Mosgatishmëria për sendërtimin e së ardhmes ndryshe

Ndër shkaqet e vendnumërimit të Maqedonisë së Veriut në fushat më të rëndësishme të jetës është dhe mosgatishmëria e pushtetarëve dhe një pjeseje të madhe të inteligjencës maqedonase për sendërtimin e një të ardhmeje ndryshe nga kjo e gjertanishmja. Para do vitesh arrija ta kuptoj këtë mendësi, duke pasur parasyshë të dhënën se maqedonasit e mohuar nga të katër anët, hiq shqiptarët që i pranojnë pa asnjë kusht…, jetojnë në ankthin e formimit të etnisë dhe identitetit nacional, ndaj nguten që t’i rrumbullakësojnë synimet e tyre.

Do t’i kuptoja edhe sot sikur gjatë këtij vrapi të hovshëm të ishin më të kujdesshëm dhe të mbanin llogari të mos i dëmtojnë të tjerët, veçanërisht shqiptarët, që, siç dihet, janë autoktonë në këto hapësira dhe popullojnë një pjesë goxha të madhe të Maqedonisë. Do t’i kuptoja gjithsesi sikur të mos e huazonin nga serbët  idenë e marrë për ndërtimin e shtetit njëetnik; sikur të mos e anashkalonin realitetin historik dhe aktual të përbërjes së popullatës së këtij vendi; sikur të ishin koshientë për pafuqinë që nuk ua mundëson rolet e të fortëve; sikur të mos bëheshin rob andrrallash nacionalromantike, që mund të realizohen vetëm nëse do të zhbëheshin/ asimiloheshin gjithë ata që flasin të tjera gjuhë dhe i falen Zotit ndryshe nga maqedonasit e sotëm; sikur të luftonin për shtetin e së drejtës që do të ndëshkonte ulërimat e “tifozëve” që na duan të djegur në komora gazi; sikur të ndërprisnin fyerjet institucionale nëpërmjet teksteve shkollore; sikur të disiplinonin krrokatjet e mizërisë së medieve të vërdhemëta që u mbajnë krahun rrënuesve të ardhmërisë; sikur ta mendonin me mendje të esëllt se tendencat hegjemone ndeshen fuqishëm me interesat kombëtare të shqiptarëve, që nuk mund ta lejojnë realizimin e synimeve despotike,  sepse Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe vetëm si i tillë mund të ekzistojë.

Drojën e shumë njerëzve për të ardhmen e qetë të këtyre hapësirave e ushqen mungesa e gatishmërisë së pushtetit për të ndryshuar me nene kushtetute statusin dhe të drejtat tona legjitime, pa të cilat, fjala vjen, Gjuha shqipe nuk do të bëhet kurrë gjuhë mirëfilli zyrtare dhe e barabartë me maqedonishten.

Natyrisht, statusin në fjalë e mban në jetë dhe paaftësia jonë për të caktuar ca vija të kuqe përtej të cilave do të pushonin gjithë cic-micet politike, do të lakuriqësohej shteti dualist – përbrenda despotik dhe i padrejtë, kurse së jashtmi yrnek bashkëjetese demokratike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button