Kryetarja e Supremes, Ademi ekskluzivisht për Portalb: Do të dënohen gjyqtarët që i janë nënshtruar krimit dhe politikës

Gjyqtarja Besa Ademi, sot edhe zyrtarisht u emërua kryetare e Gjykatës Supreme, pasi e dha betimin para anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Portalb.mk, ka bërë një intervistë ekskluzive me gjykatësen Ademi e cila është gruaja e parë shqiptare që ulet në karrigen e kryetares së gjykatës më të lartë në Maqedoninë e Veriut.

Në intervistën e parë për mediat, pasi është emëruar kryetare e Supremes, Ademi thotë se sfida më e madhe e saj do të jetë kthimi i besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, ndërkaq prioritet zbatimin e reformave, por edhe përforcimin e integritetit personal dhe profesional të gjyqtarëve. Në lidhje me vjetërsimin e lëndëve në Gjykatën Supreme, kryetarja Ademi premton se fillimisht, sipas procedurave ligjore, do ta konstatojnë gjendjen, ndërkaq pastaj do të fillojnë me sanksionim ligjor të gjykatësve të cilët në vend që të gjykojnë, kanë bashkëpunuar me grupe të ndryshme kriminale ose u janë nënshtruar ndikimeve politike. Kryetarja e re, premton se me ardhjen e saj në krye të Supremes, kjo gjykatë do t’i ketë dyert e hapura për gazetarët dhe në tërësi do të jetë transparente.

Interviston: Suad Bajrami

Portalb.mk: Çka ju shtyu që të kandidoheni për Kryetare të Gjykatës Supreme?

Besa Ademi: Për mua sfida më e madhe është kthimi i besimit të qytetarëve për një sistem të pavarur dhe profesional gjyqësor. Ky proces ka filluar, por, për fat të keq, nuk ka përfunduar dhe është për të kuptuar se pse qytetarët nuk kanë besim në sistemin gjyqësor. Gjykata Supreme, si gjykatë më e lartë, duhet të jetë shembull për atë se si sigurohet zbatimi unik i ligjeve dhe se si respektohet barazia në mes qytetarëve.

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi
Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, foto: Suad Bajrami

Portalb.mk: Si e shihni gjendjen me sistemin gjyqësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut?

Besa Ademi: Gjendja është e tillë që kërkon angazhim të fortë për përmirësimin dhe avancimin e të gjitha proceseve në institucionet gjyqësore. Vitet e kaluara janë bërë hapa serioze duke mundësuar autonominë dhe pavarësinë në vendimmarrjen e gjyqtarëve, pa ndikim politik të pushtetit ekzekutiv.

Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet punuar në drejtim të forcimit të integritetit personal dhe profesional të çdo gjykatësi dhe çdo të punësuari në institucionet që janë pjesë e sistemit gjyqësor.

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi
Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, foto: Suad Bajrami

Portalb.mk: Si e shihni zbatimin e reformave në gjyqësor të cilat vite me radhë i kërkon Bashkim Evropian?

Besa Ademi: Në vitin 2015 Bashkimi Evropian përmes një grupi të ekspertëve me përvojë e shpalli raportin e saj të jashtëzakonshëm, i cili kishte për qëllim ta perceptojë gjendjen në shtetin tonë të shkaktuar nga skandali i përgjimit të paligjshëm të komunikimeve. Edhe pse ky skandal ndodhi në një nga shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës, DSK ( Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim), sidoqoftë nxori në pah shumë veprime të paligjshme dhe joetike edhe në sistemin gjyqësor. Mu për këtë edhe reformat urgjente të cilat ishin prioritet i parashtruar para shtetit tonë, reforma e gjyqësorit ishte e shënuar si reformë kruciale me zbatimin e së cilës duhet garantuar sundimi i së drejtës dhe i shtetit juridik. Reformat po zhvillohen me një tempo të konsiderueshme, por unë konsideroj se mund të angazhohemi edhe më tepër dhe të kontribuojmë për të garantuar siguri juridike të çdo qytetari.

Portalb.mk: Çfarë do të keni prioritet gjatë mandatit tuaj?

Besa Ademi: Përfundimi i reformave në sistemin gjyqësor, përfshirë edhe përforcimin e integritetit të gjykatësve dhe bashkëpunëtorëve profesional, të cilët duhet të jenë një figurë e mirëfilltë dhe e ndershme e drejtësisë.

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi
Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, foto: Suad Bajrami

Portalb.mk: Si do ta trajtoni çështjen e vjetërsimit të lëndëve dhe a do të lejoni të “flenë’’ në Gjykatën Supreme me vite të tëra?

Besa Ademi: Në fillim, me një procedurë e cila është e paraparë me rregulla ligjore edhe në formë të një raporti do ta konstatojmë gjendjen, ndërsa pastaj do të fillojmë me sanksionim ligjor të gjykatësve të cilët në vend që të gjykojnë drejtësi, kanë bashkëpunuar me grupe të ndryshme kriminale ose u janë nënshtruar ndikimeve politike.

Portalb.mk: A do t’i ketë e Gjykata Supreme dyert të hapura për mediat (gazetarët)?

Besa Ademi: Sigurisht. Transparenca dhe llogaridhënia janë pjesë e principeve të punës time dhe besoj se kjo është një nga mënyrat se si nuk duhet të lejojmë shkëputjen nga realiteti dhe mbylljen në qarqet vetanake.

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi
Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, foto: Suad Bajrami

Cila është porosia juaj deri te qytetarët të cilët me emërimit tuaj presin që punët në Gjykatën Supreme të ndryshojnë?

Besa Ademi: Ndryshimet janë të mundshme edhe atë do ta bëjmë, para së gjithash për shkak të kolegëve të ndershëm dhe përgjegjës dhe për shkak të qytetarëve të cilët meritojnë të jetojnë dhe punojnë në një shtet juridik i cili garanton sundimin e së drejtës dhe zbatimin e ligjeve.

Biografia e gjyqtares Besa Ademi

Besa Ademi ka lindur më 23.01.1964 në Shkup ku edhe jeton aktualisht. Ka diplomuar në fakultetin Juridik në Shkup në vitin 1990. Provimin e jurispodencës e ka dhënë në Shkup më 08.04.1993. E njeh gjuhën angleze dhe është anëtare e Komisionit për Provim të Jurispodencës.

Ademi Më 15.12.1990 ka filluar të punojë si praktikant-vullnetar në Gjykatën e atëhershme të Qarkut të Shkupit, a prej 08.02.1994 ka qenë bashkëpunëtor profesional në të njëjtën gjykatë. Në periudhën prej 09.12.1999 deri në 14.06.2004 ka punuar si zëvendës i Avokatit të Shtetit. Më 15.06.2004 është zgjedhur për gjykatës në Gjykatën e Apelit ku ka vepruar për lëndët në sektorin civil. Më 07.07.2009 është zgjedhur për gjykatës suprem.

Ademi pasi i plotësoi të gjitha kushtet, kandidoi për kryetare të Gjykatës Supreme, të cilën Këshilli Gjyqësor e zgjodhi kryetare më 12.02.2021 me 12 vota “për” dhe 1 “kundër”. Sot, më 12.03.2021 e dha betimin për kryetare të Supremes dhe prej sot në katër vitet e ardhshme do të udhëheqë me gjykatën më të lartë në vend. Ademi pas mbarimit të mandatit, ka të drejtë edhe për një mandat të dytë katërvjeçar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button