Shkup, disa banorë ankohen se një investitor dëshiron t’ua bllokojë lagjen me ndërtesa 30-metra të larta (VIDEO)

Paralajmërimi për ndërtimin e dy ndërtesave të larta 30 metra në afërsi të lagjes së tyre, është halli i disa qytetarëve të cilët jetojnë në kufirin mes komunave Butel dhe Çair. Toka ku paralajmërohet ndërtimi i banesës është e Butelit dhe e ndanë vetëm një rrugë prej 3 metrave, nga lagjja e banorëve të revoltuar të cilat me vendbanime janë të ndarë në dy komunat. Investitor nuk dihet kush është, a banorët thonë se nëse bëhet diçka e tillë, kjo ndërtesë do të jetë si mur që do ta bllokojë lagjen tërësisht, raporton Portalb.mk.

“Jemi mbledhur me qëllim që ta alarmojmë iniciativën e investitorit privat që ka për qëllim të ngrit një mur 30-metra të lartë para lagjes ku jetojmë. Kërkojmë që bashkërisht ta alarmojmë këtë situatë dhe të mos lejojmë iniciativa të tilla jo-standarde që të aprovohet. Nuk jemi kundër që të ndërtojë, le të ndërtojë, por jo 30 metra të na bëjë mur këtu të na bllokojë”, tha Sejdulla Alimi, banor i lagjes.

Vendi ku parashikohet ndërtimi i banesës, foto Portalb.mk/Faton Curi
Vendi ku parashikohet ndërtimi i banesave, foto Portalb.mk/Faton Curri

Ata shtojnë se nuk e dinë se kush është investitori, por se vetëm kanë komunikuar dhe sipas të gjitha gjasave është dikush nga Tetova.

“Nuk e kemi parë investitorin, kemi komunikuar me atë, e kemi ftuar që të bisedojmë dhe të shohim që ta revidojmë iniciativën e tij. Ne nuk jemi kundër që të ndërtojë, por jo të bën ndërtesa të larta 30 metra. Mirëpo iniciativa e tij e prish gjithë rendin e lagjes. Investitori më duket se është nga Tetova”, tha Alimi.

Të pyetur nëse rastin e kanë paraqitur në Komunën e Butelit, ata shtojnë se nuk kanë shkuar fare atje, pasi që komuna bashkëpunon me investitorin.

“Nuk jemi drejtuar deri te komuna pasi që investitori bashkë me atë e çojnë përpara këtë punë, çfarë do të shkojmë atje kur ata bashkëpunojnë.  Sot ju ftuam vetëm juve mediave, ndërkaq nëse autoritetet ndërmarrin hapa konkret, atëherë ne do të marrim masa më radikale, protesta – nuk do të lejojmë me asnjë çmim që të bëhet. Dikush të vijë prej Tetovës këtu dhe të ndërtojë mur 30 metra dhe ta bllokojë tërë lagjen”, tha Alimi.

Banorët theksojnë se kjo zonë më herët ka qenë rrip i gjelbër.

Portalb.mk, kontaktoi dhe me investitorin të cilin e përmendën banorët. Të afërmit e tij na thanë që do të ia përcjellin kërkesën tonë për deklaratë në lidhje me çështjen në fjalë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button