SHBA: Kufizimet e pandemisë hapën debatet për liritë civile

Ndryshimet rrënjësore të jetës së përditshme që solli pandemia COVID-19 — disa me vullnet të lirë dhe disa të vendosura nga qeveria – e kanë rritur ndërgjegjësimin e amerikanëve për liritë themelore që ata i merrnin si të mirëqena para pandemisë, thonë ekspertët.

Kjo i ka bërë qytetarët, hartuesit e politikave dhe gjykatat që të përballen përsëri me tensionin e përhershëm mes sigurisë kolektive dhe lirive personale, transmeton VoA.

“Ndikimet në liritë civile janë më të konsiderueshmet që kemi përjetuar ndonjëherë,” thotë James Hodge, drejtor i Qendrës për Ligjin dhe Politikën e Shëndetit Publik në Universitetin Shtetëror të Arizonës. “Qeveria është angazhuar në të gjitha llojet e masave të distancimit shoqëror që mund të imagjinohen duke iu përgjigjur kësaj pandemie në Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre nuk përputhen plotësisht me mënyrën se si i shikojmë normat tradicionale.”

Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli COVID-19 një pandemi globale në 11 mars 2020, administrata e ish-presidentit Trump dhe të 50 shtetet lëshuan deklaratat e tyre për gjendjen e emergjencës, duke vendosur kufizime të jashtëzakonshme të distancimit fizik për të ngadalësuar përhapjen e virusit: Urdhra masive të qëndrimit në shtëpi, mbylljet e shkollave dhe bizneseve, ndalimi i tubimeve të mëdha publike, kufizimet e udhëtimit dhe kërkesat për mbajtjen e maskave.

“Ju siguroj që kurrë më parë nuk kemi parë diçka të tillë në historinë e Shteteve të Bashkuara”, thotë zoti Hodge.

Ndërsa zyrtarët dhe ekspertët e shëndetit publik mbrojtën kufizimet si masa për të shpëtuar jetë, libertarianët, konservatorët dhe shumë amerikanë të zakonshëm i denoncuan ato si një sulm ndaj lirive civile, të tilla si liritë e grumbullimit dhe besimit.

Shumë shpejt, ndërhyrjet e shëndetit publik u bënë të diskutueshme dhe shumë të politizuara, duke vendosur në pole të kundërta Presidentin Donald Trump dhe aleatët e tij republikanë nga njëra anë dhe guvernatorët dhe kryetarët demokratë të bashkive nga ana tjetër dhe duke shtuar një përçarje në debatin kombëtar.

Duke përmendur pasojat shkatërruese të pandemisë tek ekonomia, guvernatorët republikanë si Ron DeSantis nga Florida dhe Kristi Noem nga Dakota e Jugut bënë presion për të rihapur ekonomitë e shteteve të tyre sa më shpejt të ishte e mundur ndërsa demokratët Gavin Newsom nga Kalifornia dhe Gretchen Whitmer nga Miçigan mbyllën me po aq intensitet shtetet e tyre. Mbajtja e një maske ose refuzimi për ta bërë një gjë të tillë, u bë po aq deklaratë politike sa edhe një hap pragmatik për të shmangur koronavirusin.

Por çka ishte më e rëndësishmja, pandemia i detyroi gjykatat amerikane të trajtojnë një mori pikëpyetjesh kushtetuese rreth temës se deri ku mund të ndërhyjë qeveria – në këtë rast, shtetet – për të kufizuar liritë individuale gjatë një emergjence. Pasi u dhanë shteteve një hapësirë pa i paragjykuar gjatë muajve të parë të pandemisë, gjykatësit filluan të reagonin me vendime që kanë implikime afatgjata për liritë civile dhe kompetencat e qeverisë për emergjencat. Liria e besimit mori kuptim të ri, për shembull, kur Gjykata e Lartë vendosi në nëntor se Shteti i Nju Jorkut nuk mund të diktonte përmasat e shërbimeve fetare.

Vendimi u hapi rrugën vendimeve të ngjashme të gjykatave më të ulëta.

“Në atë moment gjykatat filluan t’i konsideronin sfidat e ndryshme ligjore përmes lentes së Amendamentit të Parë (që mbron lirinë e shprehjes)”, tha Ryan Tucker, një jurist në Aleancën për Mbrojtjen e lirisë, një grup që mbron liritë fetare.

Rasti i Nju Jorkut ishte një nga qindra procese gjyqësore të paraqitura nga kishat amerikane, grupe për të drejtat e armëve, avokatë të të drejtave të abortit dhe të tjera që sfidojnë masa të ndryshme të shëndetit publik gjatë pandemisë.

Ndërsa shumica e bllokimeve janë hequr nga qeveritë shtetërore dhe lokale dhe shkollat po rifillojnë mësimin në klasë, shumë masa të distancimit fizik mbeten në fuqi dhe beteja për liritë civile që u shkaktua nga pandemia nuk ka mbaruar.

“Ka ende beteja që po zhvillohen,” tha zoti Tucker.

Përdorimi i “kompetencave policore” nga shtetet gjatë pandemisë

Polemika mbi liritë civile gjatë pandemisë buron nga përdorimi i kompetencave të emergjencës nga autoritetet qeveritare.

Në Shtetet e Bashkuara, ndërsa qeveria federale ka kompetenca të gjera lidhur me autoritetin gjatë emergjencave, ato për sigurinë dhe shëndetin publik u takojnë autoriteteve shtetërore dhe lokale. Kjo është e njohur si fuqi policore dhe ekspertët ligjorë thonë se ajo është zgjeruar gjithnjë e më shumë në dekadat e fundit pasi guvernatorët kanë fituar kompetenca shtesë të emergjencës.

Përhapja e COVID-19 çoi në një përdorim masiv të këtyre fuqive të gjera. Të 50 guvernatorët e shteteve pothuajse në të njëjtën kohë shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, duke mbyllur bizneset dhe shkollat, duke vendosur kufizime udhëtimi, duke zbatuar masa të tjera të distancimit fizik.

Për mbrojtësit e të drejtave fetare dhe kritikët e tjerë, disa nga këto kufizime ishin diskriminuese dhe tejkaluan autoritetet e guvernatorëve.

“Kishim shumë raste kur guvernatorët, mendoj se po e shfrytëzonin këtë, duke keqpërdorur disa nga liritë që u kishte dhënë legjislatura e shtetit,” tha zoti Tucker.

Duke akuzuar guvernatorët për tejkalimin e kufijve të autoritetit të tyre gjatë pandemisë, dhjetëra legjislatura shtetërore, të kontrolluara kryesisht nga republikanët, kanë kërkuar me një farë suksesi, të zmbrapsin kompetencat për emergjencën të guvernatorëve.

Por ata që janë në favor të këtyre masave thonë se sado drastike që të ishin masat e urgjencës, ishin brenda autoritetit të qeverive të shteteve.

“Mendoj se kufizimet ishin përgjithësisht të lejueshme me kushtetutë, pikërisht për shkak të nevojës për të mbrojtur jetën e njerëzve nga COVID-i, dhe gjykatat i mbështetën ato,” tha Eugene Volokh, një profesor i së drejtës në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, dhe ekspert i Amendamentit të Parë.

Në përgjithësi, masat nuk tejkalonin kompetencat qeveritare, tha prof. Volokh.

Se si do t’i shohin gjykatat masat e rrepta të shëndetit publik në të ardhmen “do të varet nga natyra e epidemisë, veçanërisht nga fakti se si është përhapur dhe sa vdekjeprurëse është,” tha Prof. Volokh në një përgjigje me email për Zërin e Amerikës.

Ndërsa disa konservatorë kanë shprehur shqetësim se kufizimet e vendosura nga qeveria mund të bëhen normalja e re, Prof. Volokh, tha se dyshon se masat, përveç mbajtjes në një farë mase të maskës në publik, do të mbeten pas pandemisë.

“Kufizimet kanë qenë kaq të thella – ekonomikisht dhe përsa i përket lirive personale – saqë është shumë e vështirë që votuesit t’i tolerojnë ato kur të mbarojë epidemia,” tha Prof. Volokh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button