Pas lajmit të Portalb, është zhbllokuar komisioni për bulevardin “Blagoja Toska”, Arifi: Se shpejti fillojnë punimet

Katër ditë pas lajmit të Portalb për atë se Komuna e Tetovës kishte “bllokuar” komisionin për bulevardin “Blagoja Toska”, me ftesë të kryetarit të këshillit komunal, Bekim Memeti, sot ky komision ka dalë në teren për së pari herë. Kryetarja Arifi potencoi se bëhet fjalë vetëm për një rast i cili është në proces gjyqësor, pas kësaj, do të fillojnë punët për hapjen e trasesë, shkruan Portalb.mk.

Premtimi shtatëvjeçar i kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka filluar të konkretizohet në muajt e fundit të mandatit të dytë të saj. Megjithatë, hapja e këtij bulevardi do të kërkoje rrënimin e disa shtëpive, me këtë, jo gjithkush ka mbetur i lumtur.

Katër ditë më herët Portalb.mk informoi se Komuna e Tetovës edhe pse kishte themeluar, nuk po e funksionalizonte komisionin për “Blagoja Toska”, gjegjësisht komisionin i cili është i angazhuar për të zgjidhur çështjet pronësore-juridike me palët e pakënaqura.

Sot, këshilltari nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASh), Arif Selami për Portalb.mk konfirmoi sot kanë dalë në teren së bashku me dy kolegë, që poashtu janë anëtarë të këtij komisioni. Megjithatë, Selami nuk deshi të deklarohet derisa komisioni të filloje të japë rezultatet e veta.

Kush janë anëtarët e “Komisionit për bulevardin Bllagoja Toska”?

Portalb.mk siguroi vendimin e themelimit të këtij komisioni, në të cilin theksohen të gjithë emrat e anëtarëve të cilët duhet të dalin në teren dhe të zgjidhin kontestet konkrete për hapjen e këtij bulevardi, në këtë vendim gjithashtu potencohen edhe detyrimet e komisionit.

Bëhet fjalë për gjithsej 7 anëtarë, edhe atë: Bekim Memeti (BDI), Goran Jovanovski (VMRO-DPMNE), Besar Durmishi (Lëvizja BESA), Arif Selami (ASh), Adnan Bilalli (PDSH), Zhive Aleksovski (LSDM), Minire Ademi (BDI).

Dokumenti për themelimin e Komisionit për bulevardin "Blagoja Toska".
Dokumenti për themelimin e Komisionit për bulevardin “Blagoja Toska”.

Kryetarja Arifi: Nuk ka ngecje, jemi në përgatitjet e fundit për të hapur trasenë 

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi është e bindur se nuk ka ngecje në procedurën për hapjen e bulevardit “Blagoja Toska”, ajo thotë aktualisht janë në përgatitjet e fundit për fillimin e punimeve për këtë bulevard.

“Nuk ka ngecje në procedurën për bulevardin “Blagoja Toska”, ne kemi përfunduar procesin e pagesave. Është një rast i cili është në procedurë gjyqësore, nga të gjitha vetëm njëra është në procedurë gjyqësore. Nga njëra presim përgjigjen e fundit nga Avokati i Shtetit dhe atëherë do të kemi trase të pastërt, pra do t’a pastrojmë trasenë, në ndërkohë presim edhe përgatitjet për fillimin e punimeve”.

Qeveria e RMV-së, komunës së Tetovës i ka ndarë më shumë se 30 milionë denarë për këtë bulevard

Fillimisht, me 26 nëntor të këtij viti, Qeveria e RMV-së i ndau komunës së Tetovës 26,5 milionë denarë për rekonstruimin e bulevardit “Blagoja Toska”.

Atëherë, nga komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se mjetet do t’i shfrytëzojnë për shpronësimin e objekteve të cilat pengojnë hapjen e këtij bulevardi.

“Me rebalancin e buxhetit Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë gjithsej 29 milionë e gjysmë denarë për këtë, këto mjete do të shfrytëzohen për shpronësimin e objekteve” thanë nga Komuna e Tetovës.

Rreth 1 muaj më vonë, me datë 27 dhjetor nga Qeveria e RMV-së sërish ndau mjete për bulevardin “Blagoja Toska” në Tetovë, kësaj radhe rreth 1 milion denarë, por këto mjete do të shfrytëzohen edhe për disa projekte tjera të vogla.

Hapja e këtij bulevardi premtohet nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi nga mandati i parë i kësaj të fundit, edhe atë nga viti 2013 ndërkaq ky premtim ende nuk është realizuar. Portalb.mk disa muaj më herët përgatiti “maratonën” e premtimeve shtatëvjeçare të Teuta Arifit për këtë bulevard.

Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, vetura, baltë, papastërti, përdorues të drogës, por jo edhe automjete për ndërtim. Hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button