Abdixhiku për zgjedhjen e presidentit: Do të jemi konstruktiv

Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë konstruktive sa i takon çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit, tha të martën, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

“Do të punojmë për interesin e Republikës së Kosovës, dhe ky interes nënkupton që do të jemi konstruktiv, të jemi të afërt ndërmjet veti, duke i projektuar idetë tona, por njëkohësisht duke i shërbyer institucioneve të Republikës së Kosovës. Do të jemi konstruktiv, duke i mbrojtur idetë, pozicionet dhe idetë e LDK-së”, tha Abdixhiku, transmeton REL.

Gjatë një deklarate për media, pas homazheve në kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz, Abdixhiku po ashtu konfirmoi se të premten, do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin dhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Osmani dhe Kurti të hënën zhvilluan takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me formimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ndërkaq, të martën, po zhvillohen takime me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat partia e Kurtit shënoi fitore bindëse, për 22 mars është caktuar mbajtja e seancës konstituive të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Përveç konstituimit të kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë, deputetët duhet të zgjedhin edhe presidentin e ri të vendit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës zgjedhet nga kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit.

Nëse asnjëri kandidatë nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button