Borrel pajtohet se Ballkani Perëndimor duhet të kthehet në agjendën e BE-së, Osmani: Zgjidhja e kontestit me Bullgarinë nuk është kusht i BE-së

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrel, e ndanë qëndrimin e nëntë vendeve anëtare të Unionit të cilat më 5 mars të këtij viti, nëpërmjet një letre drejtuar zyrtarit të BE-së, kërkuan që Ballkani Perëndimor të kthehet në agjendën e BE-së në prill, pasi në dhjetor të vitit të kaluar u bllokuan konkluzionet për shkak të kontestit mes Shkupit dhe Sofjes, transmeton Portalb.mk.

Në dhjetorin e kaluar, BE për herë të parë në histori e përfundoi vitin pa asnjë konkluzion për Ballkanin Perëndimor, për shkak të pamundësisë që të gjendet kompromis me Bullgarinë rreth fjalorit në lidhje me “interpretimin e historisë”. Nga dhjetori deri më tani, Ballkani Perëndimor është tërësisht i përjashtuar nga diskutimet në Bruksel. Nëntë vendet anëtare, Austria, Kroacia, Çekia, Gjermani, Greqia, Irlanda, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, më 5 mars i dërguan letër Borrelit, me kërkesë që në këshillin e ardhshëm ministrin për punë të jashtme të BE-së në prill, rajoni të kthehet në rendin e ditës.

“BE dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet për Bashkimin Evropian, BE është partneri kryesor politik, ekonomik dhe tregtar i rajonit, ardhmëria e së cilit gjendet qartë në BE. Përfaqësuesi i lartë e ndan qëndrimin e shprehur në letrën e ministrave të punëve të jashtme për këtë çështje”, qëndron në përgjigjen e kabinetit të Borrelit për MIA-n.

Prej aty kanë shtuar se, shefi i diplomacisë është i gatshëm për bisedime me vendet anëtare të BE-së në temën për Ballkanin Perëndimor. Këshilli i ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së që është paraparë të mbahet më 19 prill, që do të jetë edhe pas zgjedhjeve në Bullgari, duke hapur mundësi që rajoni të kthehet në fokusin e BE-së.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha sot në përgjigjen për gazetarët se, nuk vlerëson se, zgjidhja e çështjeve kontestuese me Bullgarinë janë vënë si kusht i Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave për anëtarësim. Ai tha se, insistimi i eurokomesarit për zgjerim, Oliver Varheji që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, vjen për faktin se të gjitha vendimet në Union miratohen me konsensus dhe se përderisa nuk ka pajtueshmëri nga Bullgaria, procesi i negociatave nuk mund të fillojë.

“Politikat e zgjerimit në Këshillin Evropian miratohen me konsensus dhe përderisa nuk ka pajtueshmëri të njërit prej 27 vendeve anëtare procesi nuk mund të ecë përpara. Kështu që, përderisa Republika e Bullgarisë nuk jep pajtueshmëri për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjes së konferencës ndërqeveritare, ajo do të thotë se nuk ka konsensus dhe nuk mund të ecë përpara. Supozoj se në atë kontekst është vendosur çështja me Bullgarinë, jo si kusht i BE-së, sepse 26 vendet anëtare ishin për tekstin e kornizës negociuese muajve të kaluar dhe për fillimin e negociatave në dhjetor, kundër ishte vetëm Republika e Bullgarisë”, tha Osmani.

Ai tha se, tani për tani nuk ka asgjë të re në raport me bisedimet me Bullgarinë. Ai tha se fokusi i tyre momentalisht janë çështjet nga Marrëveshja me Bullgarinë për të cilat ka më pak dallime, pasi sipas tij është e qartë se, politika në Sofje është e fokusuar në çështjet e tyre të brendshme dhe zgjedhjet që do të mbahen së shpejti.

Maqedonia nga dhjetori i vitit të kaluar ka veton e Bullgarisë me arsyetimin se Shkupi nuk e respekton Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë. Sofja këmbëngul gjithashtu në njohjen e rrënjëve bullgare të historisë maqedonase, kombësinë dhe gjuhën maqedonase, të cilën autoritetet maqedonase e kanë kundërshtuar, duke thënë se “identiteti dhe gjuha nuk do të negociohen“. Që nga ajo kohë, një luftë retorike është zhvilluar pothuajse çdo ditë midis Sofjes dhe Shkupit edhe krahas përpjekjeve e ndërmjetësve special dhe me përpjekje për miratimin e Planit Aksional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button