RMV, Agjenda ‘Evropa në shtëpi’- dokument i ri me premtime të vjetra, nevojitet punë dhe jo “llafe”

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ditë më parë shpalosi dokumentin Agjenda-Evropa në shtëpi”, në të cilin janë hartuar qëllimet, hapat dhe veprimet për reformën zgjedhore, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe fusha të tjera. Ky dokument përveç se ka përmbledhur aksionet dhe reformat që duhet të zbatonin institucionet kompetente, nuk është ndonjë risi e veçantë. Janë gjëra, të kërkuara prej vitesh nga Komisioni Evropian për fillimin e bisedimeve qasëse në BE. Ajo që pritet të shihet nga kjo Agjendë është nëse do të respektohen afatet për përmbushjen e këtyre qëllimeve që fillojnë nga marsi deri në dhjetor të këtij viti, shkruan Portalb.mk

Qëllimi i këtij dokumenti, siç thuhet në të, nuk është të zëvendësojë strategjitë ekzistuese, dokumentet aksionale dhe programet e punës së qeverisë dhe institucioneve, por është plotësues i dokumenteve të ndryshme strategjike dhe pasqyron, siç thuhet, angazhimet e Qeverisë dhe Aksionin 21, të pasqyruara në Buxhet dhe Politikën Fiskale dhe investimet e planifikuara gjatë vitit.

Agjenda: “Evropa në shtëpi”

“Ky dokument horizontal është udhëzues në rrugën e evropianizimit të Maqedonisë së Veriut, mjet për drejtimin e resurseve drejt reformave kryesore dhe rezultateve të pritura, të cilat janë të nevojshme që raporti i Komisionit Evropian për këtë vit të jetë përsëri me një konotacion pozitiv. Kjo qasje do të mundësojë monitorim të përqendruar, por gjithëpërfshirës të progresit në fushat kyçe. Akoma më e rëndësishme, progresi për të cilin BE flet në raporte, për ta zbritur atë nga labirintet e letrës dhe administratës në një nivel që do të ndihet nga vetë qytetarët, përmes rezultateve konkrete dhe të dukshme në realitet”, thuhet në Agjendën Evropa në shtëpi.

Portalb.mk ju sjell në detaje përmbajten e dokumentit:

Kuvend

Demokracia

reformën zgjedhore, si qëllim është përmendur konsolidimi i mëtejshëm i kornizës ligjore dhe institucionale për kryerjen e procesit zgjedhor në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Ndërkohë si aktivitet kanë paraparë revizionin gjithëpërfshirës të kornizës ligjore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR dhe Komisionit të Venecias përpara zgjedhjeve të ardhshme. Në këtë kontekst është paraparë përgatitja e tekstit të ligjit, diskutim publik dhe konsultime, miratim nga Qeveria dhe më pas nga Kuvendi.

Për sa i përket Kuvendit, është parashikuar përmirësimi i procedurës legjislative, gjegjësisht zvogëlimi i numrit të përdorimit të procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve, diçka e theksuar dhe kritikuar në raportin e KE-së të vitit 2020, si dhe përgatitja e ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit.

Në këtë drejtim nuk ka të përcaktuar afat për zbatim përfundimtar të këtyre qëllimeve.

Sa i përket miratimit të ligjeve me procedurë të shkurtuar, është një prej vërejtjeve të disa raporteve me radhë të KE-së. Madje në Strategjinë për reformën e sektorit gjyqësor për periudhën 2017-2022 me Planin e Veprimit, përmendet se nevoja e krijimit të institucioneve të reja (gjykatat, komisionet shtetërore) nuk duhet të bëhet duke miratuar ligje me procedurë të shpejtë dhe pa analiza të plota, biseda publike dhe debate. Por edhe pse kësaj strategjie pesë vjeçare po i vjen fundi, nuk arrin të gjejë zbatim sa i përket kësaj mënyre të sjelljes së ligjeve.

Sundimi i së drejtës

Në fushën e sundimit të së drejtës, gjegjësisht në gjyqësor si qëllim prioritar është përmendur zbatimi i kornizës ligjore dhe forcimi i kapaciteteve në gjyqësor.

  • Zbatimi i ligjeve të sapo miratuara, në veçanti Ligji për Prokurorinë Publike dhe dispozitat e reja në lidhje me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë

Hapat që duhet ndërmarrë në këtë drejtim:

  • Miratimi i akteve nënligjore në përputhje me ligjin e ri për Prokurorinë publike dhe ndryshimet në ligjin për këshillin e prokurorëve publik
  • Forcimin e resurseve njerëzore dhe financiare të Këshillit të prokurorëve publikë
  • Vendime transparente dhe të arsyetuara për zgjedhjen dhe ngritjen në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë
  • Mbajtja e evidencës për procedurat për kryerjen joprofesionale dhe neglizhencës së funksionit gjyqësor dhe prokurorisë publike dhe përgjegjësisë disiplinore

Afati i zbatimi të këtyre hapave është dhjetori i këtij viti dhe insitucionet kompetente janë Ministria e drejtësisë, Këshilli gjyqësor, Këshilli i prokurorëve publik.

  • Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Akademinë për gjyqtarët dhe Prokurorët

Hapat që duhet ndërmarrë në këtë drejtim:

  • Përgatitja e një draft teksti
  • Diskutim publik dhe
  • Konsultime
  • Miratimi nga qeveria
  • Implementimi nga Kuvendi

Afati i zbatimi të këtyre hapave është qershori këtij viti.

Aktivitete tjera në këtë drejtim janë:

  • Zbatimi i strategjive të resurseve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë
  • Riorganizimi i rrjetit gjyqësor dhe prokurorial publik
  • Përmirësimi i kapaciteteve njerëzore dhe kapaciteteve të TIK në gjyqësor
  • Lufta kundër korrupsionit
  • Forcimi i kapaciteteve të institucioneve kompetente për luftë efektive kundër korrupsionit
  • Përgatitja e analizës së lëndëve me rrezik për vjetërsim
  • Të vazhdojë të hetohen dhe të ndiqen rastet e korrupsionit të lartë
  • Politikë kredibile kundër korrupsionit, përfshirë udhëzimet për administratën shtetërore dhe kompanitë shtetërore për ndjekjen rekomandimeve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit

Ndërkohë, në fushën e reformave mediatike, me hapa konkret janë paraparë:

  • Përforcimi i kapaciteteve dhe pavarësia e Servisit publik
  • Përafrimi i legjislacionit kombëtar me Direktivën për shërbime mediatike audiovizuele
  • Përforëcimi i pavarësisë së Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele

Drejtësi, liri dhe siguri

  • Forcimi i rolit dhe kapacitetit të Komitetit Nacional për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe zbatimi i mëtejshëm i marrëveshjes bilaterale (Plani i Përbashkët i Aksional) për luftimin e terrorizmit dhe për parandalimin e ekstremizmin të dhunshëm
  • Përforcimi i kapaciteteve institucionale dhe operacionale të Qendrës Kombëtare për menaxhim kufitar dhe sqarimi i kompetencave të saj në lidhje me institucionet e tjera
  • Forcimi i regjistrimit sistematik të migrantëve dhe mbrojtja e profilizimit të të dhënave të ndjeshme, të sigurohet se zgjidhen nevojat e tyre

Qeverisja ekonomike

Zbatim i suksesshëm i regjistrimit si bazë për krijimin e politikave efektive të zhvillimit dhe zbatimin e reformave strukturore që synojnë rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike

Politika ekonomike

  • Zbatimi i Programit të Reformës Ekonomike (PRE) në drejtim të përshpejtimit të reformave të nevojshme strukturore, bazuar në PRE-në vjetore, vlerësimin e tij nga Komisioni Evropian dhe konkluzionet e përbashkëta të miratuara nga dialogu vjetor midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
DAP, DHP, administrate, sportel, qytetar, administrata publike shteterore
Foto: Portalb.mk / Arbnora Memeti

Reforma në administratën publike

  • Respektim i plotë i parimeve në administratën publike (transparenca, merita profesionale dhe përfaqësimi i drejtë) në lidhje me menaxhimin e resurseve njerëzore
  • Zbatimi i procesit të riorganizimit të organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve të inspektimit
  • Sigurimi i një procesi adekuat legjislativ (përfshirë procesin e duhur të konsultimit, vlerësim të ndikimit të rregullativës dhe kontrollin e cilësisë) për miratimin e legjislacionit të ri dhe kufizimi i përdorimit të procedurave të shkurtuara dhe të shpejta
  • Vazhdimi i digjitalizimit të regjistrave dhe shërbimeve (përmes administratës) për bizneset dhe qytetarët.

Menaxhimi me financat publike

Në këtë drejtim pritet miratimi dhe zbatimi i disa reformave.

  • Të miratohet Ligj i ri për Buxhet, i cili do të përfshijë rregullat fiskale, aranxhimet për këshill fiskal të pavarura dhe i cili do të fusë kornizë të përshtatshme gjithëpërfshirëse të buxhetit afatmesëm. Të fillojë hartimi i akteve nënligjore
  • Miratimi dhe zbatimi i Strategjisë për reforma në sistemin tatimor
  • Përgatitja e një Programi të ri për reforma në menaxhimin e financave publike (MFP)

Negociatat qasëse

Ndërkohë, në këtë dokument janë parashikuar edhe mekaniyma dhe programe, të cilat do të ndihmojnë koordinimin e negociatave të pranimit në BE. Në këtë drejtim, aktivitetet e paralajmëruara në këtë dokument janë:

  • Rishikimi i mekanizmit për menaxhimin dhe koordinimin e negociatave të pranimit, për harmonizimin e tij me metodologjinë e re të negociatave të KE / BE
  • Programi Kombëtar për Miratimin e Acquis-it (NPAA) 2021-2025 për harmonizimin e saj me Metodologjinë e re të negociatave me KE / BE

Mjedisi jetësor, transporti, energjetika

  • Të përmirësohet koordinimi dhe financimi ndër-sektorial për uljen e ndotjes së ajrit
  • Zbatimi i Marrëveshjes së Parisit, përfshirë krijimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të ndryshimeve të klimatike dhe miratimin e një ligji në përputhje me Kornizën e BE-së 2030
  • Krijimi i Planit Nacional për energjinë dhe ndryshimet klimatike, në përputhje me angazhimet ndaj komunitetit energjetik

Dokumenti në fjalë është përgatitur në bazë të detyrimeve janë ndërmarrë brenda organeve të përbashkëta midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, rekomandimet e Komisionit Evropian dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias, GRECO-s, raporteve dhe rekomandimeve nga grupi i ekspertëve të lartë, Misionet e vlerësimit dhe raporte të tjera ndërkombëtare. Për secilën fushë prioritare, renditen qëllimet, aktivitetet, institucionet kompetente për zbatimin e aktiviteteve dhe afatet për zbatimin e tyre. Dokumenti, siç thuhet, është konsultuar me organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushën e integrimit evropian, me ministritë përkatëse si krijues të politikave, si dhe me Delegacionin e Bashkimit Evropian.

 E gjitha që mbetet është të shihet nëse, afatet e vendosura nga marsi deri në dhjetor, do të respektohen dhe zbatohen në kohë hapat e shënuar në këtë dokument. Përvoja ka treguar se Strategjitë e një pas njëshme disa vjeçare nuk janë zbatuar, ndërkohë shumica e reformave që janë pjesë e këtij dokumenti kanë afate shumë të ngushta. Por gjithsesi, respektimi i këtyre afateve do t’i lihet kohës ta dëshmojë. nëse edhe ky dokument do të mbetet thjeshtë në sirtarët e institucioneve apo do të gjejë zbatim të plotë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button