ASh-AAA letër ambasadorit shqiptar në Shkup për çështjen e teksteve ofenduese në RMV

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa deklaron se para dy javësh i kan dërguar letër Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka në lidhje me çështjen e teksteve ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave tjera të shtetit dhe popullit shqiptar, për t’i paraqitur qëndrimet e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët – AlternAtivA, si dhe për të kërkuar veprim nga shteti shqiptar në lidhje me këtë temë, por se nuk ka pasur asnjë reagim përpos heshtjes, njofton Portalb.mk.

“Fatkeqësisht, edhe përkundër kësaj nisme por edhe obligimeve të dala nga neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, na duhet të konstatojmë se Tirana zyrtare vazhdon të heshtë karshi shtrembërimit të fakteve historike, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe kombit shqiptar që ushqehen nga institucionet publike të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesën e koalicionit ASH-AAA.

Andaj, duke marrë parasysh interesin publik të kërkesës së tyre, ata kanë publikuar letrën të cilën ia kanë dërguar më 19 shkurt ambasadorit Reka, në të cilën është kërkuar që të ngrisë këtë çështje lart në agjendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare.

“Siç kishte shkruar Aristoteli në Etikën e Nikomakut, “miqtë dhe vërteta na janë të dashur njësoj, por është detyrë e jona t’i japim përparësi së vërtetës.” Nisur nga ky parim, vlerësojmë se Republika e Shqipërisë e ka për detyrë si vend mik i Republikës së Maqedonisë së Veriut që të trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik midis dy vendeve”, thuhet në kumtesën e këtij koalicioni.

Gjetja e një zgjidhjeje që i kontribuon rritjes së mirëbesimit midis dy kombeve, thuhet tutje në reagim, është në frymën e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore që do duhej të promovonin dy vende anëtare të NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Letrën e plotë, mund ta lexoni këtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button