RMV, zgjedhjet lokale mund të shtyhen për një muaj, nëse partitë nuk harmonizojnë qëndrimet për shenjat e gishtave, paralajmëroi KSHZ-ja

Futja e sistemit të shenjave të gishtit për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, mund të realizohet në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në tetor të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Aleksandar Dashtevski, Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), paralajmëroi për MIA që pikërisht kjo çështje mund të shkaktojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale me një muaj vonesë.

“Nëse deri në fund të marsit, fillim të prillit, dakordohen në grupin e punës, mund të zbatohet procesi për shenjë të gishtit për votim, ndërkaq nuk ka as alternative tjetër, kjo është e obligueshme sipas Ligjit dhe ne nuk mund të mos e zbatojmë. Nga ajo që e dëgjojmë ekziston vullnet politik që kjo punë të përfundohet”, theksoi Dashtevski.

Ai sqaroi që mjetet financiare janë siguruar për këtë ndryshim, ndërkohë theksoi nevojën për votimin e ndryshimeve zgjedhore me urgjencë në Kuvend.

Bojan Mariçiq, Ditmire Shehu, Aleksandar Dashtevski (KSHZ)

Ndërkohë, ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, vlerësoi që në momentin kur do të ketë harmonizim të qëndrimeve nga partitë, do të vazhdojnë procedurat në Kuvend. Ai theksoi që dilemat janë paraqitur fillimisht nga BDI-ja.

Ndryshe, muajin e kaluar Komisioni shtetëror zgjedhor (KSHZ) dhe Ministria e punëve të brendshme (MPB) zhvilluan takim për të shqyrtuar mundësinë e futjes së shenjave të gishtave gjatë procesit zgjedhor, si një nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

KSHZ-ja për këtë arsye ka kërkuar mbështetje nga policia, duke llogaritur që më 10 shkurt të këtij viti, KSHZ-ja vendosi që për Strategjinë TIK 2021-23 dhe Strategjinë për siguri kibernetike të formojë grup të punës ku do të jenë: 3 ekspertë të jashtëm, një përfaqësues i KSHZ-së, MPB-së, Regjistrit Qendror dhe një nga Fakulteti i shkencave kompjuterike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button