fbpx

Lëvizja për pavarësinë e Katalonjës në kërkim të rrugëve të reja

Lëvizja separatiste e Katalonjës pësoi një goditje këtë muaj kur Parlamenti Evropian, i ndarë thellësisht, i hapi rrugën ekstradimit të udhëheqësit separatist në mërgim, Carles Puigdemont në Spanjë për t’u përballur me akuzat për kryengritje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Alfonso Beato njofton nga Barcelona se aktivistët katalanas e kanë quajtur këtë veprim një disfatë për demokracinë në Evropë.

Nuk ishte ajo që donin të dëgjonin mbështetësit e përpjekjes për shkëputje të Katalonjës nga Spanja. Parlamenti Evropian votoi për heqjen e imunitetit të udhëheqësit separatist Carles Puigdemont.

“Kërkesa për heqjen e imunitetit të Carles Puigdemont i Casamajo, është miratuar”, tha nënpresidentja e Parlamentit Evropian, Heidi Hautala.Puigdemont ka jetuar në mërgim në Belgjikë pasi Madridi ngriti akuza ndaj tij dhe të tjerëve për organizimin e referendumit për pavarësi në vitin 2017 që një gjykatë spanjolle e shpalli të paligjshëm. Vendimi i Parlamentit Evropian i hap rrugën ekstradimit e tij në Spanjë, ku ai pritet të përballet me akuzat për nxitje të kryengritjes.

“Është një ditë e trishtuar për Parlamentin Evropian. Ne humbëm imunitetin, por Parlamenti Evropian dhe demokracia evropiane kanë humbur më shumë”, tha ish-presidenti i Katalonjës Carles Puigdemont.

Çështja e Katalonjës ka ndarë thellësisht Parlamentin Evropian. Kjo çështje bëhet edhe më e debatueshme nëse merret parasysh mënyra se si ligji spanjoll e përkufizon kryengritjen dhe rebelimin, që mund të ketë pasoja të ndryshme për zotin Puigdemont.

Krimet e rebelimit dhe nxitjes së kryengritjes nuk konsiderohen në të njëjtën mënyrë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, thonë analistët. Dënimet për nxitje të kryengritjes në Spanjë mund të arrijnë deri në 13 vjet burg, ndërsa në Belgjikë ky lloj krimi nuk njihet.

“Mesazhi për Spanjën është që të veprojë me kujdes sepse këto dënime janë jashtëzakonisht të debatueshme. Mendoj se kjo shpjegon përçarjen në Parlamentin Evropian. Shumë deputetë evropianë i shohin të gjitha procedurat gjyqësore kundër këtyre udhëheqësve si shumë problematike, ndërsa të tjerët në një farë mënyre e mbështesin Spanjën sepse ajo është anëtare e BE-së”, thotë Anna Sofia Cardenal, profesore e shkencave politike në Universitetin e Hapur të Katalonjës.

Aktivisti Jordi Cuixart, i cili nuk shkoi në mërgim si ish-presidenti i Katalonjës Puigdemont dhe separatistët e tjerë katalanas, u burgos dhe po vuan një dënim 9-vjeçar për nxitje të kryengritjes.

Pas dënimit, ai kishte liri të kufizuara dhe në një intervistë për mediat u shpreh se Spanja po zbatonte një ligj të vjetër.

“Në realitet, akuza për nxitje të kryengritjes në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të vuri përballë anëtarët e ushtrisë që u rebeluan kundër pushtetit dhe ligjeve të asaj kohe”, tha Jordi Cuixart, udhëheqës i Lëvizjes për Pavarësinë e Katalonjës.

Autoritetet spanjolle kanë pezulluar masat alternative të paraburgimit dhe udhëheqësit e dënuar separatistë tani janë duke vuajtur dënimin e plotë me burg.

Në zgjedhjet rajonale të shkurtit në Katalonjë, partitë pro-pavarësisë morën më shumë se gjysmën e votave, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët të votuesve për shkak të pandemisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button