Nuk është vetëm softueri për MPB, Qeveria ka paguar për “Invoka” rreth 400 mijë euro

Pa ueb-faqe dhe informacione për kontakt, kompani informatike punon për të mirëmbajtur softuerë për nevojat e Qeverisë së Maqedonisë. Për servisimin dhe blerje të softuerit, institucionet e Maqedonisë, gjatë tre viteve të fundit kanë paguar për Invoka Group gati 400 mijë euro, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Kompani softuerësh pa ueb faqe të vetën dhe informacione për kontakt punon në mirëmbajtjen e programeve kompjuterike të dhjetëra institucioneve shtetërore. Bëhet fjalë për Shoqërinë për inxhinieri, informatikë dhe dizajn digjital “Invoka Group” nga e cila Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë ka blerë softuer për përcaktim të shpejtësisë së automjeteve në trafik dhe shqiptim të gjobave.

Radio Evropa e lirë u përpoq të kontaktojë menaxherin e kompanisë, për të kërkuar ueb faqe me portofol të “Invoka Group”, por pa sukses. Deri në publikimin e këtij teksti, nuk morëm përgjigje për pyetjet e dërguara me postë elektronike, të lënë për kontakt në Regjistrin Qendror.

Gjatë tre viteve të kaluara, sa kohë që kompania ekziston, ajo nga institucionet e Maqedonisë ka arkëtuar 62 mijë euro për mirëmbajtjen e softuerit, tregon baza e të dhënave qeveritare “Financat e hapura”. Aty mund të vërehet se nën zërin “riparim dhe mirëmbajtje e pajisjeve softuerike dhe harduerike” nga llogaritë e institucioneve janë paguar fatura me vlerë 4 euro deri në një mijë ose dy mijë. Nga llogaria e Sekretariatit të përgjithshëm të Qeverisë me nënshkrimin e ish-Sekretarit të përgjithshëm, kurse tani këshilltar në Zyrën e Kryeministrit, Dragi Rashkovski, janë paguar faturat me vlerë prej 323 mijë euro për blerjen e dy programeve softuerike, tregojnë të dhënat e Byrosë për Prokurime publike.

I pari është dedikuar për MPB dhe i cili supozohet të bëhet pjesë e projektit “Qyteti i sigurt” dhe ka të bëjë me gjobat në trafik dhe ka kushtuar 81 mijë euro. I dyti është softueri për dhënie të provimeve në 14 institucione. Për blerjen e softuerit të dytë, për dhënien e provimeve në institucionet shtetërore dhe për mirëmbajtjen e tij, janë paguar 242 mijë euro nga Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë. Nënshkrues i prokurimeve është ish Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Dragi Rashkovski.

Në vitin 2018, Rashkovski e ka patentuar “Sistemin dhe pajisjet për kontrollimin e shpejtësisë së automjeteve në trafik, përcaktimin e shpejtësisë mesatare dhe vendosjen e gjobave”, stregojnë informacionet e “360 gradë”. Në atë kohë, softueri nuk ishte zhvilluar plotësisht nga kompania “Invoka Group” sepse sipas njoftimit të kontratës së lidhur nga Byroja për Prokurime publike, blerja ishte realizuar plotësisht në vitin 2020.

MPB: Ai softuer nuk është pjesë e sistemit tonë

Problemi me tenderin e parë me të cilin Rashkovski siguroi softuer për kamerat e “Qytetit të sigurt” është se MPB as nuk e përdor atë dhe as nuk ka nevojë për të.

“Lidhur me blerjen e softuerit për të cilin po pyetni, ju informojmë se ai softuer nuk është pjesë e sistemit të MPB-së”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Radion Evropa e Lirë.

Veç kësaj, në MPB thonë se sistemi “Qyteti i sigurt” ende nuk mund të përdoret për të sanksionuar shkeljet e trafikut dhe kjo është arsyeja për të cilën MPB tani punon për një projekt krejtësisht të ri për atë qëllim. Tani për tani, ai sistem është përdorur vetëm për të zbardhur vepra të ndryshme penale, gjegjësisht si ndihmë në hetime të caktuara.

“Në kuadër të MPB-së është formuar një grup punues, i cili është duke punuar në një projekt për të filluar sanksionimin e shkeljeve në trafik përmes kamerave, i cili do të rrisë ndjeshëm sigurinë në trafik. Këto kamera janë planifikuar të vendosen në rrugët e qyteteve, por edhe në autostrada dhe rrugët më të ngarkuara. Kjo do të lehtësonte punën e policisë së trafikut, gjegjësisht do të eliminonte rrezikun e pasojave të padëshiruara, pasi fatkeqësisht kemi pasur raste kur pjesëtarë të policisë së trafikut kanë humbur jetën, e gjithashtu kemi pasur raste të lëndimeve të rënda”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Siç u njoftua në emisionin “360 gradë”, Dragi Rashkovski, si Sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, ka blerë softuer për monitorimin e shkeljeve të trafikut gjatë pandemisë, kur vënia e projektit “Qyteti i sigurt” në funksion nuk ka qenë as për së afërmi gati, as MPB nuk ka pas nevojë për një softuer të tillë.

Dragi Rashkovski

Nga komisioni anti-korrupsion konfirmuan për Radio Evropa e Lirë se sot në kolegjium kanë hapur çështje kundër ish-Sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Rashkovski, për blerje të softuerit që nuk përdoret në MPB.

“Ekzistojnë elementë për hapjen e një çështjeje, u bë shënim zyrtar, ai do t’i shpërndahet nëpër sistem te ndonjë anëtar i komisionit anti-korrupsion dhe do të fillojë puna për atë lëndë”, tha kryetarja e Komisionit Anti-korrupsion Biljana Ivanovska.

Kryeministri Zaev nuk ka dyshime në lidhje me blerjen, ka pas arsye për atë

Kryeministri Zoran Zaev në një pyetje gazetari, në konferencën e sotme për shtyp, tha se të gjitha procedurat e kryera nga Qeveria janë me arsye, gjegjësisht se blerja e softuerit ka qenë e nevojshme, e jo siç thotë MPB.

“Ka pasoja ligjore shkakësore përse është bërë një gjë e tillë. Me dokumente do t’ju tregojmë përse u ble softueri që mund të përdoret në MPB. Ekziston komunikim me shkrim midis dy institucioneve, Sekretariatit të përgjithshëm dhe MPB-së. Vetë programi ka një qëllim përfundimtar, vlerë të përdorimit në rrugë. Falë analizave të hollësishme të mëparshme, të gjitha detajet dhe dokumentet do të shpallen këto ditë. Është bërë me arsye, jo se neve në Qeveri na ka shkuar mendja vetëm të bëjmë softuer”, tha Zaev.

Një pjesë e marrëveshjeve të Qeverisë (Sekretariati i Përgjithshëm) me Invoka Group të publikuara në Sistemin elektronik për prokurime publike

Problemi në këtë prokurim është se në vend të MPB-së, atë e ka realizuar Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë. Veç kësaj, MPB deklaroi se ata nuk planifikojnë të përdorin softuerin e blerë nga Rashkovski sepse nuk është kompatibil me sistemin “Qyteti i sigurt”.

Një pjesë e kontratave të qeverisë me Invoka Group të publikuara “Financat e hapura”

Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, kompania Invoka Group është themeluar dy javë pas zgjedhjes së qeverisë së re të atëhershme të kryesuar nga Kryeministri Zoran Zaev në Parlament në vitin 2017. Që nga ajo kohë, kompania ka qenë e angazhuar për riparim dhe mirëmbajtje të pajisjeve softuerike dhe harduerike në Ministritë e drejtësisë, punës dhe politikës sociale, MPB, transport dhe lidhje, Akademia e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe në Doganë, tregojnë të dhënat nga baza e të dhënave të qeverisë “Financat e hapura”.

Sipas të dhënave nga Regjistri qendror, drejtues dhe themelues i kompanisë është Daniel Stançev, edhe pse kontratën me Qeverinë në vitin 2018 si nënshkrues dhe drejtues paraqitet  Trajce Stançev. I dërguam pyetje kompanisë në lidhje me tenderët shtetërorë, që i kanë fituar si dhe për portofolin e kompanisë, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk morëm përgjigje.

Opozita e akuzoi Rashkovskin për shpenzim të panevojshëm të parave të shtetit gjatë pandemisë

Ministri teknik për punë të brendshme, Naqe Çulev, në kohën e të cilit u ble softueri, mbrëmë shkroi në Facebook se derisa ai e ka kryer funksionin, në asnjë moment nuk ishte informuar se Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë kishte blerë softuer për zbulimin e shkeljeve të trafikut, dhe as që blerja e një softueri të tillë ishte kërkuar me specifikimin e MPB-së për blerje. Ai shton se, gjatë mandatit të tij si ministër teknik, në MPB nuk është pranuar kurrfarë softueri.

“Nuk e kam të qartë përse Sekretariati i përgjithshëm ka realizuar blerjen e zgjidhjes së tillë softuerike, duke pasur parasysh që MPB, e udhëhequr nga Ministri i atëhershëm Oliver Spasovski, në të njëjtën periudhë ka realizuar procedurë për blerje dhe azhurnim të harduerit e softuerit të projektit “Qyteti i sigurt”, ku ishte i përfshirë softuer për shkelje në trafik, veçanërisht nëse marrim parasysh se prodhuesi dhe mirëmbajtësi i “Qyteti i sigurt” me të cilin MPB ka kontratë, nuk lejon përfshirje të zgjidhjeve të jashtme softuerike”, ka shkruar Çulev në profilin e tij në Facebook.

Opozita e akuzoi Dragi Rashkovskin për shpenzim të parave të shtetit për softuer që jo vetëm nuk është prioritet gjatë pandemisë, por as nuk mund të përdoret, për më tepër që MPB kishte instaluar kamera në rrugët e Shkupit qysh në vitin 2012 përmes projektit “Qyteti i sigurt”. Qindra kamera u instaluan asokohe në vendet më të frekuentuara, si dhe në hyrje e dalje të Shkupit.

“Qëllimi ishte të sigurohej mbështetje për MPB-në për trajtimin më të lehtë të aksidenteve, për të zbuluar më lehtë ata që shkelin rregullat, por edhe për analizë të dendësisë së trafikut”, thuhet në komunikatën me shkrim nga VMRO-DPMNE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button