Filipçe: Për vaksinën “AstraZeneka” do të priten rekomandimet zyrtare të Agjencisë Evropiane të Mjekësisë

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe siguron që vaksinat kundër kovid-19 që duhet të arrijnë në vend do të jenë të sigurta. Ai në konferencën e sotme për shtyp, foli për dilemat që janë hapur rreth vaksinës së prodhuesit “AstraZeneka”, për të cilën tha se do të priten rekomandimet zyrtare të Agjencisë Evropiane të Mjekësisë, transmeton Portalb.mk.

“Të gjithë ekspertët nga ekipi ynë po i monitorojnë të gjitha efektet anësore të vaksinës AstraZeneka dhe vendimet e agjencive kombëtare të ilaçeve, ndërsa ne do të udhëhiqemi nga vendimet zyrtare si të Agjencisë evropiane të Mjekësisë ashtu edhe nga prodhuesi”, tha Filipçe dhe shtoi se vendi do t’i ndjekë edhe rekomandimet e Komitetit amë të Imunizimit, i cili monitoron të gjithë procesin e vaksinës.

Filipçe tha se deri në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit tjetër pritet që përmes mekanizmit Kovax të arrijë dërgesa e parë e vaksinave me rreth 100 mijë doza.

I pyetur pse marrëveshja me “Pfizerin” po vonohet kaq shumë, ai tha se dorëzimi është vonuar në të gjitha vendet e botës, pasi kompania ngre nivelin e sigurisë dhe kërkon dokumente shtesë.

“Kompania Pfizer ngre nivelin e vigjilencës në lidhje me të gjitha vendet me të cilat negocion dhe kërkon kritere më të rrepta, veçanërisht në fushën e sigurisë. Ne sot nga ata duhet ta marrim atë dokument në lidhje me atë se çfarë saktësisht do të kërkojnë. Por, këto masa vlejnë praktikisht për të gjitha vendet në botë dhe kjo është ndoshta arsyeja pse detajet e kësaj marrëveshjeje po priten për kaq gjatë”, tha Filipçe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button