Kosova hapi Ambasadën në Jerusalem

Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, njoftoi sot Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, transmeton REL.

“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri (i Jashëm i Izraelit, Gabriel) Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD-ja thotë se me hapjen e hapjen e Ambasadës së saj në Jerusalem, Kosova ka përmbushur zotimin e dhënë më 1 shkurt, kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thotë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.

E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael është Ines Demiri, e cila më 26 shkurt njoftoi përmes Twitter-it se ka arritur në Izrael. Ajo pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në këtë shtet.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Hapjen e Amasadës së Kosovës në Jerusalem e kishte kundërshtuar Bashkimi Evropian. Më 2 shkurt, BE-ja e quajti vendim fatkeq hapjen e kësaj ambasade në qytetin e Jerusalemit, statusin e të cilit, blloku evropian e konsideron të pazgjidhur.

Kundërshti kishte shprehur edhe Ambasada turke në Prishtinë si dhe Liga Arabe. Kjo e fundit, i kishte bërë thirrje Kosovës që të heqë dorë nga ky vendim, dhe t’i përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.

Në fund të vitit 2017, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi për vendimin e qeverisë së tij që të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Më këtë, SHBA-ja mori vendim që të zhvendoste edhe Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Veprimi i SHBA-së nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, pasi shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin dhe thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të vendoset përmes negociatave për paqe në Lindjen e Mesme.

Konflikti izraelito-palestinez është një konflikt i vazhdueshëm që ka filluar dekada më parë.

Ka pasur përpjekje të shumta për zgjidhjen paqësore të problemit, mirëpo konflikti është prezent edhe sot.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button