Rregullatori evropian mori vendim për vaksinën e AstraZenecas, menjëherë dy shtetet baltike vendosin të rifillojnë përdorimin

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë të enjten se përdorimi i vaksinës kundër koronavirusit, nga kompania AstraZeneca, është i sigurt, pavarësisht raportimeve për trashje gjaku, raporton REL, ndërkohë Lituania dhe Letonia kanë filluar rivaksinimin e tyre me këtë lloj të vaksinës.

Sipas kësaj agjencie, përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet. Lajmin për efektin dhe sigurinë e vaksinës, e ka dhënë drejtorja e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve Emer Cooke, pas një takimi të gjatë në Komisionin për vlerësimin e rrezikut, që funksionon në kuadër të kësaj agjencie.

Sipas njoftimit, në takim kanë marrë pjesë edhe ekspertët kombëtarë të vendeve anëtare. Ajo ka thënë se nuk duhet harruar faktin që mijëra njerëz në ditë po vdesin në Evropë, si pasojë e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, dhe se vaksinimi është mënyrë e domosdoshme për të fituar betejën me pandeminë.

Shefja e rregullatorit evropian ka thënë se janë analizuar në hollësi rastet e raportuara të trashjes së gjakut te personat e vaksinuar, por nuk janë gjetur dëshmi se ato mund të lidhen me vaksinat.

Megjithatë, agjencia ka thënë se do të vazhdojë të studiojë lidhjet në mes të trashjes së gjakut dhe vaksinës. Këto gjetje janë bërë publike pasi 13 shtete kanë pezulluar dhënien e vaksinës. Pezullimi i vaksinimit është bërë edhe nga vendet si Franca dhe Gjermania.

Ekspertët kanë thënë edhe më herët se numri i incidenteve me trashje gjaku, në mesin e të vaksinuarve, nuk është më i madh sesa te njerëzit e pavaksinuar në kushte normale. Vaksinat e AstraZenencas janë preferuar më shumë nga disa shtete për shkak të çmimit të lirë në treg.

Dyshimet për pasojat nga vaksina e AstraZenencas nuk janë të vetmet probleme që Bashkimi Evropian ka me këtë prodhues. Që në fazën e parë të furnizimit me këtë vaksinë, ka pasur vonesa të mëdha në shpërndarjen e tyre, dhe ato vonesa pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

AstraZeneca fillimisht kishte marrë obligim që për vendet e BE-së të shpërndajë 90 milionë doza në tremujorin e parë të këtij viti, pastaj e kishte zvogëluar këtë shifër në 40 milionë doza. Deri më tani kjo kompani ka dërguar në bllokun evropian vetëm rreth 11 milionë doza.

Për BE-në, procesi i vaksinimit është tejet i rëndësishëm me të gjitha vaksinat e miratuara nga rregullatori evropian. Nga ky proces do të varet ritmi i infektimeve të reja dhe udhëtimi i lirë gjatë verës.

Pikërisht për këtë arsye, Komisioni Evropian ka propozuar të ashtuquajturat “pasaportat e gjelbra digjitale” për të lehtësuar udhëtimin e atyre që janë vaksinuar, kanë test negativ apo kanë vërtetim se e kanë mposhtur sëmundjen COVID-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje të enjten për vazhdim të përdorimit të vaksinës. Vetë OBSH-ja pritet të publikojë rezultatet e kërkimeve të veta për sigurinë e kësaj vaksine, të premten. Ndonëse Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit, ky vend pritet të furnizohet fillimisht me këto vaksina.

Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj. Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ndryshe, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe siguron që vaksinat kundër kovid-19 që duhet të arrijnë në vend do të jenë të sigurta. Ai në konferencën e sotme për shtyp, foli për dilemat që janë hapur rreth vaksinës së prodhuesit “AstraZeneka”, për të cilën tha se do të priten rekomandimet zyrtare të Agjencisë Evropiane të Mjekësisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button