Vidinovski: faza e parë e regjistrimit në RMV është kryer me sukses

Aleksandar Vidinovski, zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut në konferencë për shtyp tha sot se regjistrimi në institucionet korrektuese dhe burgjet po zhvillohet me sukses dhe se asnjë person nuk ishte raportuar i infektuar me koronavirus (COVID-19) gjatë regjistrimit, shkruan Portalb.mk.

Sipas tij, faza e parë e regjistrimit është kryer me sukses. Ai tha se që nga 15 marsi, regjistrimi i popullsisë në misionet diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë së Veriut jashtë vendit dhe familjet e tyre ka përfunduar.

Zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha u përqendrua vetëm në regjistrimin e popullsisë nga diaspora.

“Procesi po zhvillohet pa probleme. Janë hequr të gjitha gabimet teknike që u paraqitën në fillim të procesit. Jemi të kënaqur nga jehona e qytetarëve të regjistruar dhe njëkohësisht sigurojmë se si Qeveri mbetemi të përkushtuar për realizim të suksesshëm të këtij operacioni statistikor”, tha Hoxha.

Ai informoi deri më sot nga diaspora gjithsej janë regjistruar mbi 82 mijë qytetarë.

Sipas zëdhënësit, numri më i madh i qytetarëve të regjistruar është në Zvicër mbi 26 mijë, më pas vijon Gjermania me rreth 19 mijë dhe Italia ku janë vetë-regjistruar mbi 10 mijë persona.

Zëdhënësi Hoxha edhe një herë i bëri thirrje diasporës që të marrë pjesë në mënyrë aktive në realizimin e regjistrimit i cili do të zgjasë deri më 21 prill të vitit 2021.

Jasmina Gjorgjieva, foto nga Qeveria e Maqedonisë

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve rreth bojkotit të heshtur të regjistrimit në diasporë dhe në vend, Jasmina Gjorgjieva, zëdhënëse e Entit shtetërorë për statistika tha se bojkoti i heshtur i diasporës u ndie nga të gjitha thirrjet nga populli, por ditët e fundit narrativi ka ndryshuar dhe se ata thirrnin në bojkot tani thirrin në regjistrim.

Lidhur me sigurinë e qytetarëve kur regjistruesit arrijnë në shtëpitë e tyre, zëdhënësja Gjorgjieva tha se çdo regjistrues do të ketë për detyrë të dezinfektohet para se të vizitojë një amvisëri të re.

“Sipas protokollit, secili regjistrues do të udhëzohet, gjegjësisht do të ketë për detyrë të dezinfektohet para se të hyjë në secilën amvisëri, që do të thotë se duhet të vendosë maskë, të dezinfektojë duart, laptopin dhe pastaj të hyjë në amvisërinë tuaj. Kur të largohet nga shtëpia juaj, ai duhet të bëjë të njëjtën gjë”, theksoi Gjorgjieva.

Arsovski dhe Hoxha, foto nga Qeveria e Maqedonisë

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski tha se institucionet kanë kapacitet dhe garantojnë zbatimin e regjistrimit në pajtim me të gjitha protokollet shëndetësore dhe se qytetarët do të jenë të mbrojtur.

Lidhur me pyetjen se kush mund të marrë vendim ose rekomandim për anulimin e regjistrimit, zëdhënësi Arsovski tha se të gjitha aktivitetet zhvillohen në drejtim të asaj se Regjistrimi do të zbatohet dhe se absolutisht do të ndiqen rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse.

Regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në periudhën prej datës 1 deri më 21 prill të vitit 2021. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button