“O nuk du bre t’bohem msuse”

Shkruan: Rita Behadini.

Për të luftuar për një kauzë duhet të ulesh dhe të lexosh, vetëm atëherë do mund t’ia shohësh problemit krejt anët, madje edhe të zbulosh se shumë prej perspektivave i ke pasur para syve por nuk i ke parë. E kur do lexosh do e kuptosh se “O nuk du bre t’bohem msuse” nuk është ofendim ndaj mësuesisë, po luftë ndaj patriarkatit që tenton pa ndalë ta bëjë gruan t’i përshtatet sistemit të krijuar prej burrave. Gratë nuk duhet t’i përshtaten sistemit, sistemi duhet t’u përshtatet grave. Kur do bëhen mësuese vajzat që vërtetë duan të bëhen, pa asnjë imponim, edhe sistemi i arsimit do shkëlqejë.

Rita Behadini, gazetare dhe aktiviste.
Rita Behadini, gazetare dhe aktiviste.

Të mos e gënjejmë veten, patriarkati ende udhëheq kryelartë në shumicën e familjeve në rajon. I njëjti patriarkat ka arritur t’i lë vajzat të pa shkolluara kohë më parë, se vajza ka qenë turp të dalë jashtë derës së shtëpisë e të di e kuptoj diçka ma tepër se sa burrat që e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë veten Zot. “Mos i mësoni djemtë tuaj të jenë Zoti, sepse nuk janë”, ka thënë Kaltrina Pacolli, e për besë ka shumë të drejtë, se ideja e tyre për pushtet ka lënë të vrara shumë gra, e të shtypura shumë të tjera.

Të parat që luftuan për edukimin e grave ishin vajzat që guxuan të jenë mësuese, andaj të jemi të qartë, pankarta që ngjalli aq shumë debat nuk është ofendim për mësuesinë, por është revoltë ndaj një patriarkati që imponon, ashtu si gjithmonë ka ditur ta bëjë.

Çmimin për gjithçka, e tregon vetë edhe historia, kanë ditur të ua mveshin grave. Kanë ditur ta konsiderojnë “morali i shtëpisë” e me këtë ja kanë prerë krahët në shumë gjëra tjera. “Mos, se marre”, ka vrarë shumë ëndrra vajzash. E ashtu si gjithmonë, patriarkati tash mendon se si t’ia përshtat gruas karrierën ashtu që prapë i njëjti mos me e humb “autoritetin”.

“Bonu msuse, orar i shkurtër, ke kohë për fëmijë e burrë, e tre muaj pushim verë”, është dëgju në çdo familje. Gratë thonë, duhet me pas kohë për t’i rritur fëmijët, e ky profesion bash ju shkon për shtat. Duan prapë ata të vendosin se çka është e mirë për gruan, që atyre mos me ua prish terezinë.

“O nuk du bre t’bohem msuse” është grusht ndaj po këtij patriarkati, është thirrje për gratë që t’i ndjekin ëndrrat e të bëhen çka ua do qefi. Andaj dhe “nuk u kuptua” dhe “u keqinterpretua” pankarta, sepse nuk ju konvenon.

Shtetet tjera e kanë kritikuar moti këtë dukuri, kanë ofruar pushim prindëror për të dy prindërit, kanë krijuar kopshte për fëmijët brenda kompanive që gratë që ushqejnë fëmijën me gji ta kenë afër fëmijën, kanë ofruar ditë pushim kur gruaja është me menstruacione, vetëm e vetëm që mos ketë pengesa në ngritjen e gruas në karrierë. Shteti, institucionet dhe kompanitë private duhet t’u përshtaten nevojave të grave sepse në një shoqëri të ndërtuar mbi nevojat e burrave, gratë vazhdojnë të jenë të shtypura. Nuk duhet gratë t’i përshtaten sistemit, sistemi duhet t’u përshtatet grave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button