Hoxhiqi mbetet jashtë Kuvendit pas vendimit të Supremes, pritet Duda Balje të ulet në karrigen e Kuvendit

PZAP-ja kishte arsyetuar se “votat e marra nga Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hoxhiq dhe Koalicioni VAKAT, janë në disproporcion me numrin e banorëve të komunitetit boshnjak, komunitet që i përkasin edhe subjektet ankuese por edhe subjekti i atakuar, paraqesin vota të pavlefshme për faktin se është standard jodemokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër dhe si të tilla nuk paraqesin lidhje objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar”, raporton Koha.net.

Në përputhje me të, Gjykata ka vlerësuar se përfundimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm.

“…është provuar se numri i votave të fituara nga subjekti politik Ujedinjina Zajednica – Adrijana Hodzic, nuk përputhet me numrin e votuesve të komunitetit për të cilin ka konkurruar, si përfaqësues në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 14 shkurtë 2021, në Komuna të caktuara”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

“Paneli në bazë të hetimit ex-officio, ka konstatuar fakte thelbësore të mjaftueshme përmes provave të mbledhura të cilat edhe nga Gjykata Supreme, çmohen si kredibile, e në bazë të cilave provohet se subjekti politik Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hodzic, i certifikuar si subjekt politik për vendet e rezervuara të komunitetit boshnjak, ka fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës me votat e votuesve të një komuniteti tjetër”, thuhet tutje.

PZAP-ja të hënën ka marrë vendim që të anulojë në tërësi votat e partive boshnjake si: Ujedinjina Zajednica – Adriana Hoxhiq, Koalicioni – VAKAT, Social Demokratska – Unija SDU, Nova Demokratska Stranka, Nasha Iniciativa në komunat si Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot e Novobërdë, e pjesërisht i janë anuluar votat partisë së Hoxhiqit dhe VAKATIT në komunën e Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.

Në total këtyre partive boshnjake i janë anuluar 4.976 vota që janë zbritur nga regjistri final i zgjedhjeve. E Romani Iniciativas i janë anuluar 837 fletëvotime në komunat si Leposaviq, Novobërdë, Ranillug, Kllokot e Partesh. Në total janë anuluar 5.813 fletëvotime nga numri total i 877.497 sa ishin llogaritur të vlefshme nga KQZ-ja. Pas anulimit, Hoxhiq humb ulësen në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button