“Një familje nga Afrika i bëri donacion Tetovës me një gyp ujësjellësi”, aksion gueril kundër restrikcioneve të ujit

Pesë ditë Tetova ka restrikcione të ujit për pije që zgjasin nga më shumë se 11 orë në ditë. Rrëshqitja e tokës në lokalitetin Leshnicë sërish e dëmtoi gypin kryesor të ujësjellësit, për çka kjo pjesë është përjashtuar nga rrjeti i ujësjellësit. Kjo ka shkaktuar mungesë prej 150 litra ujë në sekondë në rrjetin e ujësjellësit të qytetit, për çka janë inkorporuar restrikcione gjatë më shumë orëve, shkruan Sdk.mk, njofton Portalb.mk.

Ndërsa presin Ndërmarrjen publike komunale (NPK) Tetovë për ta mënjanuar defektin e ujësjellësit, dhe të hiqen restrikcionet, tetovarët kanë filluar të tallen me përgjegjësit në Komunën Tetovë. Në parkun te sheshi i qytetit dje është mbajtur aksion gueril në të cilin është vendosur gyp ujësjellësi, kurse nën atë një pllakë në të cilën, në gjuhë shqipe, shkruan: “Donacion nga familja Babadun prej Afrike për Komunën Tetovë”. Kjo është bërë në shenjë proteste për shkak të restrikcioneve prej më shumë orëve për ujë.

Nga NPK Tetovë lusin për pak më tepër durim. Thonë që defekti është mënjanuar dhe tani punohet mbi kontrollimin e domosdoshëm të rrjetit.

“Defekti i rrjetit të ujësjellësit që ndodhi në Leshnicë është larguar, mirëpo rrjeti i ujësjellësit ende nuk është tërësisht funksional. Për momentin, kemi lëshuar vetëm 70 litra ujë në sekondë dhe jemi duke e kontrolluar si do të funksionojë sistemi. Nuk guxojmë përnjëherë ta lëshojmë tërë sistemin por duhet ta bëjmë atë gradualisht, për shkak se patjetër është të bëhen testime meqë kemi disa informata të cilat udhëzojnë të jemi të kujdesshëm. A ka ajër në sistem apo bëhet fjalë për diçka tjetër, këtë duhet ta konstatojmë dhe ta mënjanojmë para se ta lëshojmë ujësjellësin me kapacitetin e plotë. Kështu ishte edhe herën e kaluar, në shkurt, kur gjithashtu kishte defekt të madh me ujësjellësin edhe atëherë, pasi e mënjanuam defektin, na janë nevojitur 48 orë që sistemi të jetë tërësisht funksional”, thotë Lulëzim Shaqiri, udhëheqës i njësisë së punës “Ujësjellës dhe kanalizim” pranë NPK Tetovë.

Defekt i njëjtë i këtillë ndodhi kah fundi i shkurtit kur rrëshqitja e tokës e dëmtoi gypin kryesor të ujësjellësit në lokalitetin Leshnicë. Atëherë tetovarët kaluan nëntë ditë të tëra me restrikcione, prej më shumë orësh, të ujit të pijshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button