ËNDRRA E KALORËSIT

Piktori italian i Renesancës, Raffaello Sanzio (1483 – 1520), renditet për nga lavdia përkrah Mikelanxhelos dhe Leonardo da Vinçit.

Arti i tij, ku ndërthuren edhe elemente të mitologjisë, është i menduar deri në detajin më të imët, ashtu si çdo art gjenial.

Rafaeli ka krijuar edhe një pikturë të thjeshtë dhe gjeniale që përmendet më rrallë. Quhet “Ëndrra e kalorësit”.

Në këtë pikturë paraqitet një kalorës që fle nën dafinë. Në fakt, ai ëndërron se është duke zgjedhur ndërmjet detyrës dhe pasionit.

Dafina, si simbol i fitores dhe lavdisë, gjendet në mes dhe e ndan pikturën në dy pjesë simetrike.

Në anën e majtë të pikturës është gruaja që në njërën dorë e ka librin (artin, dijen), kurse në dorën tjetër e ka shpatën (artin ushtarak, veprimin).

Në anën e djathtë të pikturës është gruaja që i ofron kalorësit një lule – simbolin e dashurisë, pasionit.

Për pikturën ka interpretime të shumta. Studiuesit thonë se, pasi dy figurat janë në të njëjtën largësi, piktori nuk ka preferencë se nga cila anë duhet të orientohet kalorësi. Ata thonë se virtyti dhe kënaqësia kanë gjasa të njëjta.

Megjithatë, ka një detaj në pikturë që na shtyn të mendojmë paksa më ndryshe. Koka e kalorësit, ku priten shikimet e dy grave, është e kthyer nga virtyti. Ndoshta sepse kalorësi është njeri i veprimit.

Kjo pikturë mund të “lexohet” ndryshe në kohë të ndryshme. Kalorësi, sipas idealeve estetike të klasicizmit, do t’i jepte përparësi detyrës mbi pasionin, ashtu sikurse ndodh në veprat e Kornejit dhe Rasinit.

Sipas qasjes së De Radës, te vepra Këngët e Milosaos, kalorësi, ashtu sikurse Milosao, do ta zgjidhte detyrën ndaj atdheut para pasionit, kurse sipas botëshikimit të Rinës, kalorësi do ta zgjidhte pasionin.

Sipas idealeve estetike të periudhave tjera, kalorësi që ëndërron mund t’i jepte përparësi personales kundrejt të përgjithshmes.

Kalorësi është njeri i veprimit. Si i tillë ai gjithsesi se do ta zgjidhte shpatën dhe librin e shenjtë, por kjo zgjedhje nuk e privon as nga e bukura, dashuria, sepse është njeri prej mishi e gjaku.

Virtyti dhe kënaqësia nuk vetëpërjashtohen, por mund të bashkëjetojnë brenda qenies njerëzore.

Njerëzit e veprimit duhet ta arrijnë baraspeshën ndërmjet personales dhe detyrës. Ndodh shpesh që ata, në emër të detyrës, i realizojnë vetëm pasionet personale. Prishja e këtij ekuilibri mund t’i bëjë të fuqishëm, por jo edhe të fisëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button