Qeveria do ta mbulojë gjysmën e harxhimeve për hapjen e biznesit në mjediset rurale

Qytetarët të cilët do të vendosin të hapin biznes në mjediset rurale do të marrin përkrahje financiare nga qeveria në vlerë prej 50 për qind të harxhimeve për fillimin e biznesit.

Përkrahja do të jetë për hapjen e çfarëdolloj biznesi, duke filluar nga më të voglat, si automekanikë, larje veturash, berberë dhe zanatçinj, e deri te objektet për përpunim të ushqimit dhe repartet për prodhimtari për ndërrmarrjet e vogla dhe të mesme.

Për këtë qëllim qeveria do të ndajë rreth katër milion euro, ndërsa vlerësimet janë se në këtë mënyrë do të mund të hapen mbi një mijë biznese të vogla dhe të realizohen së paku një mijë punësime.

“Deri tani  kjo masë për 50 për qind përkrahje vlente vetëm për blerje të mekanizmave për bujqësi.

Nga ky vit, qeveria vendosi ta zgjerojë këtë masë dhe me këtë t’i përfshijë edhe veprimtaritë dhe sektorët shërbyes. Do të thotë, tani nuk do të ketë limit të përkrahjes sa i përket përfshirjes së biznesit dhe lidhshmërisë së tij me bujqësinë, por tani fusha për hapjen e biznesit është e palimituar dhe mund ta përfshijë cilindo aktivitet ekonomik me përjashtim të mjekësisë dhe të farmacisë”, theksoi në konferencën e sotme për shtyp, zëdhënësi qeveritar, Aleksandar Gjorgjiev.

Sipas tij, në këtë mënyrë qeveria jep përkrahje serioze për zhvillimin e fshatrave të Maqedonisë dhe në mundësimin e kushteve për ekzistencë ekonomike të njerëzve të cilët jetojnë  në to.

Për këtë përkrahje financiare do të mund të konkurrojnë të gjithë personat fizikë, tregtarët, individët, dhe ndërrmarjet e vogla dhe të mesme në fshatrat e Maqedonisë dhe në qytetet me popullatë nën 30.000 banorë.

Gjatë muajit mars ose prill do të shpallet thirrje publike për të aplikuar për këto mjete, me ç’rast  çdo i interesuar do të mund të dorëzojë biznes-plan deri te Agjencia për zhvillim rural dhe përkrahje të bujqësisë. Pas shqyrtimit të biznes-planit dhe pranimit të tij do të lidhet kontratë mes shfrytëzuesit dhe agjencisë dhe sipas marrëveshjes, personit do t’i paguhen paratë në vlerë prej 50 për qind nga vlera e biznesit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button