Imperativat e politikës së jashtme

Politika e jashtme ose marrëdhëniet e jashtme i referohen mënyrës se si një qeveri apo shtet i zhvillon marrëdhëniet me vendet tjera. Qeveria zgjedh politikën e saj të jashtme për të mbrojtur interesat e kombëtare. Gjashtë mjetet kryesore të politikës së jashtme bashkëkohore përfshijnë diplomacinë, organizatat ndërkombëtare, strukturat monetare ndërkombëtare, ndihmat ekonomike, siguria kolektive dhe parandalimi ushtarak. Këto gjatë instrumente që më shumë kanë ngjajshmëri me politikën e jashtme amerikane nga Jefersoni e deri tek administrata e fundit ku siguria kolektive, organizatat ndërkombëtare, institucionet monetare dhe diplomacia parandaluese kanë shërbyer për promovimin dhe dominimin global amerikan. Edhe shtetet tjera që bëjnë pjesë në rangun e mesëm dhe të ultë mundohen t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet për një prestigj në politikën ndërkombëtare dhe rajonale.

1.Historikisht gjatë pandemive globale imperativi kryesorë i politikës së jashtme ka qenë mbijetesa. Një shtet në një krizë globale e ka të pamundur t’i zvogëlojë rreziqet në qoftë se qeveria apo politika e jashtme e shtetit nuk drejtohet nga disa imperativa kryesore.  Diplomacia jugosllave pas shkëputjes nga orbita sovjetike në vitin 1948 e ndryshoi tërësisht qasjen e vet ndaj botës perëndimore, sferës sovjetike dhe Shteteve të Pa-Inkuadruara (LP). Pasi Jugosllavia e Titos u kthye në shërbim të politikës së presidentëve amerikanë të Hari Trumanit dhe Duiet Azenauerit e për më shumë gjatë kohës së administratës së presidentit Kenedi, politika e jashtme jugosllave kishte tre imperativa kryesore. E para kishte të bënte me balancën në mes SHBA-së dhe BRSS-së, e dyta vazhdimi i konsolidimit ekonomik dhe e treta mënjanimi i tensioneve të brendshme. RSFJ-ja kishte një rrjet të organizuar diplomatik, mirëpo me shpërbërjen e saj, republikat e reja që shpallën pavarësinë dhe u bënë shtete kishin zero diplomaci dhe politikë të jashtme. Ishin Gjermania, Austria, Britania e Madhe, SHBA, Rusia dhe disa shtete arabe që i mbështetën disa njësi të imperativave të shteteve të reja. Është specifike se të gjitha shtetet e dala nga federata kishin një qëllim të përbashkët e cila lidhej me BE-në dhe ekonominë e tregut. Maqedonia e Veriut (MV) atëherë e quajtur si IRJM në fillim nuk kishte traditë diplomatike dhe as politikë të jashtme. Nikolla Klusevi dhe Kiro Gligorovi dhe disa anëtarë të rinj që ishin kthyer nga komunistë në demokratë, i vendosën themelet se si do të dukej politika e jashtme e republikës së brishtë dhe a duhej “gjalpi të shitej për armë”.

Shpeshherë në formulimin e politikave publike ose mossuksesit të tyre, vëmendjen e publikut qeveritë e përqendrojnë në çështje të nxehta dhe emocionale. Si rast konkret duhet nënvizuar vizitat e fundit të Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani në Zvicër dhe zv. kryeministrit Artan Grubi në Kosovë apo edhe deklaratat e kryeministrit Zaev rreth BE-së i cili kritikoi Unionin për vaksinat si një rast për tu kthyer kah vaksina ruse dhe kineze. Asnjëra dhe as tjetra nuk kanë të bëjnë me imperativët e politikës së jashtme të MV-së dhe nuk kanë lidhshmëri me linjën apo jo të vazhdueshme të politikës së jashtme dhe diplomacisë maqedonase sa i përket Kosovës dhe mërgimtarëve në botën e jashtme. Shembuj të tillë kemi shumë kur hymë në analizën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe objektivave të politikës së jashtme të një shteti.

2. Në shekullin e XX, gjeopolitika pothuajse e drejtoi politikën e jashtme jo vetëm amerikane, por edhe atë të BRSS-së dhe të shteteve të Evropës Perëndimore. Politika e jashtme amerikane u përpoq të parandalonte që çdo shtet të mos dominohej vetëm nga një fuqi e vetme. Për këtë qëllim, Uashingtoni mori pjesë në dy luftërat botërore dhe më pas në Luftën e Ftohtë. Rënia e BRSS-së i dha fund sfidës për sundimin territorial mbi Euroazinë. Megjithatë, përsëri sot është kthyer beteja për “Rimland”-in apo “Heartland”-in dhe siç duket SHBA nuk do të tërhiqet lehtë nga Euroazia.

Për nga aspekti profesional dhe kombëtarë, drejtuesit e zgjedhin një politikë të bazuar në nevojat politike, ekonomike apo edhe të konflikteve të njëanshme. Siç dihet politika e jashtme amerikane është tipike koherente dhe gjithëpërfshirëse. Është gjithëpërfshirëse sepse vepron me të gjitha mjetet në dispozicion, duke përdorur të gjitha instrumentet e fuqisë kombëtare të ushtruara nga departamentet dhe agjencitë e qeverisë në ndjekje të objektivave të politikës shtetërore. Këto cilësi që i theksuam më lartë nuk i posedojnë vendet tona dhe qeveritë pasi nuk po bëjnë përpjekje për të përmirësuar cilësinë e diplomatëve dhe të diplomacisë. Për më shumë, mosmarrëveshjet e fundit në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë të bëjnë me mungesën e imperativave diplomatike të MV-së në politikat me shtetet fqinjë, pasi qeveria dhe MPJ-ja drejtohen nga idetë dhe emocionet nacionale e jo nga interesi i vërtetë kombëtarë. Politika e jashtme e MV-së dhe në përgjithësi e shteteve të Ballkanit Perëndimor lëngon nga interpretimi ideologjik i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button