Zaev: Nuk do të ketë emocione ndaj asnjërit, askujt nuk i kam borxh gjë

Borxhin e vetëm që e pranoj është borxhi ndaj qytetarëve për të realizuar premtimet. Këtu është pika prej nga fillon mënyra e re e punës, paralajmëron kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev në programin “Politikë e re”. Tërheqje e vijës, reformë serioze të ofertës së deritanishme të kuadrove të LSDM-së, kthim të besimit në shtetin juridik, paralajmërimi i fundit për të gjithë ata që do të shkelin ligjet… Të gjitha këto premtime mund të lexohen në programin “Politikë e re-LSDM e para në ndryshimet”, me të cilën Zaev më 21 mars do të kërkojë mandat të ri lideri në zgjedhje të drejtpërdrejta brenda partiake, shkruan DW, transmeton Portalb.mk. Programi është publikuar në formë integrale dhe në dispozicion të opinionit në internet faqen e LSDM-së.

“LSDM i ka mangësitë e veta, bën edhe gabime, por asnjëherë nuk ka devijuar nga binaret strategjike”, thuhet në program, por edhe që partia ka demonstruar kapacitet të brendshëm për t’u ndryshuar, ka hequr dorë nga shprehitë e vjetra të gabuara, ka filluar t’i dëgjojë qytetarët, të pranojë kritikë, të korrigjohet. Sipas Zaevit, kjo megjithatë nuk mjafton.

“Këtu e tërheq vijën! Kishim mjaft kohë si individë të demonstrojmë çfarë dimë dhe sa jemi të gatshëm për sfidat për reformat e brendshme. Kemi bërë shumë, por kjo nuk mjafton. Qytetarët me të drejtë na kritikojnë në disa segmente. Të gjithë ata të cilët me mua e kaluan rrugën me gjemba dhe shumë të lodhshme si opozitë, fituan mundësi të dëshmohen në mënyra të ndryshme në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal. Disa punojnë shumë, disa mund të bëjnë ende, mirëpo disa dështuan. Prej tani paralajmëroj, nëse shumica e anëtarëve të LSDM-së vendosin unë ta udhëheq partinë, nuk do të ketë më emocione ndaj asnjërit. Konsideroj që asnjërit nuk i kam borxh. Borxhi i vetëm që e pranoj është ai ndaj qytetarëve për realizim efikas të premtimeve. Dhe këtu është pika nga e cila fillon mënyra e re e punës, kjo është pika nga e cila e paralajmëroj iniciativën e pranverës”, thotë Zaev, në paralajmërimin e ndryshimit të ri në veprimin politik të LSDM-së.

Zoran Zaev

 “Libreza e anëtarësisë nuk e mbron askënd”

Ky qëllim nënkupton ndryshime në pesë pika kyçe: reformë serioze të ofertës së deritanishme kadrovike të LSDM-së, avancim i demokracisë brendapartiake, ngritje të motivimit të qytetarëve, thirrje për të rinjtë për ndërtim të një LSDM-je të re – të dominuar nga gjenerata të reja, dhe thellim të luftës së nisur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.“Nuk ka të privilegjuar dhe të mbrojtur.

Libreza e anëtarësisë së LSDM-së nuk e mbron asnjërin nga asgjë, e në veçanti jo nga ligjet. Të gjithë jemi të barabartë para ligjeve, duke filluar nga lideri i LSDM-së, si i pari ndër të barabartit. Drejtësi patjetër të ketë, secili që ka gabuar ose do të gabojë para ligjeve, do të përgjigjet në procedurë të drejtë gjyqësore. Dhe fillimi i secilës procedurë të tillë, nuk do të nënkuptojë luftë me oponentët, as pastrim të konflikteve eventuale brenda partisë duke përfshirë edhe luftën për avancim, por funksionim të plotë dhe pa diskriminim të shtetit juridik.

Dëmet e regjimit të mëparshëm nuk janë vetëm materiale, por edhe në shpirtin e qytetarit që më nuk beson se mund të ekzistojë luftë e vërtetë kundër korrupsionit. Ne do ta kthejmë atë besim. Ne e nisëm mandatin pikërisht me atë shpresë dhe në asnjë moment nuk e kemi harruar këtë. Drejtësi do të ketë dhe këtë e them si paralajmërimi i fundit për të gjithë ata që do të gabojnë para ligjit dhe të mos mendojë dikush që do të jetë e mundur të bëhet përjashtim nga ai rregull”, thuhet në programin e Zaevit.

Demonstro me vepër!

Hic Rhodus, hic salta –sugjeron në opinion kritik, veçanërisht që paralajmërimet e këtilla vijnë në periudhë kur janë shtuar kritikat ndaj LSDM-së, lideri i partisë dhe funksionarë të tjerë – për korrupsion, por edhe sjellje joadekuate në kohë krize. Ndërsa Zaev në program pohon që LSDM nuk është klub elite dhe premton luftë jo selektive kundër korrupsionit, në fоkus të opinionit është procedura e ish sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, i cili ka blerë softuer për kundërvajtje në komunikacion, të cilin nuk e përdor asnjë institucion. Kur të mbahen zgjedhjet e brendshme partiake në LSDM, Rashkovski do ta shfrytëzojë gjysmën e dytë të pushimit dyjavësh në Meksikë.

Dragi Rashkovski
Dragi Rashkovski

Në pyetjen nëse do të kërkojë dorëheqje nga Rashkovski, i cili tani është sekretar i angazhuar për monitorim të realizimit të programit qeveritar dhe të projekteve strategjike, kryeministri Zaev dje tha që nuk duhet të jetë i akuzuar secili që ka patentuar ndonjë sistem dhe e ka dhënë atë falas për ta përdorur vendi i vet.

Përgjigja çudit, nëse merret parasysh që Rashkovski pohonte që nuk ka lidhje apo korrelacion ndërmjet ideve të tij të patentuara dhe softuerit të blerë.

Kryeministri, deklaroi që pret organet kompetente ta hetojnë rastin, mirëpo theksoi që ai personalisht e ka kontrolluar procedurën.

“Pres që cili do nga institucionet kompetente të zbatojë kontroll, si KSHPK, prokuroria përkatëse, lexova që një nga prokuroritë publike udhëzon që MPB-ja të hetojë, lirisht le të hetojnë, për shkak se unë personalisht e kam kontrolluar, procedura është krejtësisht e ligjshme dhe është blerë softuer në bazë të konkurrencës, ku nga 8 milionë që janë paraparë në buxhet, 5 milionë denarë janë shpenzuar për blerje të softuerit të tillë i cili ka aplikim shumë-funksional dhe është në dispozicion. Apeloj që secili institucion kompetent, që ekziston në shtet, ta kontrollojë ligjshmërinë e procedurës të bëjë konkretisht të kontrollojë dhe të parashtrojë raport. Unë si kryetar i Qeverisë, të cilin e kam emëruar për një nga sekretarët në kabinetin tim, do të veproj drejtpërsëdrejti nëse ka çfarë do shkelje të ligjit”, tha Zaev. 

Nën vëzhgim të KSHPK-së

Për momentin, në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK) në fazë fillestare është procedura për kontroll të konstatimeve për prokurim të softuerit nga ana e Rashkovskit. Nga Komisioni thonë që janë parashtruar kërkesa për informata dhe dokumente në MPB, Regjistrin qendror, Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë, Entin Shtetëror për Pronësi Industriale, ndërkaq nëse shfaqet nevoja do të kërkohen edhe nga institucione tjera.

Ndërsa deri ku janë procedurat për lëndë më të vjetra për Rashkovski? Sipas kryetares së KSHPK-së, lënda për Rashkovskin i cili është i përfshirë në blerjen e M-Nav është përpunuar në pjesë të madhe, përkatësisht 90% është përfunduar. “Punët e papërfunduara që na ngelën për shkak të mënyrës së ndryshuar të punës në kohë të krizës shëndetësore, së shpejti do të përfundojnë, më pas rezultatet do t’i komunikojmë në opinion”, premton Biljana Ivanovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button