Zv/ndihmës sekretari i SHBA-së, Matthew Palmer, bisedoi me krerët institucional të Kosovës

Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kanë zhvilluar biseda të ndara virtuale me zv/ndihmës sekretarin në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Matthew Palmer, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë për media nga Presidenca e Kosovës thuhet se Osmani dhe Palmer, i cili njëherësh është përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor nga Departamenti Amerikan i Shtetit, kanë diskutuar rëndësinë e themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

“Osmani theksoi se fokusi aktual është pikërisht në themelimin e institucioneve pa vonesa në mënyrë që të evitohen krizat institucionale e kushtetuese dhe të kemi institucione të cilat reflektojnë vullnetin e qartë qytetar. Mos zvarritja e procesit të certifikimit të rezultateve është tejet me rëndësi”, ka thënë Osmani.

“Palmer u dakordua me Osmanin që institucionet e reja duhet të fokusohen në luftimin e korrupsionit, në adresimin e pandemisë, në ri-ngritjen ekonomike dhe në krijimin e vendeve të punës, ai njëkohësisht theksoi rëndësinë e angazhimit aktiv në dialog, ngaqë kjo do të dëshmojë përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit si dhe në rajon”, njoftuan nga Presidenca.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Osmani ka theksuar se në Kosovë është mirëpritur jashtëzakonisht shumë qasja e qartë e presidentit amerikan, Joe Biden, se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.

Nga ana tjetër, Palmer konfirmoi se në procesin e dialogut, SHBA do të jetë e përfshirë si partner dhe duke i koordinuar qëndrimet me Bashkimin Evropian (BE), si dhe theksoi se SHBA mbetet aleat i përhershëm i popullit të Kosovës.

Po ashtu edhe Hoti ka biseduar me zv/sekretarin Palmer në një takim virual për sfidat me të cilat përballet Kosova, mes tjerash edhe për pasojat e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Ishte kënaqësi që me zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, z. Matthew Palmer, përmes një komunikimi virtual, të bisedoja për zhvillimet e përgjithshme politike në vend si dhe për sfidat me të cilat por përballet Kosova, pasojat e pandemisë COVID-19, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik, por edhe në fusha të tjera të jetës”, shkroi Hoti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button