U protestua para Komunës së Strugës, aktivistët: Të parandalohen tragjeditë në rrugën Strugë-Ohër (VIDEO)

Pas aksidentit tragjik i cili mori jetën e një 17 vjeçari në rrugën rajonale Strugë-Ohër përderisa ai ishte duke shëtitur me biçikletë, “Klubi i Çiklistëve” në Strugë protestoi para Komunës së Strugës, shkruan Portalb.mk.

Ata kërkojnë nga Komuna e Strugës realizimin e kërkesave të tyre në mënyrë që të parandalohen tragjeditë tjera të mundshme në këtë rrugë, që sipas tyre, është e rrezikshme kurse autoritetet komunale asnjëherë nuk kanë ndërmarrë masa për këtë

“Ne si qytetar ju drejtohemi juve, Komunës së Strugës, për të ndërmarr masat e nevojshme për të mundësuar siguri në komunikacion për çiklistët dhe këmbësorët. Nga kjo protestë dalim me këto kërkesa.

  1. Komuna e Strugës duhet të zhvillojë takime me komunën e Ohrit dhe me kompaninë shtetërore Makedonija Pat për të gjetur zgjidhje rreth çështjes në fjalë
  2. Të merren hapa për zgjerimin e rrugës Strugë-Ohër
  3. Të krijohet korsia për biçikleta
  4. Rritje e prezencës së forcave policore gjatë vikendit, kur lëvizja me biçikleta është më e madhe

Kauza jon nuk merr fund këtu, merr fund vetëm atëherë kur kërkesat tona realizohen një për një” , tha Betim Ibrahimi, njëri nga organizatorët e protestës.

Protesta në Strugë

Më 7 mars të këtij viti në rrugën rajonale Strugë-Ohër, në pjesën e cila kryesisht përdoret nga qytetarët për të shëtitur dhe për çiklizëm ishte aksidentuar për vdekje një 17 vjeçar.

“Me datë 07.03.2021 në ora 11:00 në SPB-Ohër është denoncuar se në rrugën rajonale Strugë-Ohër, një veturë e tipit “mercedes”, me shofer K.P (21) nga Struga ka aksidentuar një 17 vjeçar me biçikletë. Për shkak të lëndimeve të rënda nga aksidenti, biçiklisti 17 vjeçar ndërroi jetë në vendin e ngjarjes” kumtuan nga SPB-Ohër.

Kjo ngjarje tragjike i nxiti anëtarët e “Klubit të Çiklizmit” Strugë që të ndërmarrin masa dhe të kërkojnë përmes protestës nga Komuna e Strugës të zgjidhe problemin me këtë rrugë.

Protesta në Strugë

Një nga organizatorët e protestës, Betim Ibraimi, për Portalb.mk potencoi se fatkeqësisht është dashur që të ndodhe diçka tragjike në mënyrë që të tentohet “zgjimi nga gjumi” i autoriteteve komunale për të rregulluar këtë rrugë të rrezikshme.

“Kemi pasur disa raste ku ka pasur aksidente apo kemi qenë të përfshirë edhe ne, edhe duhej të ndodhe diçka tragjike, si ajo që ndodhi para 1 jave ku u aksidentua për vdekje një i ri 17 vjeçar, edhe ne si “Klub Çiklistëve” në Strugë bashke me shoke tjerë, vendosëm që të organizojmë proteste, ne jemi të vetëdijshëm që nuk është vetëm Komuna e Strugës e përfshirë për të ndërtuar rrugën, është edhe Komuna e Ohrid, Komuna e Dëbërcës si dhe NP “Makedonija pat”, kjo është vetëm një pikënisje e jona në këtë drejtim, apo guri i parë që do të hidhet”

Protesta në Strugë

Cilat janë kërkesat e protestuesve?

  1. Të merren hapa për zgjerimin e rrugës Strugë-Ohër, pasi ajo përbën rrezik për çiklistët dhe këmbësorët.
  2. Të ndërtohet korsia për biçikleta me infrastrukturë Strugë-Ohër, siç është ndërtuar e njëjta edhe në anën tjetër të kufirit (Lin-Pogradec).
  3. Prezencë policore gjatë vikendit, kur lëvizja me biçikleta është më e madhe.
  4. Komuna e Strugës të bashkëpunoje me Komunën e Dëbrëcës, Komunën e Ohrid dhe NP “Makedonija Pat” dhe të gjejnë zgjidhje për këtë problem.
Protesta në Strugë

Është themeluar edhe “Iniciativa për Zgjerimin e Rrugës Strugë-Ohër”.

Në rrjetin social “Fejsbuk”, aktivistë të ndryshëm nga qyteti i Strugës kanë hapur faqen e Iniciativës për zgjerimin e rrugës Strugë-Ohër, përmes kësaj, ata synojnë që të përfshinë sa më shumë njerëz në mënyrë që presioni ndaj kompetentëve të jetë sa më i madh dhe të gjendet zgjidhje për rastin konkret.

Rruga Strugë-Ohër.
Rruga Strugë-Ohër.

Situatë e ngjashme në Tetovë, pas protestave për “Rrugën e Vdekjeve”, qytetarët morën premtim nga kryetarja Arifi se do të zgjidhet problemi me atë rrugë

Pas aksidenteve të një pas njëshme në rrugën “Industriale” në Tetovë dhe një javë pasi u aksidentua për vdekje një vajzë 6 vjeçare, disa aktivist dhe banorët e asaj lagje protestuan me çka kërkuan nga Komuna e Tetovës të shtoje sigurinë në atë rrugë.

Menjëherë pas kësaj, nga Komuna e Tetovës vendosën bllokada për parandalimin e shpejtësisë në atë rrugë si dhe premtuan masa të tjera të cilat do të shtonin sigurinë aty.

Ndryshe, kjo nuk është aksidenti i parë dhe as i vetëm në këtë rrugë, sipas organizatorëve të kësaj proteste, në këtë rrugë vazhdimisht ka pasur aksidente ku janë goditur këmbësorë dhe persona që kanë qenë duke shëtitur me biçikletë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button