Zaev: Është e pandershme nëse nuk e pranoj që BE-ja na zhgënjeu me sigurimin e vaksinave për koronën

Në një intervistë për gazetën luksemburgase “Worth”, Kryeministri Zoran Zaev tha se vetoja e Bullgarisë për fillimin e negociatave të BE-së ishte një gjest mosmirënjohës, por që qeveria e tij ishte e përkushtuar për evropianizimin e vendit, transmeton Portalb.mk.

Në tekst, gazetari u referohet pengesave të shumta me të cilat përballet Maqedonia e Veriut për fillimin e negociatave, nga vetoja e Greqisë, bllokada e Francës dhe së fundmi, vitin e kaluar, vetoja e Bullgarisë për shkak të çështjeve bilaterale dhe pyet Kryeministrin nëse mund të ketë pasoja negative në mbështetjen e qytetarëve për BE-në.

“E saktë, është mosmirënjohëse që fqinji ynë, Bullgaria, na vuri veton në dhjetor 2020. Qëllimi kryesor është të zgjidhim dallimet historike në interpretimet midis Shkupit dhe Sofjes. Duhet të them se me një sjellje të tillë, BE nuk do të ekzistonte, evropianët shikuan të ardhmen, jo të kaluarën”, tha Zaev në intervistë.

Ai porosit se edhe në këtë çështje, me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, duhet të bëhet e njëjta gjë.

“Por mendoj se para qershorit akoma mund të gjejmë zgjidhje për veton bullgare. Kjo kërkon ndihmë nga pjesa tjetër e BE-së, e cila gjithashtu duhet të provojë se respekton vlerat e BE-së dhe se mosmarrëveshjet historike nuk duhet të jenë pengesë për të ardhmen e vendit”, tha kryeministri në intervistën Worth.

I pyetur në lidhje me shpërndarjen e vaksinave nga BE-ja, Zoran Zaev edhe në këtë pjesë pranon zhgënjimin e Maqedonisë së Veriut.

“Do të ishte e pandershme nëse nuk pranoj që BE-ja na zhgënjeu me prokurimin e vaksinave për koronën. Por, na thanë se në këtë moment është e pamundur që Unioni të ndajë vaksina”, tha kryeministri.

Ai sidoqoftë e falënderoi BE-në për ndihmën në fushën e kredive.

“Por po, mundeshim të mbështetemi në solidaritetin serb dhe tani gjithashtu porositëm doza nga Kina dhe Rusia”, tha Zoran Zaev.

Kryeministri sot vizitoi Luksemburgun, ku loboi për mbështetjen për hapjen zyrtare të negociatave me BE-në dhe tejkalimin e vetos nga Bullgaria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button