Privatësia seksuale kundrejt interesit publik

A mund gazetarët të mbledhin të dhëna për orientimin seksual të gazetarëve të tjerë dhe të publikojnë lista me gazetarë-homoseksualë?

Orientimi seksual është e dhënë personale

Sipas Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale, orientimi seksual është e dhënë personale, ndërsa të dhënat për jetën seksuale hyjnë në kategori të veçanta të të dhënave personale për të cilat është paraparë mbrojtje të veçantë. Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale mundëson që:

“Gazetaria profesionale, në përputhje me rregullat etike të këtij profesioni” të përpunojë të dhëna personale “vetëm në rast se interesi personal mbizotëron mbi interesin privat të subjektit të të dhënave personale”

Sipas kodit të gazetarëve të Shoqatës së gazetarëve profesionalë, gazetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se “mbledhja e informatave mund t’i shkaktojë dikujt dëm ose siklet”.

“Shkelja e intimitetit të dikujt është arsyeshme vetëm në rastet kur bëhet fjalë për interes më të lartë publik”

Sipas kodit të SHGM-së,“Gazetari do ta respektojë privatësinë e personalitetit, përveç atëherë kur kjo është në kundërshtim me interesin publik”. Poashtu, “Doracaku për etikë në gazetari” i SHGM-së në mënyrë eksplicite thekson se:

“Informatat për përcaktimin seksual… nuk guxojnë të publikohen pa leje, përveç nëse ekziston interes i padyshimtë publik që të bëhet një gjë e tillë.”

Duke i pasur parasysh dispozitat e lartëpërmendura, mund ta riformulojmë pyetjen që e parashtrua në fillim: A i shërbejnë interesit më të lartë publik gazetarët që mbledhin dhe publikojnë të dhëna për orientimin seksual të gazetarëve të tjerë pa lejen e tyre?

Interesi publik kundrejt orientimit seksual

Hipotetikisht, a mund jeta seksuale e dikujt të jetë temë me interes të përgjithshëm? A mund pyetja “A ka homoseksualë në mesin e … ?” të nxisë debat me interes të përgjithshëm? Përgjigja në dy pyetjet e mësipërme është pohuese, së paku nëse merret parasysh praktika e deritanishme e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, kur vendos për shkelje të të drejtës për privatësi.

Sipas gjykatës, ajo që paraqet temë me interes të përgjithshëm varet nga rrethanat. Gjykata ka konstatuar interes të përgjithshëm në rastet kur përmbajtjet e publikuara ngrejnë çështje politike, vepra penale, çështje sportive, por edhe kur kanë të bëjnë me artistë që realizojnë vepra artistike. Prandaj, pyetja gazatareske “A ka homoseksualë në mesin e gazetarëve?” mund të nxisë debat me interes të përgjithshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikanë që publikisht e kanë dënuar homoseksualitetin ose e kanë penguar luftën kundër barabarësisë seksuale.

Për shembull, javorja e popullarizuar “Newsweek“, më 7 korrik 2010 publikoi një storje “Sa kuir (queer) është kjo?”, me arsyetimin se: “A nuk është qesharake se sa konzervativë të spikatur me të kaluar anti-gej janë kapur aq shpesh në skandale gej?“. Me këtë rast, „Newsweek“-u publikoi një listë me gjashtë persona publikë si shembuj të politikanëve që publikisht kanë përfaqësuar qëndrime anti-gej, ndërsa privatisht kanë pasur marrëdhënie seksuale me burra (dy prej tyre “publikisht kanë dalë nga dollapi i murit” pasi janë zënë në vepër).

Në raste të caktuara, pyetja “A ka homseksualë në mesin e…?“ mund të jetë me interes publik jo vetëm kur bëhet fjalë për hipokrizinë e politikanëve, por edhe kur bëhet fjalë për hipokrizinë e klerikëve fetarë. Duke pasur parasysh se kisha e dënon homoseksualitetin, Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut pajtohet me vlerësimin se publiku ka të drejtë të jetë i informuar për sjelljen e klerit kishtar, që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me pozitën e lartëpërmendur të kishës. Për shembullm publiku ka të drejtë të jetë i informuar në qoftë se një sjellje e tillë “kontradiktore” ndodh në një institucion ku trajnohen priftërinjtë e ardhshëm dhe mbikëqyriësit e tyre. Por, edhe përkundër asaj se gjyqi gjen interes publik në shkrimin e kësaj teme, megjithatë, në rastin Rothe vs. Austria ai vendos se e drejta për privatësi e një prifti është shkelur kur një magazin austriak ka publikuar një fotografi ku shihet se si ai shkëmben një puthje frënge me një student të tijin. Edhe përkundër asaj se botuesi në gjyq ka nxjerrë dëshmitarë që kanë thënë se prifti disa herë ka shkëmbyer puthje frënge në ahengun e kërshëndellave, gjykata në Strazbur vlerëson se fotografia e publikuar ka paraqitur një detaj intim nga jeta private e priftit, i cili nuk ka qenë person publik para publikimit të fotografisë kontraverze.

Domethënë, në raste të veçanta, madje edhe kur gazetari/gazetarja ka interes publik të shkruajë për një temë të caktuar, me ekspozimin e detajeve intime nga jeta private e dikujt, ai/ajo rrezikon të shkelë të drejtën e tij për privatësi.

Shkelja e privatësisë seksuale pa interes publik

Por, t’i kthehemi artikullit të panënshkruar “A ka homoseksualë në mesin e gazetarëve?!“. Kundrejt të drejtës për privatësi seksuale, a ka interes të padyshimtë publik në thirrjen që ua bën e përditshmja qytetarëve që të kyçen në përpilimin e listës së “gazetatëve homoseksualë”? Në qoftë se pyetja do të ishte “A ka homoseksualë në mesin e gazetarëve që publikisht e dënojnë homoseksualitetin?!“, atëherë do të ishte në interes, njëlloj sikurse me pyetjet “A ka homoseksualë ndërmjet politikanëve/priftërve që publikisht e dënojnë homoseksualitetin?!“

Në këtë rast, ka shumë rrethana që flasin se mediumi nuk përdoret që të hapet debat për ndonjë çështje me interes publik, por se keqpërdoret për qërim hesapesh me gazetarët-kolegët. Thirrja deri te qytetarët që të kyçen në përpilimin e listës së “gazetarëve-homoseksualë” mund të interpretohet si thirrje për publikimin e të dhënave personale të cilat janë të mbrojtura në mënyrë të veçantë me ligj. Pa interes të padyshimtë publik, thirrja e tillë nxit diskriminim në bazë të orientimit seksual, që është në kundërshtim me kodin gazetaresk. Tregues kyç për nxitjen e diskriminimit janë komentet e publikuara të qytetarëve. Te komentet mungojnë argumentet, ndërsa dominojnë stereotipet dhe paragjykimet negative, si dhe shprehjet e urrejtjes dhe jotolerancës, që janë shqetësues si për gazetarët ashtu edhe për personat që janë gej. Mu për këtë arsye, artikulli senzacionalist “A ka homoseksualë në mesin e gazetarëve?!“ u dënua me arsye jo vetëm nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, por edhe nga ?rganizata të tjera për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT.

********************************************************************************************************************************

Kjo analizë është përgatitur nga ekipi i Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia

Lajme të ngjashme

Back to top button