verifikojnë këto lajme qoftë edhe të rrejshme përmes mekanizmave që kanë në dispozicion.

Kjo çështje nuk e brengosi as udhëheqësinë studentore apo kryetarin e Parlamentit studentor si organ më i lartë studentor. Sipas nenit 29 të statutit të Parlamentit studentor thuhet se ka komision për marrëdhënie me publikun dhe marketingun. Nuk patëm asnjë reagim nga asnjë organ i universitetit për rastin në fjalë. Studentët duhej të kishin përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit në Universitet me të gjitha të qenat e paqenat. Të pranuarit në heshtje qoftë edhe të një lajmi të rrejshëm të portaleve se në universitet janë bërë plagjiatura nga një numri i konsiderueshëm i ligjeruesve me tituj shkencorë dhe akademikë, në njërin nga fakultetet më të rëndësishëm të çdo universiteti nga i cili dalin mjekë që do të duhej të përkujdeseshin për shëndetin e popullates, është e papranueshme, e patolerueshme dhe skandaloze.

Le të themi se lajmi ishte i rrejshëm! Por kjo limonti e plogështi e të gjitha organeve dhe mosreagimi edhe për lajmet e rrejshme të cilat ndikojnë te shumica e popullatës, që nuk i kanë të qarta gjërat, mund të revoltojë e të krijojë një imazh të keq për të gjithë Universitetin e Tetovës.

Universiteti duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur integritetin e tij, duke përfshirë edhe revokimin e titujve të kujdo qoftë, po të jetë nevoja për të gjithë ata që kanë abuzuar apo që nuk i kanë plotësuar kushtet statutore e ligjore.

Në kohë reformash stihike dhe plagjiaturash sa të nevojshme mbeten debatet për kuinesencën e arsimimit, jo si “madhësi” diplome, por si përhershmëri në partiturat e ndryshueshmërisë!… thotë publicist i ynë Bardhyl Zaimi në komentet e tij, gjithandej. Këtu fjalën kryesore duhet ta kenë organet kompetente të institucionit dhe më gjerë. Jam i mendimit se gjithësecili nga ne që ia duam të mirën institucionit në fjalë të kontribojmë në ndalimin e përbaltjes së tempullit tonë të dijes. Ndërkaq ne që jemi pjesë e trupit arsimor-pedagogjik e në veçanti studentët dhe familjarët e tyre duhet të bëjmë çmos që mos lejojmë të nëpërkëmbjen e këtij tempulli të dijes. Trungu i shëndoshë akademik i Universitetit të  Tetovës, megjithë, këto vështërësi me të cilët po përballet, besoj bindshëm se do t’ia delë të bëhet dhe më i fuqishëm dhe katalizator për rikthim të besimit në vlera dhe etikë profesionale. Studentët në këtë rrugëtim duhet të jenë ata të cilët do të përshpejtojnë zhvillimin dhe sa më lehtë të tejkalohen sfidat që e presin Universitetin në të ardhmen. Prandaj, duke qenë bartës të peshës për të nesërmen, ata duhet të jenë sa më aktiv dhe të kontribojnë në rritjen e institucionit të cilit i përkasin e i cili na përket, poaq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button