ANALIZË: Komunat do të kenë më shumë “komoditet” për shpenzim – a do të rritet edhe përgjegjësia dhe llogaridhënia? (Infografik)

As nuk i kanë realizuar të hyrat e planifikuara, e as që i kanë realizuar shpenzimet e planifikuara. Të dhënat e fundit mbi financat e komunave tregojnë se në total të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale treguan, si shpenzime ashtu edhe të hyra dukshëm më të ulëta në vitin 2020, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Me ndryshimet ligjore, qeveria planifikon ta rrisë “komoditetin” e komunave për shpenzime.  A do të rritet edhe përgjegjësia për mënyrën e shpenzimit të parave?

Buxhete “më të mëdha” për 50% – kush do t’i kontrollojë shpenzimet…

Me ndryshimet ligjore, në prag të zgjedhjeve lokale, Qeveria po e rrit komoditetin e komunave që të mund të planifikojnë të ardhura më të larta në buxhetet lokale – që nënkupton edhe rritje të shpenzimeve. Ndryshimet në Ligjin për Financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale janë tashmë në procedurë parlamentare.

“Të hyrat vetanake të buxhetit themelor të komunës mund të planifikohen me një rritje deri në 50% të të ardhurave mesatare të realizuara në tre vitet e fundit, sipas të dhënave nga evidenca e thesarit” – thuhet në ndryshimet ligjore të propozuara.

Sipas qeverisë, kjo do t’u ndihmojë komunave ta “mbijetojnë” krizën ekonomike.

“Ndryshimi është bërë në mënyrë që të lehtësohet funksionimi i komunave gjatë kohës së KOVID-19, prandaj edhe është paraparë që dispozitat e nenit 22-a të këtij ligji të zbatohen në periudhën nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2021”- shpjegojnë nga qeveria.

Për opozitën, ky veprim është i motivuar nga zgjedhjet që duhet të mbahen ore dhe përbën një kërcënim për marrje të reja të huave nga  komunat, të cilat nuk do të jenë në gjendje t’i kthejnë.

“Unë e shoh kompleksitetin në mungesën e parimeve për këtë propozim-ligj, edhe atë për arsyet e mëposhtme. Më 13 nëntor 2018 ju miratoni një ligj të tillë ku e kufizoni shumën maksimale të rritjes së planifikuar prej më së shumti 10% të të ardhurave vetanake në buxhetin themelor në lidhje me të ardhurat mesatare të realizuara në tre vitet e fundit. Në një kohë kur nuk ka krizë të koronës, të cilës ju i referoheni në shpjegimin e 20 nëntorit 2019, një vit më vonë ju miratoni një ligj të ri ku e kufizoni vlerën maksimale në shumë të planifikuar deri në 30%, e tani parashikoni shtesë për një rritje prej 50%” – deklaroi Beti Stamenkovska Trajkova, deputete e VMRO-DPMNE-së.

“Kufizimet” e mëparshme për rritjen e buxheteve komunale duhej ta rrisnin disiplinën për shpenzimet në nivelin lokal dhe t’i zvogëlojnë borxhet e komunave, e si pjesë e kësaj pakete ishin edhe dhjetëra miliona euro nga buxheti i shtetit me të cilat u “mbuluan” borxhet e komunave.

Më shumë se 87% e komunave – raportuan borxhe të prapambetura dhe të papaguara…

Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se komunat në vend vazhdojnë të raportojnë borxhe në vlera milionëshe – detyrime të prapambetura dhe të papaguara. Në fund të vitit 2020, të gjitha komunat kanë detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 60,133,000 euro. Borxhe të prapambetura raportuan edhe ndërmarrjet publike të themeluara dhe të menaxhuara nga autoritetet lokale.

Edhe më tej, komunat janë borxhlinjtë më të mëdhenj në “Listën e borxhlinjve” – disa prej tyre krahasuar me vitin 2019 megjithatë arritën ta ulin borxhin, jo vetëm me ndihmën e parave nga buxheti i shtetit, por edhe si rezultat i marrëveshjeve me kreditorët për pagesën e kryegjësë së borxhit, edhe atë duke e ulur ose duke u shlyer kamatën e borxhit.

Në mesin e dhjetë borxhlinjve më të mëdhenj edhe më tej janë tri komuna – Tetova me një borxh prej 9.8 milion euro, Ohri me detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 6.9 milion euro dhe Karposhi me detyrime të papaguara prej 4.9 milion euro në fund të vitit 2020.

Përveç faktit që është propozuar që komunat mund të rrisin të hyrat dhe shpenzimet e tyre, si opsion mbetet edhe zgjidhja për “shlyerjen” e borxheve të Ndërmarrjeve Publike të themeluara nga komunat. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale njofton se procesi i decentralizimit do të vazhdojë dhe do të intensifikohet për të mundësuar pavarësi më të madhe financiare të komunave.

“Drejtimi i parë i decentralizimit do të jetë sigurimi i pavarësisë më të madhe financiare të vetëqeverisjes lokale. Është thënë qartë se komunat nuk do të pranojnë kompetenca të reja nëse nuk sigurohet stabilizimi i punës financiare të vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve të saj dhe se kompetencat e reja nuk do të pranohen pa siguruar mjete adekuate financiare për realizimin e tyre. Pakoja e dytë do të ketë për qëllim përcaktimin e mundësive për marrjen e kompetencave të reja, ndërsa pakoja e tretë ka të bëjë me konfigurimin organizativ të vetëqeverisjes lokale” – theksoi ministri Milevski në takimin me kryetarët e komunave në kuadër të BNJVL-së.

Megjithatë – mbetet e hapur pyetja nëse do të jetë e nevojshme dhe a do të duhet të forcohet kontrolli mbi shpenzimet në nivelin lokal, duke pasur parasysh që disa prej tyre do të kenë në dispozicion shuma më të larta fondesh dhe do të kenë mundësinë për huazime të reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button