RMV, mediat online nuk duhet të rregullohen me ligj, pasi mund të rrezikohet liria e shprehjes

Mediat online nuk duhet vendosur në kornizën ligjore, pasi mund të rrezikohet liria e shprehjes. Ka shumë ligje, me të cilat mund të luftohen mediat e papërgjegjshme. Gjithashtu, gjykatat dhe prokuroritë duhet të punojnë më shumë për sanksionimin e fenomenit të shpifjeve dhe fyerjeve. Kodi Penal duhet të ndryshohet dhe jo të grimohet. Ka vonesë në ndarjen e pushteteve, gjyqësori nuk po bën asgjë për të përmirësuar besimin e qytetarëve të cilët vetëm 2 për qind u besojnë gjykatave. Këto janë disa nga konstatimet e ekspertëve pjesëmarrës në uebinarin me titull “Liria e shprehjes kundrejt shpifjes, fyerjes dhe gjuhës së urrejtjes”, organizuar nga Konventa Nacionale për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Ekspertët thonë se të drejtat themelore që kanë qenë një segment kryesor i Kapitullit 23 po fitojnë edhe më shumë rëndësi në metodologjinë e re të negociatave (së bashku me gjyqësorin dhe luftën kundër korrupsionit) duke formuar klasterin e parë të të ashtuquajturave “Themelet”.

Profesorja Mileva Gjurovska, Koordinatorja nacionale e KN-MK dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane EM-MK, tha se bëhet fjalë për një fushë të gjerë të të drejtave dhe lirive, të cilat duhet të implementohen në praktikat e përditshme të qytetarëve, për të cilat afirmimi i tyre konsiderohet i domosdoshëm, përfshirja e tyre në legjislacionin kombëtar dhe ndërtimi i mekanizmave për jetësimin e tyre.

“Kjo është seanca e parë kushtuar të drejtave themelore, kështu që qasja në këto të drejta është kusht themelor për qasjen e mëtejshëm në BE. Fillojmë nga kapitulli i parë, pasi të drejtat e njeriut kanë karakter universal”, tha prof. Gjurovska.

Ambasadori i Republikës së Sllovakisë në Shkup, Henrik Markush, tha se “Qeveria e Maqedonisë së Veriut po përpiqet të zbatojë vlerat evropiane dhe kjo gjë duhet përshëndetur”. Ai theksoi se Bashkimi Evropian po përballet me betejën e pandemisë covid19, për çka BE-ja në të njëjtë kohë punon në konceptin e Unionit të ri në të ardhmen.

Dragan Tilev, këshilltar shtetëror në Sekretariatit për Çështje Evropiane, kujtoi se vendi në procesin e integrimit është për më shumë se 25 vjet.

Ilustrim

“Në Maqedoni, mbi një milion qytetarë përdorin aktivisht internetin, është një numër i madh. “Përhapja e gjuhës së urrejtjes përmes rrjeteve sociale është si gjuajtja në caqe të lëvizshme, gjatë së cilës nuk dini se cilin do të godisni”, paralajmëroi ai”, tha Tilev.

Profesori nga Fakulteti i Drejtësisë në UKM, Nikolla Tupançevski kujtoi se shpifjet dhe fyerjet nga viti 2012 rregullohen me ligj të veçantë për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje.

“Nderi dhe reputacioni janë normë serioze ligjore, dhe ato janë kriter për kapacitetin demokratik të secilit shtet. Maqedonia filloi me një zgjidhje autoktone – një ligj i veçantë që rregullon shpifjen dhe fyerjen. A është kjo qasje zgjidhja më e mirë në rregullimin e kësaj çështjeje? Po punojmë për një kod të ri penal, pasi konsiderojmë se i vjetri nuk duhet të grimohet, por është e nevojshme revidim rrënjësor, kështu që mbase duhet të mendojmë për rishikim edhe në këtë fushë”, tha Tupançevski.

Kalman Petrosh, kryetar i Komitetit të Helsinkit të Sllovakisë, nënvizoi se pikëpamja e tij për të drejtat e njeriut është më e gjerë se ajo që është në ligj.

“Liria e shprehjes nuk është absolute, edhe ajo ka disa kufizime ligjore. Pse është nën kufizime ligjore? Ku është kufiri midis lirisë dhe gjuhës së urrejtjes ose shpifjes:, pyeti Petrush, duke konstatuar se ndonjëherë është shumë e vështirë ta vendosësh atë vijë ndarëse.

Ai theksoi kulturën politike të elitave, pastaj cili është qëllimi, motivi ose metoda e shfrytëzimit të lirisë së shprehjes.

Gjykata Themelore - Shkup
Gjykata Themelore – Shkup

Nenad Savevski, gjyqtar në Gjykatën Themelore porositi se është shumë e rëndësishme që prokurorët publik dhe gjykatësit të jenë në kondicion që vazhdimisht të jenë të vetëdijshëm për rrezikun e këtij lloj kriminaliteti, si në sanksionimin ashtu edhe në kthimin e viktimave. Ai theksoi se pikërisht gjyqësori është shënjestra e këtyre sulmeve, dhe për këtë arsye duhet të mbrohet pavarësia e gjyqësorit.

Frosina Tasevska, sekretare shtetërore në Ministrinë e Drejtësisë, tha se vend të rëndësishëm zë edhe çështja e sulmeve ndaj gazetarëve, për të cilat BE-ja kërkon pastrim deri në fund të çështjeve.

Jasna Baçovska Nediq, profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë, përmendi parimet Bangalore, gjegjësisht dukshmërinë e drejtësisë.

“Si mundet që gjyqësori ta rikthejë besimin? Parimi i transparencës, publiciteti në fazat e procedimit, publikimi i vendimeve, bashkëpunimi me gazetarët, formimi i gazetarisë gjyqësore, gazetarë që e njohin problematikën”, tha profesoresha e UKM-së Nediq.

Media, mediume, televizione

Mirçe Adamçevski, kryetari i Komisionit në Këshillin për etikë, nënvizoi se na nevojitet shkathtësi shumë më e madhe mediatike, por që ajo të mos shndërrohet në censurë të mediave.

“Ne jemi kundër rregullimit të mediave online që të mos rrezikohet liria e shprehjes. Konsiderojmë se ka shumë ligje, me të cilat mund të luftohen mediat e papërgjegjshme. Përshtypja jonë është se gjykatat dhe prokuroritë nuk po bëjnë punën e tyre, prandaj për to është më e lehtë që të rregullohen mediat”, nënvizoi Adamçevski.

Përndryshe Klasteri – Vlerat themelore, në negociatat me BE-në hapet i pari, mbyllet i fundit dhe dikton tempon e negociatave. Mund ta kthejë procesin pas nëse nuk lëvizet në drejtim të duhur. Monitorimi do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithçka që do bëhet me sukses do të shpërblehet me progresin e negociatave, ndërsa nëse procesi zhvillohet me devijime do të ketë sanksione, gjegjësisht regres në proces.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button