Për një bujqësi evropiane

John Deere (JD) një kompani prestigjioze e makinave të rënda dhe atyre bujqësore është e pranishme edhe në Maqedoninë e Veriut (MV). JD është një korporatë që prodhon makineri bujqësore, ndërtimore, pyjore, motorë me naftë dhe pajisje të rënda e themeluar në vitin 1837 në qytetin Molinë të shtetit Ilinoi (SHBA). Katër kilometra në anën e djathtë të rrugës që çon drejt Ambasadës Amerikane në Shkup nga ana e kundërt e rrugës për në drejtim të Hanit të Elezit, logoja e kompanisë shkëlqen ashtu njëjtë si në Molinë.

Gjatë një udhëtimi nga shteti i Floridës për në Iowa në vitin 2004, rastësisht ndalova në Molinë dhe në Davenport dy qytete që shtrihen në anën e djathtë të lumit Misisipi aty ku gjendet JD. Përgjatë rrugës së gjatë drejt veriut amerikan, mbeta i habitur nga numri i madh dhe madhësia e makinave bujqësore dhe padyshim llojeve të ndryshme të mjeteve transportuese që përdorin bujqit amerikanë.

Pasi vija nga rajoni i Pollogut që dikur shquhej për eksportin e shumë prodhimeve bujqësore dhe zhvillimit të blegtorisë në Malin Sharr, mendoja se pse bujqit tanë nuk posedojnë një teknologji të tillë dhe nuk ndihmohen as nga shteti dhe as nga tregu. Nuk voni shumë JD erdhi në MV, por shumë pak makina të prodhimit të JD-së i shohim në fushat tona. Pse?! Sepse toka jonë pjellore e Pollogut shumë pak punohet për arsye të mungesës së plasmanit të prodhimeve, ndihmës nga shteti (Ministria e Bujqësisë) dhe largimit masiv të popullatës nga vendi e sidomos asaj aktive.

Ka edhe disa faktorë tjerë që shumë pak bujq janë të motivuar të zhvillojë këtë veprimtari mjaft të rëndësishme të ekonomisë, për arsye të manipulimeve që hasin nga politika, ministritë dhe njësitë rajonale. Krahasuar me SHBA-në dhe vendet perëndimore ku bujqit ndihmohen jashtëzakonisht shumë nga qeveria dhe në të shumtën e rasteve edhe për humbjet vjetore, në hapësirën tonë, kjo nuk ndodh. Jemi dëshmitarë ku blektorët dhe bujqit jo vetëm që nuk e kanë fatin të sigurojnë teknologji të huaja, por ata po pengohen nga qeveria dhe politika duke bërë seleksionime mbi baza partiake se kush do të fitojë një traktor apo kush tjetër do të marrë ndihmë financiare nga qeveria.

Në qoftë se do të ketë programe ndihmash për mjete bujqësore për bujqit nga qeveria e MV-së, do të ishte mirë që ata pa dallim se nga cila anë e MV-së vijnë të pajisen me mjete bujqësore të kohës dhe të mos i shohim më me IMT-533 ose IMT 539 të prodhimit jugosllav.

Kapitulli 11 i Acquis-it i BE-së i quajtur “Bujqësia dhe zhvillimi rural” përfshin një numër të madh të rregullave detyruese, shumë prej të cilave zbatohen drejtpërdrejti. “Zbatimi i duhur i këtyre rregullave dhe zbatimi dhe kontrolli efektiv i tyre nga një administratë efikase publike janë thelbësore për funksionimin e politikës së përbashkët bujqësore. Drejtimi i politikës së përbashkët bujqësore kërkon ngritjen e sistemeve të menaxhimit dhe cilësisë të tilla si një agjenci pagese dhe administrimin dhe sistemin e integruar të kontrollit, dhe aftësinë për të zbatuar masat e zhvillimit rural. Shtetet anëtare duhet të jenë në gjendje të zbatojnë legjislacionin e BE-së për skemat e mbështetjes së drejtpërdrejtë të fermave dhe t’i zbatojnë organizatat e përbashkëta të tregut për produkte të ndryshme bujqësore.

Ky kapitull është mjaft i rëndësishëm për një shtet që synon një ditë BE-në apo që do t’i hapë kapitujt me unionin. Këtu shihet se pse është kaq i rëndësishëm për BE-në zhvillimi i bujqësisë, harmonizimi i ligjeve dhe përfitimet që duhet t’i arrijnë bujqit nga një legjislacion i përbashkët i vendeve kandidate. Nga ngjarjet e fundit në MV, mund të vërejmë se shumë probleme në lëminë e bujqësisë dhe blektorisë i  kanë rrënjët e vjetra, gjatë tufëzimit të pronës private, “liberalizmit” gjatë reformave të viteve të 50- 60-ta dhe keq menaxhimit të ndihmave dhe buxhetit bujqësor pas vitit 91 e këndej. Ankesat e blektorëve dhe bujqve kanë vazhduar edhe gjatë qeverisjes së Zaev- 2, ku për arsye të ndryshme shumë bujq dhe blektorë nuk janë të kënaqur se si qeveria dhe Ministria e Bujqësisë e ka menaxhuar krizën e fundit të duhanit dhe prodhime tjetra.

Nga ana tjetër, kritika të shumta nga blektorët dhe bujqit janë adresuar drejt Ministrisë së Bujqësisë dhe ministrit i cili sipas tyre më tepër kohë ka shpenzuar në Maqedoninë Lindore dhe Jugore se sa në Pollog apo viset tjera ku jetojnë etnitë tjera dhe që kanë nevojë për dorën e shtetit në kohë të pandemisë dhe më pas. Për t’i motivuar bujqit në kohë të pandemisë, qeveria do të duhet të dërgojë çeqe dhe pagesa jo vetëm për t’i mbuluar dëmet nga produktet e pa shitura të tyre, por edhe të sigurojë të ardhura për një kohë deri sa kjo degë e rëndësishme të zhvillohet si në BE dhe shtetet tjera. Mos të harrojmë se Evropa i kushton mjaft rëndësi bujqësisë dhe blektorisë dhe para se MV të hyjë në union do të duhet të ndërmarrë veprime konkrete e jo fjalë.

Nëse nuk do të kemi një strategji po ashtu kombëtare të zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë dhe degëve tjera ekonomike, sigurisht se ministrat edhe për shumë kohë do të qeshin në debatet televizive me tragjedinë e blegtorëve dhe bujqve. Për të arritur nivelet evropiane dhe ato botërore MV-ja dhe ministritë duhet të punojnë më shumë për të përmbushur nevojat e bazës se sa të grupeve të interesit. Çështja nuk është se pse nuk kemi teknologji amerikane, gjermane, angleze, japoneze apo franceze, problemi qëndron te mungesa e transparencës dhe zvarritja e subvencioneve edhe ashtu të pakta për bujqit dhe shumë ngecjeve tjera në këtë fushë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe e Ekonomisë së Ujërave ka një varg detyrash tjera. Ashtu siç radhiten në ueb faqen e kësaj ministrie, çështjet fillojnë me pylltarinë dhe ekonominë e ujërave; shfrytëzimin e tokës bujqësore, pyjeve dhe pasurive të tjera natyrore; gjahun dhe peshkimin; mbrojtjen e gjedhit dhe bimëve nga sëmundjet dhe dëmtuesit; ndjekjen dhe studimin e gjendjes me ujërat, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e ujërave; sistemet hidromilorative etj. Në rast se fokusohemi tek ujërat dhe kualiteti i tyre, viteve të fundit uji që dikur ishte jashtëzakonisht kualitativ për pije dhe amvisëri, tani është i papërdorshëm, për shkak të ndërtimit të hidrocentraleve në Malin Sharr dhe faktorëve tjerë.

Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave nuk është për tu nënvlerësuar bazuar me buxhetin e përgjithshëm të shtetit. Në kuadër të Ministrisë funksionojnë disa agjenci siç është Agjencia për Zhvillim Rural e cila ende funksion me mentalitetin e vjetër jugosllav dhe e pa u transformuar. BE na pret po jo në këtë gjendje!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.  

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button