Jeta në pritje

Si sot para një viti filloi mbyllja e parë në shtet lidhur me virusin Covid-19. Kaluam disa muaj në izolim dhe në panik të paparë, duke mos qenë të sigurtë se si do të duket jeta jonë e mëtejshme. Sot, pas një viti, kjo pasiguri ende vazhdon, numri i të sëmurëve rritet dita-ditës, virusi ka pësuar edhe mutacione të cilat nuk i kupton askush dhe që dje filloi sërish të zbatohet ora policore, edhe pse vetëm nga orët e vonshme të natës, deri në mëngjes. Para një viti, kur numrat e të infektuarve kalonin mbi 30 në vit, na zinte ankthi. Sot kur numrat janë rreth 300 në ditë ajo llogaritet si ditë e mirë. Kjo është dëshmia më e mirë se njeriu është qenie tmerrësisht adaptabile. Përshtatet edhe në të mirë, edhe në të keq. Përshtatet edhe kur ka para edhe kur nuk ka. Përshtatet edhe kur mund të shëtisë, edhe kur duhet të qëndrojë i mbyllur në shtëpi. Dikush më shumë e dikush më pak, por të gjithë përshtaten, të paktën nga pak. Një gjë është e sigurtë, që jeta më nuk do të jetë si më parë. Tani jetojmë në pritje. Në pritje që virusi të kalojë, në pritje që të vijnë vaksinat, në pritje që dita tjetër, java tjetër, viti tjetër do të jenë më të mirë.

Është e lodhshme e gjithë kjo situatë, është e lodhshme për të gjithë ne. Jo se nuk funksionon absolutisht asgjë. Jo se karantini është respektuar tërësisht ndonjëherë tek ne. Gjithmonë dëgjojmë për të tillë që i shkelin rregullat, që dalin gjatë orës policore, që organizojnë dasma dhe ahengje me qindar vetë, që nuk i ndalin evenimentet familjare dhe shoqërore edhe në kushte të tilla. Por megjithatë është e vështirë, për të gjithë kjo gjendje.

Me vështirësi më të mëdha përballen fëmijët, që nuk arritën ti gëzohen siç duhet këtij viti të fëmijërisë së tyre të shkurtër. Nuk arritën të shoqërohen me shokët e shoqet e klasës, ose e arritën shumë pak këtë, vetëm për dy orë në ditë, edhe pse edhe kaq është më shumë se hiç. Më vjen keq për ta se po humbin një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të tyre social. Ndonjëherë edhe ata e humbasin koncentrimin dhe bëhen apatikë, sepse e shohin që diçka nuk është rregull, dhe vuajn edhe pse nuk e dinë tamam pse.

Më vjen keq edhe për të rinjtë të cilët nuk arritën ti gëzohen jetës në shkollë të mesme, shoqërisë, të qenit nxënës apo student. Vitet e studimeve kalojnë shpejt dhe janë koha e fundit para përballjes me jetën e vërtetë. Janë ato vite kur njeriu ka shumë kohë për të mësuar dhe poashtu për të bërë shumë aktivitete të rritjes personale. Në këtë vit, kur shkëmbimet e studentëve u ndërprenë, kur të gjithë ngjarjet kaluan online, pak të rinj patën rastin të bëjnë atë që të rinjtë duhet ta bëjnë, ta eksplorojnë botën dhe të shohin si e njejta funksionon. Është e dhimbshme të mendosh se do t’u mungojë kjo pjesë e rëndësishme e rinisë.

Do të duhet të mësohemi të funksionojmë në kushte të reja të cilat nuk do të ndryshojnë në mënyrë drastike së shpejti. Vendet Evropiane përballen sërish me karantina të reja, me sulme të mëdha ndaj sistemeve të tyre të shëndetësisë, dhe me pasoja të mëdha për të gjithë qytetarët. Duhet të bëjmë durim, por durimi nuk është gjithnjë i lehtë dhe do të jetë gjithnjë e më sfidues, edhe kur mësohemi me të keqen. Duhet të mësohemi me jetën në pritje, duke e ditur se jeta është ajo që ndodh deri sa ne bëjmë plane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button