Derisa nuk pastrohen të katër deponitë, lindani në OHIS do t’i kanoset Shkupit

Mbi 13.000 tonelata lindan i rrezikshëm gjendet në deponinë e vogël në OHIS dhe katër herë më tepër (mbi 50.000 tonelata) në deponinë e madhe, ndërsa nuk dihet edhe sa mijë tonelata kimikate kancerogjene ka në dy deponitë tjera, njëra në oborrin e fabrikës së mëhershme, ndërsa tjetra jashtë saj, në lokalitetin Pelenicë afër Draçevës. Insekticidi i rrezikshëm tani më pesë vite është një nga lokacionet më të nxehta ekologjike që vazhdimisht i kërcënohet Shkupit. I grumbulluar në mënyrë të duhur, vetëm i mbuluar me dhe, pa garanci që është rrethuar me pishinë betoni, me prova është vërtetuar që lindani e ka ndotur ajrin nga zona e qendrës deri në Gjorçe Petrov, ndërsa shumë e mundur është se gjendet edhe në tokë edhe në ujërat nëntokësorë në rreth të gjerë rreth OHIS-it, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Pastrimi i këtij kimikati të rrezikshëm është temë e cila në opinion dhe qarqet e ekspertëve në vend është aktuale prej gjithmonë. Prej thuajse dy viteve kanë filluar edhe aktivitete më konkrete që këtë pranverë duhet të rezultojnë me zgjidhje të problemit me deponinë e vogël. Shkupi, sipas paralajmërimeve nga Ministria për Mjedis Jetësor, në periudhën e ardhshme do të lirohet nga një pjesë e insekticidit kancerogjen, ndërsa konkretisht në gjashtë deri nëntë muajt e parë, do të mënjanohet një pjesë e deponisë ose rreth 700 tonelata tokë e kontaminuar me NSN si dhe hedhurinë e pastër NSN.

Bëhet fjalë për sigurimin e të gjitha licencave dhe lejeve për punë në terren, si dhe të Planit për remediacion. Pastrimi i deponisë së vogël duhet të fillojë më së voni deri në fund të këtij muaji” thonë nga Ministria për Mjedis Jetësor.

Theksojnë që për ata kyçe është, pas deponisë së vogël, zgjidhja e problemit të vazhdojë edhe me deponinë e madhe, deri në eliminimin e plotë të hedhurinave NSN në OHIS, që do të kishte kushtuar rreth 50 milionë euro. Për atë shkak, thonë ata, është formuar Fond  multi-partner për mjedis jetësor, që do të administrohet nga UNOPS, tani më janë siguruar mjete shtesë nga Qeveria e Norvegjisë dhe janë paraparë mjete nga programi IPA 3.

Deponia me Lindan

Pastrimin e deponisë së vogël do të realizojë kompania greke “Polieko”, që është përzgjedhur në tender ndërkombëtar në suaza të projektit ”Mënjanim i barrierave teknike dhe ekonomike për fillim të aktiviteteve për pastrimin e lokacioneve të kontaminuara me α-HCH, β-HCH dhe γ-HCH (lindan) në OHIS”, të miratuar nga Fondi global ekologjik (GEF) dhe i zbatuar nëpërmjet UNIDO.

Pelenicë - Lindan - gardhi - rrethoja
Rrethoja e lindanit. Foto: META

Përzgjedhja e kompanisë u zvarrit thuajse një vit, duke e pasur parasysh që paralajmërimet e para nga ministria ishin që pastrimi do të fillojë në mars dhe do të përfundojë deri në fund të këtij viti.

“Polieko” do të ketë obligim pastrimin dhe trajtimin lindanit jashtë shtetit.

Sipas profesorit Jane Bogdanov nga Instituti për kimi në FMN, problem është që deponia e vogël në OHIS, përveç lindanit, që është izomer gama i hekso-klorocikloheksanit, përmban edhe kimikate tjera,veçanërisht izomeret tjera të hekso-klorocikloheksanit, që kanë qenë produkte anësore gjatë prodhimit industrial të lindanit.

“Gjatë mënjanimit të këtillë të kimikateve të hedhura, rreziku më i madh është ndotja e ajrit. Mirëpo, kjo do të mbikëqyret dhe monitorohet për t’u shmangur pasoja të padëshiruara mbi mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Duhet të lëshohen sasi të mëdha për të pasur ndikim negative dhe të jetë e rrezikshme për shëndetin. Përgjithësisht, problem me lindanin dhe pesticidet tjera organoklorike është ajo që ato akumulohen në mjedisin jetësor. Mirëpo, lindani në krahasim me insekticidet dhe pesticidet tjera është më i prirë ndaj tretjes. Megjithatë, nëse e tërë procedura realizohet sipas dispozitave të parapara, nuk do të ketë rreziqe mbi popullatën”, thekson Bogdanov.

Lindani në fuçi

Lindani është përbërje organike e halogjenizuar, njëjtë sikur produktet anësore dhe ka procedura të veçanta për shkatërrimin e tyre. Hedhurinat nga deponia e vogël do të duhet të grumbullohen në kontejnerë të veçantë dhe do të transportohen në insenerator për shkatërrim të hedhurinave të rrezikshme kimike në Francë. Në vitin 2009, prodhimi dhe përdorimi bujqësor i lindanit ka qenë i ndaluar sipas Konventës së Stokholmit për ndotës organik të qëndrueshëm. Ky insekticid ka efekt negative mbi sistemin nervor, mëlçinë dhe veshkat dhe mund të jetë kancerogjen. Megjithatë, Bogdanov thekson, kjo varet nga shkalla e ekspozimit dhe koncentracioneve.

“Kompania e angazhuar për mënjanimin e lindanit dhe të kimikateve tjera nga deponia e vogël ka përvojë me projekte të këtilla dhe konkretisht me lindan dhe hekso-klorocikloheksane. Para se të fillohet me punë janë marrë mostra dhe janë bërë analiza kimike për t’u konstatuar cilat kimikate tjera krahas lindanit janë të pranishme në deponi. Sipas përbërjes kimike, janë paraparë skenarët e mundshëm dhe metodat përkatëse për mënjanimin e hedhurinave të këtilla. Ne nga Instituti për kimi, me laboratorin e ri të formuar për analiza kromatografike, të formuar me përkrahje financiare nga UNOPS, menaxhojmë me instrumente dhe kuadër për ta ndihmuar që i tërë operacioni të realizohet në mënyrë efikase dhe pa pasoja të padëshiruara. Gjithashtu, e përshëndesim dhe e mbështesim projektin në tërësi, për shkak të në mënyrë afatgjatë do të zgjidhet problem me ndotësit perzistent organik (POP) në Maqedoni”, thotë Bogdanov.

Mbetjet e fabrikës Ohis

Lindani është kimikat i rrezikshëm, mirëpo edhe më e rrezikshme është ajo se ne kemi madje katër deponi, nga të cilat vetëm në dy supozohen sasitë që janë future, ndërsa për dy të tjerat ende nuk dihet asgjë, thotë Adnan Qahil.

Adnan Qahil, inxhener kryesor i mëhershëm në OHIS dhe ish anëtar i grupit qeveritar për punë për trajtim të lindanit thekson që insekticidi në asnjë nga katër deponitë nuk është hedhur në mënyrë adekuate dhe është lënë në harresë.

“Në kohën kur bënim testime të ekspozimit të ndikimit të lindanit në Shkup dhe qytetarët e tij, konstatuam që ka grimca të kimikateve në ajër edhe në qendër të qytetit, madje deri në Gjorçe Petrov. E njëjta është edhe ujërat nëntokësorë, besoj që ndikimi ndihet në komunat Aerodrom dhe Kisella Voda”, thekson Qahil.

Ai thotë që për pastrimin e lindanit urgjentisht duhet të sigurohen mjete shtesë financiare dhe procedura të zgjerohet edhe në deponitë tjera. Sipas përllogaritjeve të tij, operacionit do të kushtonte deri 200 milionë euro.

“Problemi nuk është vetëm me lindanin, bashkë me atë ka edhe kimikate tjera. Veçanërisht kjo vlen për deponinë e tretë, e cila gjendet në oborrin e fabrikës dhe në të cilën mendoj që fshihen edhe rreziqe tjera. Çdo substancë organike, ndër të cilat edhe lindani është rrezikshme për shëndetin e njerëzve, veçanërisht nëse gjendet në koncentracion më të madh. Jo rastësisht, para disa dekadave është ndaluar importi i lindanit në SHBA, ndaj OHIS duhet të gjente mënyrën dhe vendin për t’i magazinuar sasitë tepricë që u ishin kthyer. Atëherë zgjidhja u gjet në groposjen e kimikateve, të paketuara në fuçi. Mënyra e drejtë do të ishte ato të vendosen në pishina betoni, mirëpo për të fat të keq, në deponinë e vogël dhe të madhe pishina ka vetëm murre, e jo edhe fund të betonuar. Pas gjithë asaj kohe që ka kaluar askush nuk di në çfarë gjendje janë fuçitë dhe çfarë dëmi i kanë shkaktuar tokës dhe ujërave nëntokësorë”, thotë Qahil.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button