Instant-shkenca

Të merresh me shkencë nuk është gjë e lehtë. Të shkruash një punim shkencor do të thotë të mbash përgjegjësi për secilën fjalë të shkruar. Kjo është në fakt një punë shumë kërkuese dhe detajore. Ata që kanë qenë në proces të botimit të punimeve të tyre në revista prestigjioze e dine më së miri këtë. Ka raste kur në një punim punohet vite me radhë, një vit, dy vite, tre vite, dhe në fund sërish punimi mund të mos jetë në nivelin e duhur për publikim. Kriteret ashpërsohen çdo vit e më shumë ndërsa depërtimi për publikim në revista relevante bëhet gjithnjë e më i vështirë, ndonjëherë edhe i pamundur.

Natyra e publikimeve shkencore po ashtu dallon shumë mes disiplinave të ndryshme. Disiplinat e shkencave natyrore studiojnë fenomene të cilat u nënshtrohen ligjeve të njëjta në gjithë botën. Prandaj në këtë sferë, punimet kualitative dhe inovative janë të kërkuara dhe kanë vizibilitet të madh ndërkombëtar kur botohen në vendet e duhura. Në shkencat sociale nuk është e njëjta gjë. Aty ligjshmëritë e shkencave shoqërore u nënshtrohen ligjeve të ndryshme varësisht nga rajoni dhe sistemi juridik vendas. Kështu depërtimi në revista prestigjioze botërore të kësaj sfere bëhet shpesh herë i pamundur.

Duke pasur parasysh këto zhvillime, në botën e sotme ka një sferë të veçantë botimesh të nxitura nga revista të cilat botërisht njihen si revista predatore. Ky është një fenomen mjaft i përhapur që e bën pseudo-shkencën të pretendojë të duket si shkencë e vërtetë. Bëhet fjalë për një formë të komercializuar të keqpërdorimit të idesë për botime shkencore duke krijuar revista të cilat për një çmim të caktuar do të botojnë gjithçka dhe do ta quajnë këtë një punim shkencor. Janë këto procese botimi pa asnjë formë të recenzimit, pa asnjë kriter të përcaktuar dhe pa asnjë kontrollë për plagjiaturë.

Thjeshtë, një çmim i vendosur dhe një person që është i gatshëm për ta paguar atë çmim me qëllim të botimit të diçkaje që më pas ai/ajo do ta quajë punim shkencor. Është e tmerrshme të shihet se si ky fenomen ka kapluar botën, veçanërisht vendet në zhvillim, të cilat duan të jenë në hap me zhvillimet ndërkombëtare dhe të krijojnë institucione të arsimit të lartë që do të jenë disi të dukshme në rangimet ndërkombëtare. Kjo është një industri e tërë e instant-shkencës. Ka konferenca komerciale ku sot dërgon abstrakt ndërsa nesër të informojnë që të është pranuar i njëjti dhe pas pagesës së kotizimit do marësh edhe çertifikatën. Revista “shkencore” ku sapo dërgon punimin të dërgohen detajet e pagesës që duhet ti bësh në mënyrë që publikimi të realizohet me shpejtësinë e dritës dhe sipas parimit “Jep paret, kap somunin”. Këto “revista” zakonisht botohen jo një apo dy herë në vit, si që është e zakonshme të botohen revistat shkencore, por shpesh herë edhe çdo muaj, dhe ç’është më e keqja, të njejtat numërojnë me mijëra faqe në një numër të vetëm, gjë që tregon gjithçka që predatorët janë në gjendje të bëjnë për të siguruar para të lehta, si dhe gjithçka që disa “shkencëtarë” janë në gjendje të bëjnë për të sigurar botime të lehta duke dhënë para.

Në të kaluarën, revistat predatore kishin mundësi më të mëdha për të mashtruar edhe persona të cilët në mënyrë serioze i janë qasur hulumtimit shkencor dhe punës akademike. Shpesh herë këto revista predatore maskonin veten me të njejtat tituj si edhe revistat origjinale, publikimi në të cilat është një proces i mundimshëm dhe shumë serioz. Duke keqpërdorur emrin e këtyre të fundit, revistat predatore mashtruan shumë të pafajshëm të cilët në fillim nuk arrinin t’i dallojnë shenjat e tyre.

Por kjo ishte në fillim. Tani është ndryshe. Tani çdo universitet serioz promovon një sërë rregullash për të detektuar revistat predatore. Dhe në fakt nuk është shumë e vështirë ti detektosh ato, sepse të njejtat kanë shenja të përbashkëta të dallueshme, apo siç do i quante Lobrozo “stigma kriminale”. Disa shenja të tilla janë: revista të kontakton vet përmes emailit për të të ofruar botimin e artikullit tënd të fundit të prezantuar në konferencën e fakultetit (të jemi të sinqertë, asnjë revistë serioze nuk i rekruton në këtë mënyrë autorët që do kishin dashur të publikojnë tek ata; procesi është i anasjellët dhe vet autori mbytet në punë deri sa arin të botojë në punim serioz në një revistë serioze), revista nuk ka seli të qartë dhe as nuk lidhet me një universitet real, por mund të menaxhohet nga ndonjë “organizatë” tërësisht obskure dhe jotransparente, procedura e recenzimit nuk është e njohur dhe as e qartë, bordi i editorëve përfshin emra tërësisht të panjohur nga vende në zhvillim të cilët nuk kanë asnjë lloj lidhshmërie ndërmjet vete, revista botohet në më shumë numra brenda vitit dhe secili numër ka numër të madh faqesh, dhe ajo më e rëndësishmja, botimi në këto revista kërkon kotizim të lartë pa pagesën e të cilit punimi nuk meret fare parasysh.

Në ditët e sotme ofertat për të botuar në këto lloj revistash janë lehtësisht të dallueshme dhe nuk duhet të paraqisin problem identifikimi për dikë që ka logjikë të shëndoshë. Mund të jetë diçka e vështirë arritja e botimit të punimeve kualitative por jo edhe e paarritshme. Në trevat tona ne kemi shkencëtarë hulumtimet dhe publikimet e të cilëve mund ti kenë lakmi edhe shkencëtaret nga vendet e pasura dhe me shumë fonde për hulumtim. Të tillët duhet të stimulohen, motivohen dhe përkrahen. Shkenca në parim duhet të ndihmojë në zbulimin e së vërtetës. Nëse një hulumtim nuk e tregon gjendjen reale por diçka komplet tjetër, atëherë kjo nuk është më shkencë dhe diçka e tillë thërret për veprim urgjent institucional.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button