fbpx

Dauti: Refuzimi i projekteve tona është në kundërshtim me deklaratën e ministres se “komisionet kanë vendosur në bazë të  parimeve  e vlerave artistike”

Kryetari i Shtëpisë Botuese “Shkupi”, Azam Dauti ka reaguar ndaj rezultateve të konkursit të fundit të Ministrisë së Kulturës, ku shqiptarët morën një përqindje të vogël të projekteve, transmeton Portalb.mk.

Dauti tha se pas kërkesës publike që i kanë drejtuar ministres së Kulturës, Stefoska, kryeministrit Zaev dhe zv.kryeministrit të parë Grubi më 25 shkurt, meqë asnjëri nuk u përgjigjë, më 3 mars të njëjtëve u kanë dërguar edhe këtë kërkesë publike me shkrim, që tashmë të tre institucionet e kanë obligim ligjor, sipas tij, kërkesës së tyre publike t’i përgjigjen me shkrim.

Dauti pret që përgjigja e Ministrisë së Kulturës, të jetë në harmoni “të vlerave letrare të shpërblyera botërore dhe prezentimit dinjitoz të produksionit letrar të Maqedonisë.

“Arsyetimet jozyrtare nga Ministria e kulturës, në stilin se “projekti i Letërsisë së Shpërblyer Letrare Botërore 2021” i paraqitur nga “Shkupi” ka qenë “mahnitës” por ja që “Shkupi” paska gabuar që ka paraqitur “përkthyes letrarë të huaj e jo vendor” dhe ideja për paraqitje të përbashkët të botuesve shqiptarë dhe maqedonas në Panairet e librave ndërkombëtar “ide e mirë”, por në “kohë të gabuar” për shkak “të pandemisë”, janë vetëm fraza për t’i refuzuar projektet tona. E kjo, është e kundërta e parimeve dhe kritereve të vetë ministrisë, sepse askund, as në kriteret e përgjithshme, as në kriteret e veçanta nuk shkruan që “përkthyesit letrarë”, apo “pandemia”, si shkaqe për pranimin apo refuzimin e ndonjë projekti letrar”, deklaroi Dauti.

Ai pretendon se, refuzimi i projekteve të tyre është në kundërshtim edhe me deklaratën e ministres, se “komisionet profesionale kanë vendosur, në bazë të  parimeve  e vlerave artistike dhe jo në bazë të përqindjeve matematikore”.

“Prandaj, ne e kemi obligim moral, profesional dhe qytetar, që këtë projekt tonin të parefuzueshëm, të vlerave letrare të shpërblyera botërore, që sipas kritereve të vetë Ministrisë së kulturës, pika 8 e prioriteteve, paraqet prioritet të saj, të kërkojmë vazhdimisht të përkrahet plotësisht ky projekt i yni. Kjo, do të thotë, që ne vazhdojmë të mos kërkojmë favorizim, por edhe nuk lejojmë zhvlerësim të veprimtarisë sonë  letrare e kulturore. Përkundrazi, kërkojmë nga institucionet tona të jenë të ndërgjegjshme profesionalisht dhe të pranojnë gabimin e tyre dhe këto projekte në mënyrë plotësuese, në mënyrë transparente të paraqiten tani (dhe jo pas “Shkallës së dytë”) në Programin Interes Nacional për Kulturë 2021”, tha ai.

Ministria e Kulturës në fund të muajit shkurt ka shpallur rezultatet e konkurseve vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë për këtë vit. Sipas ministres së Kulturës, Irena Stefoska, kishte vërejtje për aplikantët që nuk kanë pasur dokumentacion të kompletuar, ndërsa disa herë përsëriti se rezultatet e punës së komisioneve janë të besueshme sepse anëtarët në të janë kompetentë dhe kanë integritet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button