Pendarovski u takua me kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të RMV-së

Presidenti Stevo Pendarovski priti kryetarin, gjyqtarët dhe sekretarin e përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

Në takim, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati informoi për çështjet që janë të rëndësishme për realizimin e pozitës kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese, për ekipimin kadrovik të gjykatës me bashkëpunëtorë profesional, për sfidat aktuale me të cilat përballen, si dhe procedurat për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

“Në takim u shkëmbyen mendime për sfidat me të cilat përballen gjyqtarët gjatë vlerësimit të vendimeve për përcaktimin e ekzistencës së gjendjes së jashtëzakonshme dhe dekretet me fuqi ligjore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Në këtë drejtim, gjykatësit ndanë mendimet e tyre mbi Ligjin e shpallur për gjendje të jashtëzakonshme”, njoftojnë nga Presidenca.

Presidenti Pendarovski shprehu mbështetje për pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me ta, ndërsa në drejtim të ndërtimit të shtetit tonë në demokracinë moderne, bazuar në shtetin e së drejtës dhe kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në punën e institucioneve publike. Presidenti theksoi se, si edhe deri më tani, në të ardhmen ai do të veprojë ekskluzivisht brenda kornizës së të drejtave, detyrave dhe kompetencave të tij, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Bashkëbiseduesit gjithashtu ndanë informacione edhe në lidhje me propozimin për prezantimin e të ashtuquajturës ankesa kushtetuese dhe shtrirja e kompetencës së Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut përmes ndryshimeve në Kushtetutë, si dhe për miratimin përfundimtar të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese dhe shkëmbimi i njohurive dhe përvojave me gjykatat kushtetuese evropiane, si dhe pavarësia financiare e Gjykatës Kushtetuese, si parakusht i domosdoshëm për funksionimin dhe zhvillimin cilësor të saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button