Skandali me plagjiatet në Universitetin e Tetovës, kush po akuzon kë?

Në emailin e redaksisë së Portalb.mk, të martën (16 mars) ka arritur një dokument (PDF) i cili është nënshkruar se është bërë nga “hulumtuesit e Iniciativës për Përmirësimin e Kualitetit në Arsimin e Lartë (NIRCAU)” dhe që mban emrin “Revista Veritas”. Në të, thuhet se disa profesorë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, titullin e tyre e kanë marrë në mënyrë jo të ligjshme, gjegjësisht duke vjedhur punime nga të tjerët pa i cituar ata si dhe dy prej tyre, kanë arritur të bëhen profesorë duke mos e respektuar Ligjin për Arsim të Lartë.

Çfarë dimë për NIRCAU?

Redaksia fillimisht jonë vendosi të kontaktojë me autorët e këtij punimi. Dokumenti është dërguar nga personi “Dimitri Ivanov” posta elektronike e të cilit rezultoi se nuk është funksionale pasi e kontaktuam për më shumë detaje.

Emaili i parë i dërguar redaksisë
Emaili i dërguar redaksisë
Emaili i dytë i dërguar redaksisë

Më pas, në dokumentin e titulluar “Revista Veritas”, kemi vërejtur se uebfaqja http://www.nircau-rnm.org/ nuk është funksionale si dhe emaili i tyre [email protected] gjithashtu nuk funksionon.
Adresa në Tetovë nuk të çon askund sepse nuk ka numër, dhe është një nga rrugët më të gjata të Tetovës.
Kryeredaktori i revistës, Gafar Bajraktari është person i panjohur për botën akademike ndërkaq i kontaktuar nga Portalb.mk, në të vetmin email që ishte funksional, nuk kemi marrë përgjigje. 
Dokumenti i quajtur revistë nuk është publikuar në ndonjë uebsajt tjetër, dhe nuk ka lidhje me revistën “Veritas” nga Shqipëria, na konfirmuan nga redaksia e tyre.
Dokumentin e ka publikuar portali in7. “Hulumtuesit” janë të panjohur, në këtë rast janë vetëm me iniciale.

Ata shkruajnë se kanë hulumtuar disa muaj për “pandershmërinë akademike” në UT si dhe që rektorati është njoftuar.

“Deri tani deri te rektorati kemi dërguar një sërë ankesash për vjedhje të punimeve intelektuale nga profesorë doktorant të këtij fakulteti, të cilët në mënyrë të pamerituar kanë përparuar karijerën e tyre akademike. Nga atje nuk kemi asnjë përgjigje” shkruajnë nga NIRCAU.

Nga ana tjetër Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Nevzat Elezi për Portalb.mk potencoi se këta hulumtues është dashur që të dhënat fillimisht t’i dorëzojnë në rektoratin e UT-së apo në Prokurorinë Publike dhe jo në media.

Nevzat Elezi, dekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Nevzat Elezi, dekan i Fakultetit të Mjekësisë.

“Nuk është e nevojshme që direkt të shkohet me tituj pompoz nga ana e mediave, skandalet e tilla duhet të mbulohen me argumente. Hulumtuesit duhet ta dinë se ka adresë, që është UT-ja, është prokuroria, këto çështje duhet të zgjidhen kështu dhe jo përmes mediave”

Ai tha se tre prej persona të përmendur për plagjiaturë ende kanë një semestër pa përfunduar.

“Nuk do kisha thënë se bëhet fjalë për plagjiaturë, prej tyre ka edhe kandidatë të mi të cilët kanë edhe një semestër për të prezantuar temën e diplomës dhe para se të dorëzohet në këshillin mësimor shkencor, mentori duhet ta fus në kontroll për plagjiaturë” shprehet Elezi.

Kush janë profesorët e akuzuar?

Familja Beadini

Babë, nënë dhe bijë dyshohet se janë kapur nga NIRCAU që thonë se kanë vjedhur thuajse tërësisht punimet e tyre shkencore, të cilat pastaj i kanë përvetësuar dhe kanë arritur në postet ku janë në Fakultetin e Mjekësisë.

Nexhbedin Beadini është nga fshati Kamjan i Tetovës dhe aktualisht i punësuar si profesor i biologjisë së qelizës dhe gjenetikës humane, në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës. Tre punime të tij, sipas NIRCAU, kanë rezultuar të jenë plagjiaturë.

Sheqibe Beadini është bashkëshortja e të lartpërmendurit, ajo është aktualisht e punësuar si profesoreshë e Biokimisë dhe Fiziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Tetovës, punimi i saj, sipas hulumtimit të NIRCAU, ka rezultuar gati tërësisht plagjiaturë.

Albulena Beadini është e bija e të dy personave të lartpërmendur, e njëjta është aktualisht e punësuar si asistente në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Tetovës, punimi i saj, sipas NIRCAU, ka rezultuar 100% plagjiaturë, gjegjësisht, kjo e fundit ka ndryshuar punimit vetëm emrin e shtetit nga ku e ka vjedhur punimin.

Emira Bexheti është gjithashtu e punësuar në Fakultetin e Mjeksësisë në UT, kjo e fundit ligjëron gjenetike humane dhe biologji të qelizës si asistente. Raporti i “NIRCAU” ka vlerësuar punimin e saj shkencor si të vjedhur, gjegjësisht, plagjiaturë.

Familja Bexheti

Mirlind Bexheti ishte i punësuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës, ai është asistent i lëndës Farmakologji. Sipas NIRCAU, i njëjti ka vjedhur punimin shkencor dhe më pas e ka prezantuar si të tijin. Portalb.mk mëson se ky i fundit aktualisht nuk është duke punuar në UT.

Nasir Bexheti është prindi  i plagjiatorit të lartpërmendur, ky i fundit sipas “NIRCAU” nuk i plotëson kushtet për titullin shkencor të cilin e posedon. Sipas këtij hulumtimi, ky person nuk i plotëson kriteret e kërkuara nga Ligjin për Arsimin e Lartë në RMV. Këto kushte janë të shpjeguara në këtë studim. Ai ligjëron anatoni 1 dhe 3.

Destan Haliti është i punësuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës si asistent i neurologjisë, sipas NIRCAU, punimi shkencor “i tij” realisht ka rezultuar të jetë plagjiaturë.

Ekrem Ismani gjithashtu i punësuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë UT-së, ai ligjëron Transfuziologji dhe Patofiziologji, punimi i tij gjithashtu ka rezultuar të jetë plagjiaturë, sipas NIRCAU.

Qenan Ferati, sipas NIRCAU, ky person i punësuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës në këtë vend të punës ka arritur duke mos i plotësuar kriteret e kërkuara ligjore.

Portalb.mk ka kërkuar dhe pret përgjigje nga gjithë të akuzuarit për plagjiaturë dhe për arritje në vendin e punës duke mos repsketuar Ligjin për Arsim të Lartë.
Gjithashtu kemi kërkuar dhe përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ndryshe, Portalb.mk alarmoi disa muaj më herët për fenomenin e shit-blerjes të tezave të punimeve shkencore

Mbi 13.413 shpallje për shit-blerje të tezave të magjistraturës dhe baçelorit janë aktive aktualisht në një nga faqet që merret me tregti në Maqedoninë e Veriut, çmimet dallojnë varësisht prej kërkesës, edhe atë deri në 500 euro, e në qoftë se je me fat, magjistër i shkencave mund të bëhesh për vetëm 150 euro. Asnjë nga këto mijëra shpallje nuk i ka rënë në sy inspektorëve të Arsimit në vend, një gjë e tillë nuk rregullohet as me ligjet pozitive në vend ndërkaq shoqëria civile dhe njohësit e Arsimit, alarmuan se kjo situatë mund të na çoje deri në degradimin total të arsimit në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button