Pas pushimit në lokacion të “fshehtë”, Lupço Nikollovski është kthyer sot në punë

Zëvendëskryeministri Lupço Nikollovski sot i është kthyer obligimeve të punës, pas mungesës disa ditore e cila nxiti spekulime se ai ka shkuar Dubai për fundjavë të vazhduar. Informatat për udhëtimin e pretenduar të Nikollovski u ndërlidhën me lajmin se edhe ish sekretari i Qeverisë, Dragi Rashkovski është në pushim në Meksinë, në periudhë kur po qarkullon afera për furnizimin e softuerit për shkelje ligjore në trafik, transmeton Portalb.mk.

Nga Qeveria edhe pse konfirmuan se, zëvendëskryeministri gjatë tre ditët e kaluara të punës ka qenë në pushim, nuk e kanë zbuluar destinacionin ku ka udhëtuar, ashtu siç nuk kanë përgënjeshtruar informatat se ka qenë në Dubai.

“Zëvendësi i kryetarit të Qeverisë i obliguar për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillim të qëndrueshme dhe resurse njerëzore, Lupço Nikollovski, në pajtueshmëri me ligjin për raporte pune, për arsye private, ka shfrytëzuar pushimin e vitit 2020, në kohëzgjatje prej tre ditësh, përfshirë ditën e sotme. Nikollovski nga sot i kthehet obligimeve të tija të punës”, informuan nga kabineti i Nikollovskit.

Edhe Nikollovski deklaroi për 360 shkallë se ka shfrytëzuar tre ditë pushim për siç tha, nevoja private.

“Nga sot vazhdoj me angazhimet edhe në Qeveri edhe në LSDM”, tha ai.

Nga VMRO – DPMNE akuzojnë se Nikollovski, si dhe ish sekretari gjeneral i Qeverisë, Rashkovski kanë shpërblyer veten e tyre me pushim në Dubaj dhe Meksikë, ndërsa siç thanë nga kjo parti, “populli po vdes nga uria, më shumë se gjysmë milion qytetarë jetojnë me nën 2 euro në ditë, 55,000 kanë humbur vendet e tyre të punës, ndërsa 6,200 kompani janë mbyllur.

Rashkovski mbrëmë konfirmoi se është në Meksikë me bashkëshorten, ku do të qëndrojnë deri në fund të këtij muaji, përkatësisht 15 ditë.

Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së Brane Petrushevski, Rashkovski ka tejkaluar Nikollovskin në aspektin e shkëlqimit dhe glamurit. Ai tha se nga ajo që shihet në ueb faqet e internetit për booking dhe agjenci turistike, një pushim në Meksikë në këtë periudhë të vitit, me vendosje në hotel dhe bileta të aeroplanit kushton diku rreth 20,000 euro. Ndërsa, një pushim në Dubai rreth 10,000 euro.

“Vetëm pushimi i Rashkovski kushton sa 200 vauçerë për turizëm apo 200 pushime të një qytetari mesatar të Maqedonisë. Dy persona të lartë të Zaevit harxhojnë për pushime tekstualisht sa një banesë. Për një javë edhe ata do të harxhojnë para, sa është e nevojshme për sigurimin e një shtëpie për ndonjë familje që nuk ka kulm mbi kokë”, tha Petrushevski.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot nuk kishte koment për atë që Rashkovski ka shkuar në pushim në Meksikë, as për pretendimet e opozitës se Nikollovski është në pushim në Dubai. Megjithatë, ai tha se funksionarët qeveritar nuk kanë nevojë të shkojnë në karantinë pasi të kthehen në vend, sepse nuk janë në Afrikë. Po ashtu, ai theksoi se nuk është rrezikuar puna e Qeverisë në pjesën e menaxhimit të krizës.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev tha se, ai nuk mund ta di se ku janë të gjithë të punësuarit në Qeveri dhe vlerësoi se çdokush ka të drejtë për pushim.

Sipas portalit “Netpress”, së bashku me Nikollovskin dhe bashkëshorten e tij në Dubaj ka qenë edhe drejtori i TEC Negotinë, Nebojsha Stankoviq, po ashtu me bashkëshorten e tij. Sipas këtij lajmi, ata kanë udhëtuar me veturë në Beograd dhe prej aty kanë fluturuar për në Dubaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button