Shqipëria i hap rrugë furnizimit me vaksina ruse dhe kineze

Qeveria e Shqipërisë, përmes një akti normativ të miratuar të mërkurën, i ka hapur rrugë negociimit edhe me kompanitë e shteteve jashtë BE-së, në radhë të parë Rusisë dhe Kinës, për sigurimin e vaksinës anti-Covid.

Ky akt normativ megjithatë e precizon se negociatat mund të zhvillohen me kompanitë, vaksinat e të cilave janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre, njofton KTV.

Autorizimi krahas ministrit të Shëndetësisë i jepet edhe ministrit për Rindërtim, “për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anti-Covid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre”.

Më 28 janar, nëpërmjet një letre dërguar këshilltarit të kryeministrit Rama, Endri Fuga, nga Fondi Rus i Investimeve Direkte, Moska kishte sinjalizuar gatishmërinë për vënien e vaksinës “Sputnik V” në dispozicion të Shqipërisë.

Megjithatë, Rama e kishte hedhur poshtë këtë propozim.

“Ne jemi të fokusuar te vaksinat e “Pfizerit”, “AstraZenecës” dhe “Modernës”. Shtetet me të cilat ne komunikojmë në BE janë të drejtuara kah këto kompani. Nuk shprehim rezerva për vaksinën kineze dhe ruse, por për momentin ne jemi të fokusuar në këto drejtime. Nëse do të lindë nevoja, ne do të shohim dhe alternativa të tjera”, kishte thënë Rama.

Por, kreu i Qeverisë Shqiptare zbuti ndjeshëm qëndrimin e tij, pasi Gjermania deklaroi se ishte e hapur për përdorimin e vaksinës ruse, e cila ishte vaksina e parë e zbuluar kundër koronavirusit të ri. Duke folur pas mbërritjes së dërgesës së parë nga kompania farmaceutike “Pfizer”, Rama kishte deklaruar se nëse Bashkimi Evropian e miraton vaksinën ruse, atëherë atë do ta merrte parasysh edhe Shqipëria.

“Për sa u përket vaksinave lindore, ruse apo kineze, asnjë paragjykim për aspektet shkencore, respekt për shkencëtarët, por zgjedhja jonë është të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë. Nëse BE-ja do të hapet ndaj vaksinave kineze dhe ruse, atëherë ne do të rishikojmë qasjen”, do të deklaronte Rama.

Ky ndryshim kursi i kreut të Qeverisë erdhi pasi kabineti i kancelares Angela Merkel do të njoftonte se po konsideronte furnizimin me vaksina ruse. Në mungesë të vaksinave nga kompanitë farmaceutike perëndimore, Gjermania mund ta miratojë përdorimin e vaksinave ruse ose kineze.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka deklaruar se është i hapur për përdorimin e vaksinave kundër koronavirusit të prodhuara, në Rusi ose Kinë.

Edhe Rama e kishte lënë të kuptonte, rreth pesë ditë më parë, në Lezhë se ishte i gatshëm të merrte edhe vaksinën ruse e kineze, pa përfillur gjeopolitikën. Por, si kishte shtuar ai, as vaksina ruse e kineze nuk ka.

“Ajo që për ne ka rëndësi është që të bëjmë atë që duhet për njerëzit. Një gjë dua të shtoj këtu është se ka shumë njerëz që mendojnë se mosmarrja e vaksinave nga ne është çështje gjeopolitike. Jo, nuk është kështu. Vaksinat nuk kanë dalë në treg, që shkon atje dhe i blen. Vaksina nuk ka, kaq e thjeshtë është. Pra të gjitha vaksinat janë në sasi shumë më të vogla, sesa nevojat e atyre që i kanë. Nuk është as çështje çmimi. Ne për vaksinat do të lemë çdo çështje tjetër. Unë jam shumë krenar që ne sot nuk jemi në kushtet e vendeve të tjera në rajon, që ende nuk kanë bërë asnjë gjilpërë. Po mbarojmë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve, kemi filluar vaksinimin e plus 80 vjeçarëve, por nuk mjafton fare, por ama po ecim. Deri para disa ditësh, 140 shtete të botës nuk kishin bërë asnjë vaksinë”, kishte thënë Rama.

Shqipëria më 9 mars ka shënuar njëvjetorin e betejës me Covid-19. Dy rastet e para të evidentuara ishin babë e bir nga Puka, që mbërritën nga Italia. E pas tyre, shumë të tjerë u infektuan me virusin e rrezikshëm. Dy ditë më pas, pikërisht më 11 mars, u shënua vdekja e parë si pasojë e COVID-19 në Shqipëri. Më 12 mars, Qeveria shqiptare vendosi karantinë në të gjithë vendin, ndërsa më pas bëri një ndarje mes zonave të kuqe dhe të gjelbra, ku prej fillimit dhe tani Tirana vijon të jetë vatra më e rrezikshme. Një vit më pas raportohet për 2002 pacientë që e kanë humbur betejën me virusin deri më 11 mars. Zyrtarisht që prej fillimit të pandemisë në Shqipëri janë shënuar 114.182 raste pozitive, ndërsa 77.362 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin. Janë edhe 35.181 raste aktive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button