Tetovë, premtohen tash 8 vite, autobusët komunën e gjetën të papërgatitur, Arifi: Jemi nga fundi

Edhe pse premtohen tash tetë vite, autobusët e Tetovës të cilët arritën dy muaj e gjysmë më herët, e gjetën Komunën e Tetovës të “pa përgatitur” si në pjesën e dokumentacionit ashtu edhe në infrastrukturë. Kryetarja e kësaj komune, Teuta Arifi, deklaroi se aktualisht po zhvillohen përgatitjet e fundit dhe se shpreson që së shpejti të finalizohet ky projekt, shkruan Portalb.mk.

Me fotografi, prerje të shiritit dhe ceremoni u pritën në muajin janar pesë autobusët të cilët do të shfrytëzohen për transport publik në Tetovë. Sot, jemi në muajin mars ndërsa këto autobusë qytetarët ende nuk i kanë parë.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

Sipas kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, aktualisht po bëhen përgatitjet e fundit dhe së shpejti pritet që projekti të finalizohet, gjegjësisht autobusët të qarkullojnë në qytet.

“Nga Ndërmarrja Publike për transport publik janë duke i bë përgatitjet përfundimtare, kanë bë tanimë takime edhe me policinë në mënyrë që të startojnë me punë, shpresoj që së shpejti të dalin dhe të realizohet. Bordi është i plotë, regjistrimi i autobusëve është bë, çmimet janë përcaktuar, është çështje e përgatitjeve të fundit” tha Teuta Arifi.

Darko Spirovski, drejtor i NP "Tetova Transport".
Darko Spirovski, drejtor i NP “Tetova Transport”.

Drejtori i Ndëmrarrjes Publike “Tetova Transport” theksoi disa javë më herët se në momentin që ai u emërua si drejtor, projekti për autobusët në Tetovë ka qenë i papërfunduar, gjegjësisht ende nuk ishte vendosur plotësimet te nënstacionet, metodologjia e blerjes së biletave, linjat dhe ngjashëm.

“Unë nuk determinova kohën se kur do të fillojnë të lëvizin këta autobusë, nuk bëhet fjalë për 1 ose 2 ditë. Projekte të tilla strategjike nuk bëhen kaq shpejtë, periudha kohore mund të jetë nga 1 deri në 2 muaj, qëllimi jonë është që sa më shpejtë të filloje. Ka disa gjëra që duhet të bëhen, disa plotësime te nënstacionet, gjithashtu edhe metodologjia e shitjes së biletave, pra, të ngjashme si koncept mund ta marrim qytetin e Prilepit, të cilët kanë metodologjinë e shitjes së biletave në mënyrë elektronike, ideja është që udhëtarët të mos presin për të blerë biletat në autobusët por të bëhen përmes metodave më të thjeshta” shtoi Spirovski, duke përmendur edhe mënyrën e blerjes së biletave si në Shkup, përmes teknologjisë NFC.

Spirovski shtoi se ata po përballen me sfida të shumta, edhe atë: “Çmimet, benefitet, target grupet, komunikacioni në qytet dhe shumë tjera” tha Spirovski.

Përveç mungesave në pjesën së dokumentacionit, Komuna e Tetovës nuk kishte siguruar as infrastrukturën e nevojshme për funksionim të transportit public

Portalb.mk  javë më herët bisedoi me ekspert të komunikacionit, i cili theksoi se do të jetë shumë e vështirë funksionimi i transportit publik në Tetovë me kushtet aktuale infrastrukturore.

Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.
Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.

“Kushtet nuk janë aq të favorshme sa i përket infrastrukturës së transportit urban, paraprakisht do të jetë shumë e rëndësishme se në çfarë aksesh do të lëvizin autobusët, gjë që do ta caktojnë personat kompetent. Duhet të shihet në akset rrugore sa do të ketë vende për parkimin e automjeteve dhe sa do të mund ti krijojnë hapësirë transportit urban të lëvizë pa pengesa” tha Blerim Neimi, ekspert i komunikacionit.

Ai potencoi rëndësinë e një korsie të veçantë e cila do të mundësonte që këta autobusë të arrijnë në destinacionin e tyre në kohë dhe pa probleme shtesë, aktualisht, një gjë të tillë nuk e ka qyteti i Tetovës.

“Transporti urban do të ishte një zgjidhje e mirë për qytetin e Tetovës, konkretisht, në qoftë se bëhet edhe një korsi e veçantë për autobusët do të ishte edhe përshpejtimi i kohës së vozitjes apo orarit” tha Neimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button