Ministria e Kulturës reagoi pas kërkesës së Sh.B. “Shkupi”, tregoi arsyet pse refuzoi projektet

Ministria ka numëruar disa nga arsyet e refuzimit, duke i vlerësuar si kritere që nuk janë përmbushur nga Shtëpia Botuese “Shkupi” gjatë aplikimit në Konkursin vjetor për mbështetjen e projekteve me interes nacional në kulturë, transmeton Portalb.mk.

“Nga fletëparaqitjet në konkurset vjetore nga Shtëpia botuese “Shkupi”, projektet e refuzuara të kësaj Shtëpie Botuese janë  katër projektet për përkthim nga gjuha suedeze në gjuhën shqipe, të cilat kanë të paraparë një autor përkthimi i cili nuk është shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili jeton në Suedi dhe nuk ka kualifikime kompetente për përkthyes”, raportojnë nga Ministria e Kulturës.

Për arsye të ngjashme, ministra theksoi që një projekt për përkthim nga gjuha angleze në atë shqipe, ka të parapar një autor përkthimi, person i cili nuk është shtetas i RMV-së, ndërsa dy projekte për të cilat Komisioni vërtetoi së përkthimi nuk është bërë nga origjinali dhe një projekt i cili nuk përmbante biografi, nuk kishte të dhëna për autorin apo çfarëdo informacioni tjetër.

“Në lidhje me aplikimet për pjesëmarrjen në panairet ndërkombëtare të librit në Sofje, Tiranë, Stamboll dhe në Frankfurt, janë refuzuar aplikimet për shkak të mungesës të një pjese të dokumentacionit të domosdoshëm, në fakt konsumatori nuk ka të dërguar korrespodencë me organizatorët, me të cilën vërtetohet pjesëmarrja dhe realizimi i tyre në panaire, deklaratat nga pjesëmarrësit/ bashkëpunëtorët në projekt, si dhe vërtetim për mjetet e siguruara nga burime tjera financiare”, njoftojnë nga Ministria, duke shtuar që kësaj shtëpie botuese i janë ndarë dy projekte për përkthimin e veprave nga gjuha turke dhe kroate në gjuhën shqipe.

Ndryshe, Kryetari i Shtëpisë Botuese “Shkupi”, Azam Dauti dje ka reaguar për herë të dytë ndaj rezultateve të konkursit të fundit të Ministrisë së Kulturës, ku shqiptarët morën një përqindje të vogël të projekteve. Dauti tha se pas kërkesës publike që i kanë drejtuar ministres së Kulturës, Stefoska, kryeministrit Zaev dhe zv.kryeministrit të parë Grubi më 25 shkurt, meqë asnjëri nuk u përgjigje, më 3 mars të njëjtëve u kanë dërguar edhe këtë kërkesë publike me shkrim, që tashmë të tre institucionet e kanë obligim ligjor, sipas tij, kërkesës së tyre publike t’i përgjigjen me shkrim.

Ai pretendon se, refuzimi i projekteve të tyre është në kundërshtim edhe me deklaratën e ministres, se “komisionet profesionale kanë vendosur, në bazë të  parimeve  e vlerave artistike dhe jo në bazë të përqindjeve matematikore”.

Ministria e Kulturës në fund të muajit shkurt ka shpallur rezultatet e konkurseve vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë për këtë vit. Sipas ministres së Kulturës, Irena Stefoska, kishte vërejtje për aplikantët që nuk kanë pasur dokumentacion të kompletuar, ndërsa disa herë përsëriti se rezultatet e punës së komisioneve janë të besueshme sepse anëtarët në të janë kompetentë dhe kanë integritet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button