Tetovë, optimizëm për zgjidhjen e problemit me qentë endacak, këtë vit me 3.5 milion denarë pritet të trajtohen 300 qen

Një ndër komunat që ka ndarë më shumë mjete financiare këtë vit për zgjidhjen e problemit me qentë endacak është Komuna e Tetovës. Sipas veterinerit Rami Selmani, me këto mjete financiare që janë 3.5 milion denarë, do të mund të trajtohen deri në 300 qen. Megjithatë, kryetarja Arifi vazhdon të mendojë se për zgjidhjen e plotë të këtij problemi, nevojitet qasje shtetërore dhe jo lokale. Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) mohojnë të ketë pasur denoncime për “kontrabandim të qenve”, edhe pse kjo e fundit u pohua nga kryetarja Arifi, shkruan Portalb.mk.

Gazetari i Portalb.mk siguroi kontratën e nënshkruar mes Komunës së Tetovës dhe “Dog and Cat” për trajtimin e qenve endacak dhe zgjidhjen e problemit me qentë endacak, e cila kapte shumën prej gjithsej 3.5 milion denarëve.

Kontrata mes Komunës së Tetovës dhe "Dog and Cat".
Kontrata mes Komunës së Tetovës dhe “Dog and Cat”.

Sipas Rami Selmanit, veterinerit dhe pronarit të “Dog and Cat” kjo qasje e Komunës së Tetovës këtë vit në raport me problematikën e qenve endacak është për tu përshëndetur, ai potencoi se Tetova ka ndarë më shumë mjete financiare për këtë se të gjitha komunat në RMV.

Rami Selmani, veteriner.
Rami Selmani, veteriner.

“Për vitin 2021, Komuna e Tetovës është një ndër komunat që ka ndarë më shumë mjete financiare për problematikën me qentë endacak. Është rekord dhe duhet përshëndetur” tha Selmani, veteriner.

Sipas tij, me këto mjete financiare dhe kushtet aktuale me pandeminë e Kovid-19, është e mundur që deri në përfundimin e kontratës, të trajtohen gjithsej deri në 300 qen.

“Unë jam optimist dhe mendoj se është e mundur që të trajtohen me këto mjete financiare përafërsisht nga 250 deri në 300 qen endacak” shtoi Selmani.

Informojmë se për trajtimin e një qeni endacak, nevojiten rreth 9000 denarë ndërsa aktualisht sipas disa analizave të “Dog and Cat” në Tetovë duhet të ketë gjithsej rreth 400 qen endacak, një numër prej tyre sipas Selmanit, sillen nga vendet tjera.

Përderisa kryetarja Teuta Arifi dhe veterineri Rami Selmani akuzojnë për sjellje të qenve endacak nga qytetet tjera, Sektori për Punë të Brendshme (SPB) mohon të ketë pasur denoncim për diçka të tillë

Në kuadrin e “thashethemeve” ka ngecur teza e kryetares Arifi se qentë endacak në Tetovë sillen nga vendet tjera, kjo për shkak se një gjë e tillë nuk është vërtetuar nga organet kompetente ende.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Disa çështje në qoftë se nuk kanë kornizë shtetërore të zgjidhjes, është shumë problematike që në mënyrë parciale të bëhet zgjidhja. Andaj, ka raste që qentë sillen nga jashtë, unë gjithmonë kam kërkuar fotografi apo video incizim nga qytetarët të cilët denoncojnë diçka të tillë në mënyrë që të hapim procese gjyqësore” tha Teuta Arifi disa muaj më herët në “Click Plus”, TV21.

MPB, korona virus, orë policore

Kontaktuam me zëdhënësin e SPB-së në Tetovë, Fatmir Rexhepi, ai potencoi se përveç që nuk është zbuluar një rast i tillë, në numrin e policisë as nuk është denoncuar nga qytetarët diçka e ngjashme.

“Deri tani nuk kemi pasur denoncime të tilla dhe as nuk është kapur ndonjë person duke sjellë qen endacak nga qytetet tjera. Përndryshe, informacioni është i rëndësishëm dhe menjëherë do ta kishim bë publike” tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-së në Tetovë.

Ndërkaq jo më larg se dje, kamerat e sigurisë kanë kapur përderisa një person në qendër të Tetovës është sulmuar nga qentë endacak, videon e ka shpërndarë aktivisti Arianit Xhaferi në “Fejsbuk”.

Tani, personat e kafshuar nga qentë endacak, dëmshpërblimin duhet ta kërkojnë në gjykatë

Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.
Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.

Komuna e Tetovës ka ndryshuar mënyrën e dëmshpërblimit të qytetarëve të sulmuar nga qentë endacak, tani të gjithë të prekurit nga kjo problematikë do të duhet t’i drejtohen gjykatës themelore në Tetovë.

“Dua të shfrytëzoj rastin të bëj apel deri te qytetarët që janë të kafshuar nga qentë endacak që të drejtën e tyre për dëmshpërblim ta shfrytëzojnë përmes gjyqit”, shtoi Bekim Memeti nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, theksojmë se deri tani se a do të pranohet kërkesa për dëmshpërblim apo jo është vlerësuar përmes një komisioni i përbërë nga anëtarë të Komunës së Tetovës, kjo ka ndryshuar me kërkesë të kryetares së komunës, Teuta Arifi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button